LAJMI I FUNDIT:

Sindikalistët kundër një buxheti që përjashton Ligjin e Pagave

Sindikalistët kundër një buxheti që përjashton Ligjin e Pagave
Foto: Arkiv

Përmes një thirrjeje të përbashkët Sindikata e Bashkuar e Arsimit në Kosovë dhe Sindikata e Shëndetësisë ka kërkuar që në Kuvend të mos votohet një buxhet që e përjashton Ligjin e Pagave.

Këto sindikata megjithatë kanë kërkuar që Qeveria në këtë kohë të vështirë, të mbështetet, shkruan në njoftimin e tyre.

“Ky Buxhet pa mjetet e dedikuara qartë për Ligjin e pagave do të ishte goditje e rëndë për punëtorët e arsimit, shëndetësisë, policisë, zjarrfikësit, doganat dhe shumë të tjerët dhe, me kalimin e kësaj situate të rëndë, do të sillte një situatë tjetër me plot pakënaqësi. Ne po kërkojnë atë që na takon. Po kërkojmë që në buxhet të jenë të planifikuara mjetet e duhura për Ligjin e pagave”, shkruan në thirrjen e sindikalistëve.

SBASHK po ashtu ka bërë të ditur se është në komunikim të vazhdueshëm me kolegët sindikalistë në shëndetësi, duke shprehur admirim e respekt për angazhimin heroik të mantelbardhëve në betejën e madhe kundër të keqes që po kërcënon botën.

“Tani po shihet sa ka vlerë puna e tyre”, shkruan në njoftim.

“Këto dy sindikata,por edhe ajo e policisë, doganës dhe zjarrfikësve apelojnë të gjithë deputetët që në këtë situatë plot sfida ta përkrahin Qeverinë dhe të gjejnë bashkërisht mundësi për mjete shtesë për sektorin e shëndetësisë në përballjen me virusin që po kërcënon, por jo edhe në përpjekjen për ta aprovuar Ligjin e buxhetit pa u dedikuar mjete të duhura për Ligjin e pagave”, shkruhet në të.

Apeli i SBASHK-ut dhe Sindikatës së Shëndetësisë vjen teksa Kuvendi mban seancë të jashtëzakonshme për shqyrtimin e parë të projektligjit mbi mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020.