Përfshihuni në një proces kreativ dhe të qëndrueshëm që bashkon komunitetin dhe natyrën.

Prishtina Trails 2025 po afron, dhe si çdo vit, medaljet për përfunduesit do të jenë të veçanta – jo vetëm për pamjen dhe mesazhin e tyre, por për mënyrën si krijohen: nga kapakë plastikë të ricikluar (proces i mbiciklimit) të mbledhur me dashuri nga komuniteti ynë.


Ky është një projekt që ka qenë pjesë e garës që nga dita e parë. Çdo medalje e Prishtina Trails, për të rritur apo për garat e fëmijëve, krijohet përmes një procesi të qëndrueshëm dhe kreativ.

Kapakët plastikë mblidhen nga fëmijët e Qendrës LET dhe nga qytetarë të shumtë, e më pas shndërrohen në medalje të bukura dhe funksionale nga DYVO Lab, një hapësirë që i jep jetë të re mbetjeve plastike përmes dizajnit dhe prodhimit inovativ.

Këtë vit, ne duam të zgjerojmë përfshirjen dhe t’ju ftojmë edhe ju të bëheni pjesë e këtij rrëfimi. Sillni kapakët tuaj plastikë dhe kontribuoni direkt në krijimin e medaljeve të garës!

Për të marrë medalje unike, ju duhet së pari të regjistroheni, të përfundoni një nga 3 garat e Prishtina Trails që mbahen me 4 maj 2025 në Amfiteatrin e Parkut Gërmia.

REGJISTROHU në https://tickets.prishtinatrails.com/

Kapakët mund të dorëzohen në këto pika mbledhjeje në Prishtinë: Kino Armata, Termokiss, DYVO Lab, të gjitha në Prishtinë.

Nëse nuk mund të shkoni personalisht në këto pika, na kontaktoni drejtpërdrejt dhe do të gjejmë një mënyrë për t’i marrë.

“Përmes këtij procesi ne po zvogëlojmë mbeturinat plastike në vend,” thotë Veton Kasapolli, një nga organizatorët e Prishtina Trails, “por edhe po ndërtojmë një kulturë të re – ku komuniteti, fëmijët dhe mjedisi bashkohen për të krijuar diçka me vlerë nga mbetjet. Çdo kapak që sillni bëhet pjesë e një medalje që mbart një tregim dhe një qëllim.”

Kjo nismë është më shumë sesa një akt simbolik. Është një mënyrë konkrete për të treguar se sporti mund të jetë i qëndrueshëm, dhe se edhe garat më të mëdha mund të kenë ndikim pozitiv në mjedis.

Duke marrë pjesë, ju ndihmoni që çdo medalje të përfaqësojë jo vetëm përpjekjen fizike të garuesve, por edhe përkushtimin tonë të përbashkët ndaj natyrës./Telegrafi/

telegrafi sport app