LAJMI I FUNDIT:

Si mundem unë, si hebre i majtë, ta tregoj mbështetjen për palestinezët dhe për izraelitët?

Si mundem unë, si hebre i majtë, ta tregoj mbështetjen për palestinezët dhe për izraelitët?
Pamje nga demonstrata e organizuar nga Blloku Hebraik - Hebrenjtë Për Palestinën - në Londër më 11 nëntor 2023 (foto: Henry Nicholls/AFP/Getty Images)

Nga: Jon Lansman / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Të flasësh si hebre i majtë, për cilindo aspekt të këtij konflikti shekullor [Izrael-Palestinë],* do të thotë të rrezikosh izolimin dhe urrejtjen e të dyja palëve. Këtë e di, meqë e kam udhëhequr fushatën e Jeremy Corbynit për lider [në Partinë Laburiste] dhe jam ballafaquar me antisemitizmin e asaj periudhe. Kështu, më 8 tetor, duke pasur parasysh detajet që u shfaqën nga masakra e Hamasit një ditë më parë, kisha frikë nga pasojat – nëse përsëri flas.


Doli që në rrethanat e tilla qëllova të jem në një vend më mbështetës – gjatë konferencës së Partisë Laburiste – e pastaj në një takim për mirëbesim dypalësh të organizuar nga një grup i grave hebreje dhe myslimane në një sinagogë të Liverpulit. Dhimbja e përbashkët në një mjedis të tillë ishte ngushëllim i madh dhe paksa lehtësim për të gjithë ne – për myslimanët dhe për hebrenjtë.

Dikur nuk ishte e vështirë të mbështesje të dy popujt që jetojnë në Izrael dhe në territoret palestineze – siç bëra unë – nëse i veçoje nevojat dhe aspiratat e tyre nga ato të udhëheqësve të tyre. Por, ngritja në pushtet e ish-terroristëve të krahut të djathtë, e Menachem Beginit dhe Yitzhak Shamirit në postin më të lartë në Izrael, ishte momenti kur filozofia supremaciste nisi të ndikojë në politikën e hebrenjve izraelitë. Ishin tërheqës – siç gjithmonë bën politika e ekstremit të djathtë – tek ata që ndiheshin të zhgënjyer ose të injoruar nga qeveritë e veta, po si hebrenjtë mizrahi (të trashëgimisë së Lindjes së Mesme ose të Afrikës së Veriut) dhe hebrenjtë më fetarë që tërhiqeshin nga establishmenti i Partisë Laburiste të ashkenazëve (evropianë).

Palestinezët në Bregun e pushtuar Perëndimor dhe në Gazë, gjithashtu filluan ta humbnin besimin tek udhëheqësit e tyre nga Fatahu dhe nga Autoriteti Palestinez, të cilët shiheshin si egoistë, madje edhe të korruptuar – një ndryshim ky që u përshtatej kandidatëve fetarë dhe Hamasit. Tensionet u rritën brenda [komuniteteve] dhe ndërmjet të dy komuniteteve.

Megjithatë, e majta izraelite nuk është pa hisen e saj të përgjegjësisë. Në parahistorinë e Izraelit, ata që udhëhoqën qeverinë në pritje, përpara krijimit të shtetit, e vëzhguan Holokaustin – nga Palestina e administruar nga Britania. Qëndrimi i tyre ndaj gjashtë milionë të vrarëve dhe një milion të mbijetuarve që gjetën rrugën për në Izrael, mund të karakterizohet nga fraza që ata përdorën për të përshkruar mënyrën e vdekjes së tyre: “Shkuan si delet në thertore”. Mungesa e mëshirës ishte ngulitur në të majtën izraelite e cila – tani që është në duart e pasardhësve të ekstremit të djathtë – ka krijuar kulturën e luftës së përhershme që është supremaciste dhe autoritare ndaj palestinezëve. Një kulturë kjo që është reflektohet nga Hamasi.

Dhe, kështu, në luftën që ishte e sigurt se ka për ndodhur pas sulmeve të Hamasit, si mundet një hebre i majtë të ketë, siç duhet, mbështetje për të dy popujt, nëse familja, miqtë dhe shokët tuaj marrin anët e kundërta?

