Si u zmbraps ushtria serbe tri herë në luftimet që zgjatën shtatë orë - rrëfen ish-ushtari i brigadës 114 në Drenicë

Në fillim të vjeshtës së vitit 1998, Brigada 114 e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e udhëhequr nga komandanti Fehmi Lladrovci, zhvilloi një nga betejat më të ashpra kundër forcave serbe.
Kjo përballje, që zgjati më shumë se shtatë orë, mbetet një nga momentet kyçe të luftës për liri.
Ish-ushtari i brigadës, Shaban Berisha, ka rrëfyer ngjarjet dramatike të asaj dite. Ai kujton se komandanti Lladrovci kishte mbledhur ushtarët dhe i kishte vendosur nëpër pikat strategjike të frontit.
“Ai ka qenë i qetë, na ka dhënë kurajë, duke thënë se duhet të jemi këmbëngulës, se nuk kanë çka me na ba. Komandanti na ka shpërnda në tri pika. Në pikën e quajtur ‘Trafa’ ishte Asllan Fazlia, në ‘Shkaba 2’ Islam Krasniqi, ndërsa në pikën tjetër Sabit Lladrovci me një pjesë tjetër të ushtarëve,” rrëfen Berisha.
Rreth orës 08:00, nisën granatimet e para nga forcat serbe. Fehmi Lladrovci kishte dhënë një urdhër të qartë: të mos hapej zjarr pa u afruar armiku brenda 50 metrave, për shkak të mungesës së municionit.
“Në momentin që komandanti ka gjuajtur me snajperin amerikan, atëherë kemi gjuajtur edhe ne. Aso pushke ushtria serbe nuk ka pasur,” tregon Berisha.
Për shtatë orë të plota, luftëtarët e Brigadës 114 qëndruan përballë një armiku të pajisur me tanke e artileri të rëndë.
As vrasja e komandantit nuk i thyeu.
Berisha përshkruan edhe një moment kritik, kur këmbësoria serbe tentoi të depërtonte përmes një kanali.
“Herën e tretë kur kanë ardhë këmbësoria, kanë tentu me hy në kanal, por vigjilenca e mësuesit Islam Krasniqi ishte vendimtare. Ai dëgjoi një zhurmë dhe për një moment menduam se mund të ishin shokët tanë që vinin në ndihmë. Por kur dëgjuam serbisht: ‘Na levë majtas, majtas!’, atëherë u ngritëm mbi kanal – unë, Islam Krasniqi, Selatin Kurrumeli, Ukë Uka dhe Avni Bunjaku – dhe qëlluam nga një karikator secili. Aty u dëgjua një gjëmë e madhe,” kujton ish-ushtari Berisha.
Sipas tij, kjo befasi i ka goditur rëndë forcat serbe, të cilat u detyruan të tërhiqeshin.
Luftimet vazhduan deri rreth orës 15:00, kur ushtarët e UÇK-së morën urdhër të tërhiqeshin nga pozicionet.
“Na u tha që duhet të tërhiqemi, pasi më nuk ishte e jona. Atëherë jemi dalë nga kanali dhe jemi tërhequr,” thotë Berisha.
Kjo betejë, sipas ish-ushtarëve, nuk ishte vetëm një përballje ushtarake, por një dëshmi e shpirtit të pathyeshëm të Brigadës 114 dhe vendosmërisë së popullit të Kosovës për liri.
“Komandanti ishte gjithmonë i qetë, gjithmonë me kurajë. Ai na la një mësim: se edhe kur armiku ka tanke, nëse je i vendosur, nuk të thyen dot,” përfundon Berisha.
Dokumentarin e plotë mund ta shikoni KËTU.


















































