LAJMI I FUNDIT:

Sindikata e minatorëve i reagon ndërmarrjes Trepça: Po gjeni kohë për shantazhe dhe po tentoni ta njollosni grevën

Sindikata e minatorëve i reagon ndërmarrjes Trepça: Po gjeni kohë për shantazhe dhe po tentoni ta njollosni grevën

Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka reaguar ndaj Ndërmarrjes Trepça, pasi kjo e fundit ka publikuar disa fotografi të punëtorëve duke thënë se ata po e bojkotojnë punën.

Sindikata thotë se në fotografi janë grevistet, të cilët po ndihmojnë minatorët e mbyllur në minierë, transmeton Telegrafi.


“Në faqen zyrtare në Facebook të ndërmarrjes Trepça Sh.A janë publikuar disa fotografi të grevistëve dhe personave të vullnetit të mirë të cilët kanë shprehur gatishmërinë për të ndihmuar minatorët e mbyllur në minierë. Në këtë postim ndër të tjera thuhet se këta persona janë sabotues dhe bojkotues të punës, duke kërcënuar se ndaj të njëjtëve do të merren vendime, duke kërcënuar minatorët grevist dhe duke shfaqur fytyrën e tyre të vërtetë”, thuhet në reagim.

Greva e minatorëve, ndërmarrja “Trepça” publikon fotografi të sabotimit të punës dhe sjelljes së drekave e darkave
Lexo po ashtu Greva e minatorëve, ndërmarrja “Trepça” publikon fotografi të sabotimit të punës dhe sjelljes së drekave e darkave

Tutje, sindikata thekson se “një tendence të tillë frikësuese dhe shantazhuese ndaj minatorëve grevist e konsiderojmë si përpjekje të dështuar, të një menaxhmenti të papërgjegjshëm, joprofesional dhe dhe jolegjitim”.

“Në vend se menaxhmenti të solidarizohet dhe të plotësoj kërkesat e minatorëve, duke marrë parasysh situatën e rëndë shëndetësore dhe rrezikun për jetë që është duke iu kanosur grevistëve, ata gjejnë kohën të shantazhojnë dhe të njollosin grevën e minatorëve. Kjo sjellje është e turpshme. Minatorët nuk frikësohen, minatorët nuk kërcënohen dhe minatorët nuk dorëzohen”, përfundon reagimi.

Ndryshe sot është dita e gjashtë që kur ka nisur greva e minatorëve. Kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Ibrahim Jonuzi ka thënë për Telegrafin se vetëm sot kanë kërkuar ndihmë mjekësore 9 minatorë.

“Gjendja shëndetësore është shumë e rëndë, sot kanë kërkuar ndihmë mjekësore gjithsejtë 9 minatorë, 4 prej tyre janë në gjendje të rëndë shëndetësore”, ka thënë Jonuzi. /Telegrafi/