Këta dy popuj janë ngjeshur në një hapësirë të vogël të ish-Mandatit Britanik të Palestinës, me rreth shtatë milionë nga secila palë. Secili prej tyre është jashtëzakonisht i aftë për të rimarrë veten – pas gati një shekulli të konfliktit. Luftërat. Terrorizmi nga të dyja palët. Shoahu dhe Nakba. Pogromet dhe “transferimi”. Dhe, secila palë me liderët që më mirë të mos i kishte. Benjamin Netanyahu dhe Ismail Haniyeh. Luanët që udhëhiqen nga gomarët.

Që në moshë të re u zhyta në historinë e vuajtjeve shekullore të hebrenjve. Dëbimi nga Anglia më 1290, nga Spanja më 1492 – bashkë me myslimanët. Vazhdimisht, deri në shkatërrimin përfundimtar përpara se – më në fund – vendi i shenjtë u sigurua nga vendimi i OKB-së i vitit 1947 për ta ndarë Palestinën dhe për ta krijuar një strehë për të mbijetuarit e Holokaustit. Në Mbretërinë e Bashkuar, konferenca e laburistëve e kishte mbështetur këtë ndarje, veçanërisht të majtën [izraelite]. Qeveria e [Clement] Attleeit e injoroi konferencën – se disa gjëra nuk ndryshojnë. I rezistoi ndarjes, duke iu përmbajtur detyrave si autoritet mandator [në Palestinë].

Nuk e pranoj narrativën zyrtare që çuditërisht mbështetet si nga sionistët ashtu edhe nga anti-sionistët, se Izraeli u krijua për shkak të zinxhirit të ngjarjeve që rrodhën nga frymëzimi që vinte nga Theodor Herzl [autori i pamfletit Shteti i hebrenjve: Përpjekje për një zgjidhje moderne të çështjes së hebrenjve] e deri te Deklarata e Balfour-it [deklarata publike e lëshuar nga qeveria britanike në vitin 1917, gjatë Luftës së Parë Botërore, duke shpallur mbështetjen për krijimin e një “shtëpie kombëtare për popullin hebre” në Palestinë – atëherë rajon osman me popullsi të vogël të hebrenjve] dhe ndarja e [miratuar e] OKB-së. [Krijimi i Izraelit] Nxitej më shumë nga faji sesa nga parimi: askush nuk donte t’i merrte refugjatët e Holokaustit dhe zgjidhje tjetër nuk kishte. Tashti, Holokausti shpeshherë të përplaset në fytyrë nga njerëzit e të majtës, si arsye për dështimin tënd për “linjën e duhur” të Izraelit (çfarëdo që të thotë kjo), gjë që nuk është gjë e lehtë për t’u pranuar.

Në vitet 1960, e majta [britanike] mbështeti Izraelin. Në moshën 10-vjeçare, në vitin 1967 i prisja lajmet [e gazetave] për secilën ditë të luftës gjashtë-ditore. Në vitin 1973, Izraeli i zënë në befasi nga forcat egjiptiane dhe siriane në luftën e Yom Kippur-it, ishte përsëri i dobët, i mbështetur në Britani nga opozita laburiste, por jo nga qeveria e [Edward] Heathit. Fakti që Izraeli ende ishte duke u sulmuar nga fqinjët e tij – 25 vjet pasi u krijua si strehë për të mbijetuarit e Holokaustit – e paraqet bazën e simpatisë sime për hebrenjtë e Izraelit/Palestinës, për popullin, por jo domosdo për qeverinë e tyre.

Vetë historia është armë e së tashmes. Brezi im e kujton kohën kur Izraeli udhëhiqej nga e majta dhe mbështetej nga e majta diku tjetër. Brezi i fëmijëve të mi e sheh një Izrael ku nuk ka mbetur asnjë e majtë e dukshme për të folur.

Mund të mos kem besim fetar dhe nuk besoj se toka u është dhënë hebrenjve nga dikush tjetër [Zotit!] përveç OKB-së, por i shënoj të njëjtat festa që ata bëjnë dhe ha të njëjtin ushqim. Ende e ndiej afinitetin të cilin unë nuk mund ta shpjegoj.

Nuk ka zgjidhje ushtarake për këtë konflikt. Por, shtatë milionë hebrenjtë dhe shtatë milionë palestinezët nuk do të largohen. Ata kanë nevojë për liderët të cilët do të punojnë për paqen dhe që do t’i bashkojnë palestinezët dhe izraelitët. Nuk duhet të ketë asnjë rol për ata që e duan luftën e përhershme. /Telegrafi/

_____________

* Sqarimet në kllapat e mesme janë shënime të përkthyesit.