Të emocionuara, motrat Kardashian-Jenner i dhanë lamtumirën reality show-t “Keeping up with the Kardashians”, mirëpo kjo nuk ishte një lamtumirë nga bota e biznesit pasi të tjera projekte do të vinë së shpejti

Që prej 2007-s, rrjeti i tyre është zgjeruar aq shumë, sa përpos miliona ndjekësve, numërojnë disa biznese të suksesshme. Shumë sipërmarrje të tyre kanë xhiruar miliona dollarë dhe një nga fushat ku kanë lënë gjurmën e tyre është ajo e kozmetikës dhe operacioneve plastike.

Në një intervistë për Daily Beast, dy kirurgë plastikë treguan se karakteristikat fizike të motrave Kardashian-Jenner kanë ndryshuar industrinë e kirurgjisë plastike.

“Ekziston padyshim një Kardashianizim i të rinjve, të cilët veçanërisht kërkojnë të bëjnë ndryshime të ngjashme në lidhje me atë që Kardashians kanë bërë,” shpjegoi Dr. Anthony Youn, një kirurg plastik me bazë në Michigan.

“Shumë njerëz, edhe nëse nuk sjellin një fotografi të Kim Kardashian, ata duan të njëjtën pamje – mollëza të ngritura, vetulla të harkuara, atë pamje të syve të dhelprave ku sytë janë pak të anuar, një mjekër pak me majë dhe këndi në fytyrën e poshtme me buzë të trasha dhe hundë të ngushtë. Ekziston një tendencë e shumë mjekëve që përpiqen ta krijojnë këtë gjë sepse kjo është ajo që njerëzit duan.”

Për kirurgun plastik në Beverly Hills, Dr. Daniel Barrett, motrat kanë qenë të shkëlqyera për biznesin. “Faleminderit, familjes Kardashian!” tha ai duke qeshur.

“Faleminderit, ju detyrohem shumë. Është thjesht e mahnitshme, ka qenë një lojë ndryshuese për operacionet plastike. I ka fuqizuar njerëzit që të ndihen më mirë me trupat e tyre nëse kanë diçka që i shqetëson.”

Pavarësisht se herë i kanë mohuar (pastaj i kanë pohuar si rasti i Kylie-t), duhet t’u jepet një vlerësim Kardashians për faktin që kanë folur për ndërhyrjet. Kourtney ka thënë se dëshiron të zmadhojë gjoksin, Khloe ka folur për vendimin për të hequr mbushësit, ndërsa Kris Jenner ka dokumentuar ndërhyrjen “face-lift” në “Keeping up with the Kardashians”.

“Ato nuk kanë pranuar gjithçka, por kanë pranuar disa gjëra. Kylie pranoi se i kishte bërë buzët, gjë që është një punë e madhe. Ka kaq shumë njerëz të famshëm që nuk do ta pranonin këtë. Gjithashtu, kjo është informacioni i tyre personal mjekësor, nuk është punë e askujt, teknikisht. Por fakti që e kanë thënë, me të vërtetë, u ka bërë mirë atyre njerëzve që mbase i shikojnë dhe thonë, Oh Zot, unë kurrë nuk mund ta kem këtë trup’, dhe ata ndihen keq për këtë.” – tha Dr. Youn.

Dr. Barrett ra dakord, duke shtuar:

”Thjesht ka qenë plotësisht revolucionare, për sa i përket njerëzve që flasin për ndërhyrjet që ata kanë bërë. Pak a shumë si të thuash: ‘Po, unë kam një çantë Gucci, por gjithashtu kam bërë edhe gjoksin’. Njerëzit në të vërtetë janë krenarë dhe ata flasin për këtë. Më parë kjo nuk ka ndodhur kurrë.”

Megjithatë, Dr. Youn tha se pavarësisht faktit që Kardashians kanë ndikuar shumë mirë për biznesin, ai nuk është aq i sigurt nëse ky efekt kaq pozitiv ka qenë po njësoj pozitiv për shoqërinë në tërësi, citon Anabel.

“Nëse është dikush që është në të njëzetat e hershme apo edhe adoleshencë dhe bën procedura kirurgjikale për t’u përpjekur ta bëjë fytyrën të duket si forma Kardashian, kjo është shqetësuese. Ka kaq shumë aspekte të bukurisë, ka kaq shumë mënyra për të qenë të bukur dhe nuk ka një model për bukurinë. Ka disa etni ku ajo lloj paraqitje thjesht nuk është e mundur. Mendoj se ajo që është shqetësuese është nëse njerëzit mendojnë se ky është standardi i vetëm.”

Më vonë shtoi:

“Në fund të fundit, ajo që ndoshta kemi të bëjmë është një modë e asaj që është teknikisht e bukur. Si të gjitha trendet, do të mbarojë dhe perceptimi i njerëzve për atë që është e bukur do të ndryshojë. Problemi është, nëse bëni ndryshime kirurgjikale në fytyrën tuaj, nuk do të ndryshojnë domosdoshmërisht.”

Megjithatë Dr. Youn është akoma mirënjohës për atë që Kardashians kanë bërë për industrinë e tij, “duke ndihmuar me shumë informacion mbi kirurgjinë plastike në një mënyrë më të sinqertë sesa shumica e të njerëzve të tjerë të famshëm”.

/Telegrafi/