Si të përgatisni një përzierje natyrale kundër zverdhjes së flokëve? Ankthi i çdo biondeje pas pushimeve verore

Pas ekspozimit në diell, det dhe ujë të klorinuar, flokët biond shpesh marrin një nuancë të verdhë të padëshiruar – mësoni si ta riktheni shkëlqimin natyral me përbërës të thjeshtë shtëpiak
Trajtimi ngjyrosës për flokët është ndihma e parë për të eliminuar tonet e padëshiruara pas zverdhjes së flokëve nga deti ose dielli. Ai nuk mund të ndriçojë ngjyrën e flokëve, por vetëm të ndryshojë dhe korrigjojë tonin e saj, duke neutralizuar ngjyrat e verdha dhe portokalli në flokë. Mund të korrigjojë parregullsitë e vogla në ngjyrë dhe të rigjallërojë ngjyrën mes dy lyerjeve.
Brunet dhe flokëzezat shpesh përdorin përzierjen për të rifreskuar ngjyrën në të gjithë gjatësinë. Në këtë mënyrë, ngjyra rigjallërohet, flokët duken më natyralë dhe ruajnë shkëlqimin deri në lyerjen e radhës. Gjithashtu, ky trajtim mund të përdoret edhe për lyerjen e rrënjëve, nëse nuk ndryshoni më shumë se një ton dhe nuk keni flokë të thinjur. Nëse përdorni shampo për flokë të lyer, rezultatet e trajtimit mund të zgjasin deri në katër javë.
Si të përgatisni vetë një përzierje ngjyruese kundër zverdhjes së flokëve
Edhe pse ekzistojnë si produkte të gatshme, përbërja e këtyre trajtimeve nuk është e përshtatshme për përdorim të shpeshtë. Prandaj, ju propozojmë t’i përgatisni vetë duke përdorur bojën për flokë. Ka disa mënyra, ndër to dy janë më të shpejtat dhe më të thjeshtat për përgatitje dhe përdorim, transmeton Telegrafi.
Trajtim për flokë të lagur
Për këtë përzierje ju nevojiten:
▪ Bojë për flokë
▪ Hidrogjen 6%
▪ Shampo
▪ Pak ujë (rreth 10 ml)
Përzieni sasi të barabarta të tre përbërësve të parë dhe shtoni pak ujë që masa të mos jetë shumë e trashë. Këtë trajtim e aplikoni dhe e fërkoni mbi flokë të lagur, të cilët i keni larë më parë me shampo për të hapur kutikulën e flokut. Lëreni të veprojë për 5 deri në 30 minuta, në varësi të ngjyrës së flokëve dhe rezultatit të dëshiruar.
Trajtim për flokë të lagur ose të thatë
Ky trajtim përgatitet në mënyrë të ngjashme, por mund të përdoret edhe mbi flokë të thatë. Duhet të përzieni sasi të barabarta të:
▪ Bojës për flokë dhe
▪ Hidrogjenit 3%
Ky trajtim nuk hollohet me ujë apo shampo. Aplikohet në të gjithë gjatësinë e flokëve ose vetëm në rrënjë dhe lihet të veprojë. Koha optimale është 15–20 minuta, por mund ta lini edhe më gjatë ose më shkurt, sipas nevojës. Për shembull, për mbulimin e rrënjëve tek biondet natyrale shpesh mjaftojnë 5-10 minuta, ndërsa ato me ngjyrë kafe dhe flokë të zinj mund ta mbajnë trajtimin deri në 30 minuta.
Trajtimi ngjyrosës kundër zverdhjes përgatitet si çdo trajtim tjetër. Është e rëndësishme të kini kujdes me tonin dhe nuancën e bojës që përdorni. Për rezultate të suksesshme duhet të njihni bazat e teorisë së ngjyrave dhe mënyrën se si neutralizohen ngjyrat. Neutralizimi më i mirë i toneve bëhet me përdorimin e ngjyrës së kundërt. Kujtoni rrethin e ngjyrave: përballë së verdhës ndodhet vjollca. Pra, për të neutralizuar të verdhën, përdorni trajtim ngjyrosës me nuanca vjollce.
Nëse dëshironi të neutralizoni tonet portokalli, të kuqërremta apo të kuqe, zgjidhni trajtime me nuanca jeshile apo kaltëroshe. Për heqjen e zverdhjes, përdorni boja me shkëlqim vjollcë, hiri apo perlash, që i japin flokëve ton të ftohtë. /Telegrafi/

















































