Si mund të ndikojë “deepfake” në zgjedhje? Ekspertët flasin për sigurinë kibernetike dhe manipulimin online

Kosova ka përfunduar raundin e parë të zgjedhjeve lokale, dhe në “Përballje Podcast” është diskutuar për një temë që lidhet drejtpërdrejt me proceset demokratike të vendit, deepfake dhe siguria kibernetike gjatë zgjedhjeve.
Të ftuar në episod ishin Dren Gërguri, ligjërues në Gazetari në Universitetin e Prishtinës, dhe Blerton Abazi, profesor i Sigurisë Kibernetike në UBT.
Rreziku i manipulimit digjital
Në hapje të bisedës, Dren Gërguri sqaroi se “deepfake është çdo audio apo video e gjeneruar me inteligjencë artificiale, ku mund të paraqitet dikush që thotë diçka që në fakt nuk e ka thënë”.
Ai theksoi se niveli i përsosmërisë së këtyre materialeve ka arritur në atë pikë sa “është shumë e vështirë për syrin e njeriut të dallojë nëse një video është reale apo e ndërtuar artificialisht”.
Sipas tij, ky zhvillim po e sfidon ndjeshëm gazetarinë profesionale dhe publikun në ndarjen e informacionit të saktë nga mashtrimet.
- YouTube www.youtube.com
Gërguri paralajmëroi se përdorimi i videove të manipuluara mund të ketë pasoja të rënda për perceptimin publik dhe për besimin në institucione:
“Në momentin që qytetarët nuk janë të sigurt çka është e vërtetë, krijohet një mjegull ku askush nuk di çka të besojë më. Dhe kjo është e mjaftueshme për ta cenuar procesin zgjedhor”, tha Gërguri në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin Muhamet Hajrullahu.
Ai solli edhe shembuj konkretë të përdorimit të narrativave të rreme që vijnë nga Serbia dhe Rusia, të cilat sipas tij “përdorin të njëjtat taktika propagandistike prej vitesh, duke e paraqitur Kosovën si vend në krizë, dhe përmes përsëritjes e kthejnë të pavërtetën në diçka që duket e besueshme”.
Siguria kibernetike, një çështje e demokracisë
Nga ana tjetër, profesori Blerton Abazi nënvizoi se siguria kibernetike sot nuk kufizohet vetëm në aspektin teknik.
“Kjo nuk është më vetëm çështje e rrjeteve apo e serverëve. Nëse qytetarët dyshojnë që vota e tyre mund të manipulohet përmes formave digjitale, atëherë kemi rrezik për vetë demokracinë,” tha ai.
Abazi rikujtoi rastet kur vonesat teknike në publikimin e rezultateve zgjedhore kishin krijuar terren për përhapjen e dezinformimit, duke theksuar se “mungesa e komunikimit të shpejtë institucional krijon hapësirë për panik dhe për narrativa të rreme që dëmtojnë besimin e qytetarëve”.
Ai tregoi gjithashtu se në shumë raste, problemet që paraqiten si “sulme kibernetike” janë thjesht dështime teknike apo abuzime të brendshme, por mungesa e sqarimit publik i kthen në kriza besimi.
“Një platformë e pa testuar mirë mund të dështojë dhe qytetarët e përjetojnë si manipulim. Në këto raste, transparenca është mbrojtja më e mirë.”

Inteligjenca artificiale – mundësi dhe rrezik
Të dy ekspertët u ndalën edhe te ndikimi global i inteligjencës artificiale.
Gërguri theksoi se tashmë janë shënuar raste ku “në takime online, një drejtues kompanie është zëvendësuar nga një deepfake që në kohë reale jepte urdhra dhe kryente transaksione financiare”, duke vjedhur mijëra dollarë.
“Kjo tregon se kemi hyrë në një epokë ku manipulimi nuk është vetëm çështje montazhi, por edhe i komunikimit të drejtpërdrejtë. Prandaj vetëdija dhe edukimi janë më të rëndësishme se kurrë”, theksoi ai.
Abazi shtoi se kjo “është një luftë e pafund mes ofensivës dhe mbrojtjes”:
“Sa herë që zhvillohet një mekanizëm i ri për t’i detektuar manipulimet, zhvillohet menjëherë një tjetër për t’i shmangur ato. Është një betejë e pandalshme teknologjike që kërkon reagim të vazhdueshëm institucional.”
Çfarë duhet bërë?
Në përmbyllje, të ftuarit theksuan se Kosova ka nevojë për një bashkërendim të qëndrueshëm mes institucioneve, mediave dhe sektorit privat për të ndërtuar një sistem funksional të mbrojtjes digjitale.
Abazi theksoi: “Ende nuk kemi një Agjenci të funksionalizuar të Sigurisë Kibernetike. Infrastruktura ekziston, por mungon koordinimi dhe ndërgjegjësimi. Siguria kibernetike nuk mund të jetë vetëm përgjegjësi e institucioneve – është detyrë e të gjithëve, përfshirë sektorin privat dhe vetë qytetarët.”
Ndërsa Gërguri e mbylli me rëndësinë e edukimit medial dhe të mendimit kritik:
“Sikurse mjeku që është i rëndësishëm për shëndetin, gazetari është thelbësor për shëndetin informativ të shoqërisë. Duhet të mësojmë ta verifikojmë çdo informacion përpara se ta besojmë, sidomos në kohën e inteligjencës artificiale.”
Ky është episodi i tretë i “Përballje Podcast” (Integriteti Medial dhe Demokracia në Kosovë), një seri prej tetë episodesh që synon të nxisë debat për rolin e mediave, dezinformimin dhe sfidat e besueshmërisë gjatë zgjedhjeve në Kosovë. /Telegrafi/.


















































