LAJMI I FUNDIT:

Si të zgjidhni pllakat e banjës? Këto janë disa këshilla të disenjatorëve që do t’ju ndihmojnë

Si të zgjidhni pllakat e banjës? Këto janë disa këshilla të disenjatorëve që do t’ju ndihmojnë
Pixabay/Solomon Rodgers

Zgjedhja e pllakave të banjës nuk është aspak detyrë e lehtë

Të gjithë kemi një imazh në kokë sesi duhet të duket banja jonë ideale. Megjithatë, kur e gjejmë veten në një sallon qeramike, më së shumti ndihemi konfuzë menjëherë nga gama e gjerë e pllakave, kështu që gjithçka që menduam se dinim, bie në ujë.

Prandaj është mirë të lexoni këshillat e ekspertëve përpara se të filloni të kërkoni pllaka. Ja çfarë duhet të keni parasysh:


1. Nëse keni një banjë apo tualet më të vogël, zgjidhni pllaka me përmasa standarde: 30×60, 60×60 ose 30×90 cm në kombinim me mozaik, transmeton Telegrafi.

Megjithëse nga pikëpamja estetike, pllakat e mëdha mund të jenë një zgjedhje interesante për një banjë të vogël, e meta e tyre e madhe është se gjatë prerjes, ka shumë mundësi do të keni më shumë pllaka të dëmtuara që nuk do të mund t’i përdorni dhe në fund ju do të duhet të blini një sasi më të madhe pllakash që do të thotë një shpenzim më i madh financiar.

2. Në banjë më së shpeshti kombinohen dy lloje apo dy ngjyra pllakash, prandaj mund të duket shumë interesante nëse pllakat e dyshemesë i vendosni në mur.

Nëse vendosni për pllaka neutrale bazë, do të ishte mirë që në banjë të shfaqet ndonjë detaj si mozaik apo dekor e cila do të thyejë vizualisht monotoninë. Nëse keni mobile interesante dhe tërheqëse për banjë, këto detaje mund të mos jenë të nevojshme.

3. Pllakat mund të jenë me shkëlqim, gjysmë shkëlqim ose mat. Kur blini pllaka, sigurohuni që të mos vendosni pllaka me shkëlqim ose të lëmuar në dysheme, pavarësisht nëse është banjë apo kuzhinë, për shkak të rrëshqitjes. Nëse dëshironi një kabinë dushi, sigurohuni që të zgjidhni pllaka dyshemeje që nuk rrëshqasin.

4. Kohët e fundit janë shumë të njohura fuga të vogla në pllaka, të cilat mund t’i keni vetëm nëse zgjidhni pllaka të prera me lazer me buzë të drejtë. Nëse pllakat kanë një skaj të rrumbullakosur, fuga do të jetë pak më e gjerë, nga 2 në 3 mm.

Pixabay/ Michal Jarmoluk

Pasi të keni mësuar rregullat bazë për zgjedhjen e pllakave, është koha t’ju tregojmë disa fjalë për zgjedhjen e pllakave specifike. Sigurisht, zgjedhja do të varet më së shumti nga shija juaj personale, por përsëri, disa kombinime dhe tendenca të provuara mund ta bëjnë më të lehtë zgjedhjen e pllakave ideale për banjën tuaj.

Idetë e dekorimit të banjës: Cilat pllaka të zgjidhni dhe si t'i kombinoni ato me elemente të tjera
Lexo po ashtu Idetë e dekorimit të banjës: Cilat pllaka të zgjidhni dhe si t'i kombinoni ato me elemente të tjera

Përdorimi i pllakave me përmasa më të vogla në vend të mozaikut

Ndërsa disa kompani po konkurrojnë për të bërë pllaka të dimensioneve më të mëdha, prodhues të tjerë e kanë fokusuar prodhimin e tyre në qeramika të formateve më të vogla. Për shkak të pamjes së tyre efektive dhe çmimit relativisht të volitshëm, shpesh mund t’i shihni në objekte të ndryshme shërbimi si restorante, kafene…

Pllakat dekorative duhet të vendosen në një vend dominues dhe të dukshëm në banjë dhe të kombinohen me pllaka me përmasa më të mëdha. Ky kombinim arrin një pamje retro aktualisht shumë të njohur. Për më tepër, ky kombinim është financiarisht shumë më i favorshëm.

Një prirje në dizajnin e qeramikës është përdorimi i pllakave më të vogla me modele të ndryshme, rregullimi i të cilave krijon një strukturë interesante të quajtur gjerësisht lara-lara. Kështu, dizajni shumë popullor i pllakave të vjetra qeramike interpretohet në nuanca neutrale dhe pastel, por në një frymë bashkëkohore.

Pixabay/Stefano Ferrario

Nuk mund të gaboni nëse zgjidhni pllaka qeramike që duken si parket ose si dyshemeja e një anijeje. Përveç banjës ose kuzhinës mund t’i vendosni edhe në ambientin e ndenjes. Vetëm kini kujdes, mos i vendosni në dyshemenë e kuzhinës nëse vazhdojnë në parketin e dhomës së ndenjes. Dy struktura të ndryshme druri pranë njëra-tjetrës nuk duken kurrë mirë. Pllakat e parketit janë një zgjedhje e mirë sepse ato kombinohen lehtësisht me të gjitha pllakat ose mozaikët e tjerë bazë. /Telegrafi/