Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka rekomanduar rritjen e vigjilencës sa i përket kontrollit të vazhdueshëm të ujit të pijes dhe klorizimit të tij sikurse edhe të kontrollit të shtuar dhe klorizimit të ujit të pishinave, që duhet të jetë i përhershëm.

IKSHPK  në njoftimin e bërë për media thotë se nga institucionet shëndetësore të gjitha niveleve kërkohet raportimi i menjëhershëm i rasteve të dyshuara në infeksione, si Sindroma meningjeale apo të tjera, transmeton Telegrafi.


"Sindroma meningjeale (grup i simptomave që tregojnë për ndezje të cipave që rrethojnë trurin dhe palcën kurrizore) më së shpeshti shkaktohet nga një proces inflamator për shkak të infeksioneve bakteriale ose virale. Si rrugë e mundshme e infeksionit mund të jenë vendet e freskimit, kontakti dhe uji për pije", thekson IKSHPK.

Reagimi i plotë:Me qëllim të ruajtjes së shëndetit publik dhe parandalimit të infeksioneve të ndryshme karakteristike për stinën e verës, dhe në veçanti parandalimin e infeksioneve që përhapen në ambientet ku ka grumbullim të qytetarëve, si pishinat publike dhe private, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës rekomandon rritjen e vigjilencës sa i përket kontrollit të vazhdueshëm të ujit të pijes dhe klorizimit të tij sikur edhe të kontrollit të shtuar dhe klorizimit të ujit të pishinave, që duhet të jetë i përhershëm. Ndërkohë, nga institucionet shëndetësore të gjitha niveleve kërkohet raportimi i menjëhershëm i rasteve të dyshuara në infeksione, si Sindroma meningjeale apo të tjera. IKShPK ka shtuar gatishmërinë në parandalimin e shfaqjes së sëmundjeve të ndryshme ngjitëse, marrë parasysh faktin se numri i rasteve të raportuara për Sindromën meningjeale gjatë muajit korrik-gusht, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar ka shënuar rritje. Sindroma meningjeale (grup i simptomave që tregojnë për ndezje të cipave që rrethojnë trurin dhe palcën kurrizore) më së shpeshti shkaktohet nga një proces inflamator për shkak të infeksioneve bakteriale ose virale. Si rrugë e mundshme e infeksionit mund të jenë vendet e freskimit, kontakti dhe uji për pije. IKShPK rikujton institucionet shëndetësore se bazuar në Ligjin për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse në Kosovë (LNR: 02/L-109), raportimi i sëmundjes dhe hulumtimi është i obliguar në rast të epidemisë apo rrezikut për shfaqje të saj. Rekomandime: • Kontrollimi dhe klorizimi i ujit për pije duhet të jetë i vazhdueshëm; • Kontrollimi dhe klorizimi i ujit të pishinave duhet të jetë i përhershëm; • Mirëmbajtja dhe pastrimi i rregullt i pishinave familjare; • Raportimi i sëmundjes dhe hulumtimi është i obliguar në rast të epidemisë apo rrezikut për shfaqje të saj; • Konfirmimi laboratorik dhe njohja e shkaktarit e domosdoshme; • Raportimi i menjëhershëm (brenda 24 orëve) i rastit të vdekjes nga Meningjiti nga spitali, klinika, etj. • Edukimi shëndetësor i popullatës mbi masat e përgjithshme parandaluese; • Komunikimi me media dhe informimi i popullatës; • Shpërndarja e informatave në të gjitha nivelet dhe partnerët relevantë; • Promovimi dhe edukimi shëndetësor në institucionet parashkollore dhe shkollore; /Telegrafi/