LAJMI I FUNDIT:

Sindikata e punëtorëve të AAC-së kërkon shkarkimin e drejtorit Bujar Ejupi

Sindikata e punëtorëve të AAC-së kërkon shkarkimin e drejtorit Bujar Ejupi

Shoqata Sindikale e Punëtorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil (“SPAAC”) ka reaguar për veprimet e fundit të drejtorit të përgjithshëm, Bujar Ejupi lidhur me hartimin e rregullores së brendshme të AAC-së.

Sindikata e AAC-së kundërshton projekt-rregulloren e brendshme të cilën drejtori Ejupi e ka dërguar në MPB për aprovim, si dhe gjithë procesin që i ka paraprirë këtij dokumenti.


“Sindikata ka siguruar projekt-rregulloren e brendshme përmes Agjencisë për Informim dhe Privatësi sepse Bujar Ejupi ka refuzuar ta ndajë atë. Projekt-rregullorja të cilën e ka hartuar vet Bujar Ejupi, edhe pse me ligj parashihet që kjo të jetë punë e Grupit Punues, ka për qëllim shkatërrimin e një strukture funksionale e cila ka dëshmuar rezultate të konfirmuara nga vlerësimet ndërkombëtare që nga viti 2011, degradimin e pozitave dhe strukturave ku punojnë anëtarët e Sindikatës dhe avancimin e pozitave dhe strukturave ku ndodhen personat e dëgjueshëm të Ejupit”, thuhet në reagim.

Ia hoqi kredencialet tre inspektorëve, KPMSHCK shfuqizon vendimet e Bujar Ejupit nga Autoriteti i Aviacionit Civil
Lexo po ashtu Ia hoqi kredencialet tre inspektorëve, KPMSHCK shfuqizon vendimet e Bujar Ejupit nga Autoriteti i Aviacionit Civil

Kjo sindikatë mbron fuqishëm argumentin se drejtori aktual nuk e ka kredibilitetin që të dizajnojë të ardhmen e AAC-së dhe të ekspertëve brenda saj për shkak të keqmenaxhimit të organizatës të vërtetuar me mosmiratimin nga Kuvendi i Kosovës të dy Raporteve Vjetore të Punës së AAC-së.

“Për të mos u mjaftuar me kaq, dy raporte nga institucione ndërkombëtare: njëra e mundësuar përmes Agjencisë së Bashkimit Evropian për Sigurinë e Aviacionit (EASA) dhe tjetra nga Autoriteti i Aviacionit Civil të Islandës (ICETRA) rishtazi kanë konfirmuar atë që SPAAC vazhdimisht e ka sinjalizuar se AAC nën udhëheqjen e Bujar Ejupit nuk është funksionale, gjë që kërkon zgjidhje emergjente. Ndërsa për qasjen jo dinjitoze dhe diskriminuese ndaj stafit flet Raporti i Avokatit të Popullit i publikuar në qershor 2022”, njofton sindikata.

Po ashtu sipas kësaj sindikate, duhet të largohet vet ose të shkarkohet sa më parë drejtori i përgjithshëm, Bujar Ejupi.

“Një drejtor i tillë nuk i bën nderë institucionit e as shtetit dhe duhet të largohet vet ose të shkarkohet sa më parë, në mënyrë që t’i jepet mundësi AAC-së të kthejë funksionalitetin dhe profesionalizimin e dëshmuar ndër vite. Apelojmë te ministri Aliu dhe kryeministri Kurti që të angazhohen urgjentisht për ta adresuar situatën në AAC”, thuhet në fund të reagimit. /Telegrafi/