Sjelljet e pavetëdijshme të prindërve që dëmtojnë vetëbesimin e fëmijëve

Sjellje të përditshme, shpesh të pavetëdijshme, mund t’u shkaktojnë fëmijëve ndjenja krahasimi, pasigurie dhe mungesë vetëvlerësimi, prandaj prindërit duhet të jenë të kujdesshëm me fjalët, tonin dhe mënyrën si i përkrahin
Qoftë se keni një fëmijë apo pesë, rregulli i artë është t’i shihni secilin si unik, sepse ashtu janë. Të gjithë fëmijët janë të papërsëritshëm dhe secili prej tyre ka nevojë për qasje të veçantë. Prandaj, në vend që të bëni gabimin e madh duke e krahasuar fëmijën tuaj me vëllezërit, motrat apo me shokët e tij, duhet ta pranoni origjinalitetin e tij.
Njohja e arsyeve pse prindërit bëjnë këto krahasime është thelbësore për të kuptuar mënyrën se si mund të zbatohen masa parandaluese të vetëdijshme.
Shpesh këto gjëra “rrëshqasin” pa u vënë re në jetën familjare, mes grumbujve të rrobave, pjatave të mëngjesit ende me mbetje ushqimi apo ndihmës për detyrat e shtëpisë. Megjithatë, mendja jonë është ndërtuar në mënyrë që të bëjë krahasime të vazhdueshme. Ajo e bën këtë për të renditur dhe zgjidhur probleme, por kur bëhet fjalë për fëmijët, kjo taktikë duhet shmangur.
Në vijim, mësoni se si prindërit toksikë mund ta shkatërrojnë vetëbesimin e fëmijëve, transmeton Telegrafi.
Dërgimi i mesazheve të pandërgjegjshme
Ndërtimi i vetëbesimit te fëmijët mund të jetë i ndërlikuar. Ata janë në gjendje të shohin përtej “vellos së së vërtetës” — së vërtetës suaj. Fëmijët i perceptojnë të gjitha mesazhet që u dërgoni, edhe ato të pavetëdijshme. Kur para fëmijës tuaj lavdëroni dikë tjetër, ndërkohë që ai pret fjalët tuaja të miratimit, madje edhe nëse ato vijnë më pas, fëmija e kupton se nuk i mendoni me zemër.
Prandaj, sa herë që ndjeni nevojën ta bëni një gjë të tillë, ndaluni për një moment dhe pyesni veten: “A po i dërgoj fëmijës tim ndonjë mesazh të fshehtë?”

Reagimi ndaj energjisë së fëmijës
Fëmijët marrin energjinë që ju rrezatoni, qoftë ajo pozitive apo negative. Ka shumë gjasa që, nëse keni dy fëmijë, një më të hapur dhe një më të mbyllur, të komunikoni me secilin ndryshe. Edhe pse kjo duket si një qasje e mirë, në fakt mund t’i dërgoni njërës prej tyre mesazhin se ju intereson më pak. Është e nevojshme që të keni qasje të barabartë ndaj secilit fëmijë dhe të mos e përshtatni sjelljen tuaj vetëm sipas energjisë që ata shfaqin.
Dhënia e komplimenteve boshe
Shpesh ndodh që fëmijët të dëgjojnë rastësisht se prindërit e tyre lavdërojnë të gjithë fëmijët e tjerë, përveç tyre. Madje, për ta zbutur situatën, prindërit përpiqen të gjejnë diçka për t’u lavdëruar edhe tek fëmija i tyre, por përfundojnë me ndonjë fjali të cekët si “Lirika është e mrekullueshme”.
Më pas, gjithmonë ndryshohet tema. Për ta shmangur këtë, është e rëndësishme të kujtoni rregullisht se çfarë është e mirë te fëmija juaj, çfarë e vlerësoni tek ai. Komplimentet boshe nuk kanë asnjë vlerë. /Telegrafi/



















































