Në një deklaratë publike, Gjykata Speciale ka dhënë një sqarim për ligjëratën e bujshme në shkollën “Xhevdet Doda” në Prishtinë të enjten. Një ditë më parë në këtë shkollë të kryeqytetit, Nisma e të Rinjve për të drejtat e njeriut (YIHR), mbajti një aktivitet që sipas organizatës kishte qëllim informimin e qytetarëve për Gjykatën Speciale.

Ngjarja nxiti reagime. Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare e cilësoi si “përpjekje për të kontrolluar dëmin ndaj imazhit të rënduar” të Dhomave të Specializuara. Sipas OVL UÇK-së, aktiviteti ishte i ngjashëm me pushtetin e ish-Jugosllavisë që pas protestave mbante mbledhje për t’i përgatitur qytetarët psikologjikisht që t’i pranojnë dënimet.


“Kjo qasje e njohur e propagandës dhe presionit institucional nuk i shërben drejtësisë, por imponimit të një narrative të parapërgatitur”, është thënë nga OVL-UÇK-ja. Edhe Komuna e Prishtinës reagoi duke paralajmëruar masa. Ajo vlerësoi se ligjërata është mbajtur pa autorizimin e Drejtorisë së Arsimit. Nga shkolla kanë thënë se asnjë zyrtar i gjykatës nuk ka mbajtur ligjëratë, por se ishte e YIHR-së. Edhe kjo organizatë ka thënë se aktiviteti ishte për prezantim të informatave bazike dhe publike mbi Dhomat e Specializuara.

Ngjashëm ka reaguar edhe Gjykata Speciale të premten pasdite. Ajo ka thënë se që prej vitit 2018 organizohen aktivitete të tilla komunikimi dhe ndërgjegjësimi me audiencat në Kosovë.

“Këto aktivitete të përcjelljes së informacionit kanë për qëllim të sigurojnë praninë në Kosovë, të ofrojnë informacion bazë për mandatin dhe veprimtarinë e Gjykatës, t’u japin njerëzve në Kosovë mundësinë të shprehin pikëpamjet e tyre dhe, mbi të gjitha, t’u përgjigjen pyetjeve të tyre. Janë organizuar aktivitete me studentë, juristë, shoqërinë civile, qytetarë të komuniteteve vendore, dhe me shumë të tjerë. Duke qenë se gjykimet kryhen në Hagë, që në fillim u vlerësua se Gjykata duhet të komunikojë me njerëzit që ndikohen nga proceset gjyqësore, duke u ofruar atyre informacion transparent, asnjanës dhe të qasshëm, sikurse kanë vepruar edhe tribunalë të tjerë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Speciale.

Sipas njoftimit, informacionet që jepen në këto aktivitete janë të njëjta me ato që gjenden online. Aty thuhet po ashtu se prezumimi i pafajësisë së një të akuzuari komunikohet në aktivitete.

“DHKS-ja e vlerëson të rëndësishme të dëgjojë mendimet e njerëzve në Kosovë dhe t’u përgjigjet pyetjeve të tyre përmes Programit për Komunikim dhe Ndërgjegjësim”, thuhet në njoftim.