Sony prezanton Xperia 10 VIII – pak ndryshime, por ruan microSD dhe kufjet 3.5 mm

Sony ka prezantuar zyrtarisht Xperia 10 VIII, gjeneratën e re të telefonit të saj të rangut të mesëm, por përmirësimet në krahasim me modelin e kaluar janë mjaft të kufizuara.
Telefoni ruan ekranin 6.1-inç LTPS OLED, me rezolucion FHD+ dhe frekuencë rifreskimi 120Hz. Sony thotë se ndriçimi është rritur me rreth 50%, ndërsa altoparlantët stereo në pjesën e përparme janë përmirësuar me 30%.
Në zemër të pajisjes qëndron sërish Snapdragon 6 Gen 3, i shoqëruar me 8GB RAM dhe 128GB hapësirë të brendshme. Një nga avantazhet e rralla është se Xperia 10 VIII vazhdon të ketë slot microSD, një veçori që po zhduket gradualisht nga telefonat modernë.
Sony ka ruajtur gjithashtu hyrjen 3.5 mm për kufje, duke e bërë telefonin interesant për përdoruesit që nuk duan të përdorin adaptorë apo kufje Bluetooth.
Në pjesën e pasme gjendet i njëjti konfigurim kamerash si te paraardhësi: një kamerë kryesore 50MP dhe një lente ultra-wide 13MP, transmeton Telegrafi.
Bateria mbetet 5,000 mAh, me mbështetje për karikim 30W. Xperia 10 VIII vjen me Android 16 dhe Sony premton deri në katër përditësime madhore të sistemit operativ.
Telefoni do të ofrohet në ngjyrat Frozen White, Frosted Grey dhe Misty Lilac, ndërsa çmimi nis nga rreth 599 euro në Evropë.
Megjithatë, pika më e diskutueshme është se, pavarësisht ndryshimeve minimale, çmimi është rritur ndjeshëm. Xperia 10 VIII pritet të dalë në shitje nga mesi deri në fund të shtatorit.
Në një treg ku prodhuesit po heqin microSD dhe portën e kufjeve, Sony po ruan disa prej veçorive më praktike – por pyetja është nëse këto mjaftojnë për të justifikuar çmimin prej 599 eurosh. /Telegrafi/




































