“Shvercerat” me ultimatum për pronarin e FC Shkupit

Pas krizës së thellë që ka përfshirë FC Shkupin dhe largimit të emrave kyç të klubit, përfshirë trajnerin Minas Osmani dhe kapitenin Suhel Muharemi, të cilët kanë bërë të ditur se për afro gjashtë muaj nuk kanë marrë pagë, situata ka kulmuar me një reagim të fortë nga tifo grupi “Shvercerat”, njofton Telegrafi.
Përmes faqes zyrtare të klubit në Facebook, e cila tashmë është marrë nën kontroll nga tifozët, “Shvercerat” i janë drejtuar publikisht pronarit të klubit, Jasin Konjali, duke e cilësuar gjendjen aktuale si të papranueshme dhe të paqëndrueshme. Sipas tyre, FC Shkupi nuk mund të vazhdojë më mes pasigurie, mungese përgjegjësie dhe heshtjeje, duke theksuar se klubi nuk është pronë personale, por një vlerë e përbashkët e komunitetit sportiv.
Kërkesa e tifozëve është e drejtpërdrejtë: dorëzimi i menjëhershëm dhe zyrtar i klubit tek “Shvercerat”, përmes të gjitha procedurave ligjore dhe administrative, pa asnjë zvarritje të mëtejshme.
Në njoftim shprehet mirënjohje e veçantë për drejtorin, stafin teknik dhe lojtarët vendas, të cilët për më shumë se gjashtë muaj kanë vazhduar të punojnë pa paga dhe pa siguri, duke mos e braktisur klubin në momentet më të vështira.
“Shvercerat” kanë vendosur edhe një ultimatum për pronarin e klubit, duke kërkuar që ai të paraqitet personalisht, të kryejë transferimin e plotë dhe të pakthyeshëm të klubit, ta regjistrojë atë në emër të tifo grupit dhe më pas të largohet përfundimisht nga çdo rol apo ndikim në FC Shkupin.
Sipas tifozëve, ky hap është i domosdoshëm për rikthimin e stabilitetit, besimit dhe shpresës, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për një reagim emocional, por për një qëndrim të qartë, të bashkuar dhe përfundimtar. E ardhmja e klubit, thuhet në fund të njoftimit, nuk mund të mbahet peng më. /Telegrafi/







































