Spiropali dhe homologu kroat flasin për marrëveshjen ushtarake Shqipëri-Kroaci-Kosovë

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, është pritur në Zagreb nga homologu kroat, Gordan Grlić Radman, ku të dyja palët kanë vlerësuar thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe forcimin e bashkëpunimit rajonal.
Në njoftimin e saj, Spiropali theksoi se takimi ishte i fokusuar në ngritjen e bashkëpunimit në një nivel të ri institucional, me përgatitjen e Mbledhjes së Parë Ndërqeveritare Shqipëri–Kroaci dhe mbajtjen e Komisionit të Përbashkët për Marrëdhënie Ekonomike. Qëllimi kryesor, sipas saj, është rritja e shkëmbimeve tregtare dhe nxitja e investimeve mes dy vendeve.
Dy ministrat diskutuan gjithashtu për projektet e konektivitetit në rajon, me theks të veçantë në infrastrukturë dhe energji. Një pikë tjetër qendrore e bisedimeve ishte bashkëpunimi në fushën e sigurisë, në kuadër të marrëveshjes trilaterale Shqipëri–Kroaci–Kosovë.
Spiropali bëri të ditur se Kroacia mbështet fuqishëm ambicien e Shqipërisë për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian, duke e cilësuar përparimin shqiptar si një shembull të qartë të meritës në procesin e integrimit.
































