Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës ka furnizuar Spitalin e Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë me shtretër të rinj, duke përmirësuar ndjeshëm kushtet dhe komoditetin për pacientët që marrin shërbime shëndetësore në këtë institucion.

Sipas njoftimit, furnizimi është realizuar në dy faza, me nga 25 shtretër secilën, duke e çuar numrin e përgjithshëm në rreth 50 shtretër të rinj.


Prej tyre, 20 shtretër janë të dedikuar për Shërbimin e Hemodializës, të cilët ofrojnë rehati më të madhe për pacientët gjatë trajtimit, duke pasur parasysh se shtretërit e mëparshëm ishin të stërvjetruar.

Po ashtu, spitali është pajisur edhe me një shtrat të veçantë për vendosjen e katetrave venoze për nevojat e Shërbimit të Hemodializës, duke rritur sigurinë dhe efikasitetin e procedurave mjekësore.

Në disa reparte janë vendosur edhe shtretër modernë me mekanizëm ngritje dhe ulje, të pajisur me dyshekë bashkëkohorë, të cilët u ofrojnë pacientëve kushte më të mira dhe njëkohësisht e lehtësojnë punën e stafit mjekësor.

Nga Spitali i Përgjithshëm “Dr. Sami Haxhibeqiri” bëhet e ditur se ky furnizim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt rritjes së cilësisë së shërbimeve spitalore dhe përmirësimit të komoditetit të pacientëve.

Furnizimi me shtretër të rinj pritet të vazhdojë gjatë gjithë vitit 2026, me qëllim që të gjitha repartet të kompletohen me pajisje të reja. /Telegrafi/