Sondazhi i Telegrafit: Lexuesit fajësojnë LVV-në për dështimet në konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Në një sondazh të realizuar nga Telegrafi, shumica e lexuesve kanë fajësuar Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për dështimet e njëpasnjëshme në konstituimin e Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025.
Pyetja e sondazhit ishte: “Kush mban përgjegjësi për dështimet e njëpasnjëshme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës pas zgjedhjeve të 9 shkurtit?”.
Gjatë 24 orëve të para, në sondazh morën pjesë mbi pesë mijë lexues dhe rezultatet ishin si më poshtë:
45% e pjesëmarrësve fajësojnë LVV-në si përgjegjëse kryesore;
38% mendojnë se përgjegjës janë PDK, LDK dhe AAK;
15% e konsiderojnë se të gjitha partitë politike ndajnë përgjegjësinë;
Vetëm 2% mendojnë se askush nuk mban përgjegjësi.
Rezultatet e sondazhit vijnë në një kohë kur Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të zgjedhë kryetarin e tij, edhe pas më shumë se 15 seancash të thirrura. LVV, si fituese e zgjedhjeve parlamentare të këtij viti, ka propozuar Albulena Haxhiun për këtë post, por nuk ka siguruar mbështetjen e partive të tjera, të cilat po kërkojnë një emër konsensual, kërkesë që është refuzuar nga LVV.
Ky ngërç politik po zgjat tashmë prej javësh dhe sipas lexuesve të Telegrafit, përgjegjësia kryesore bie mbi partinë që udhëheq procesin, por edhe opozita shihet si bashkëpërgjegjëse në këtë krizë përfaqësimi.
Ndryshe, të enjten është e 16 me radhë për konstituimin e Kuvendit./Telegrafi/










































