LAJMI I FUNDIT:

Shtyhet sërish organizimi i Forumit Ekonomik Botëror

Shtyhet sërish organizimi i Forumit Ekonomik Botëror

Organizimi i Forumit Ekonomik Botëror, është shtyrë sërish nga maji për muajin gusht të këtij viti, për shkak të atyre që janë konsideruar “sfida për luftim të pandemisë COVID-19”.

Forumi me bazë në Gjenevë, ka shtyrë edhe më herët datat e organizimit për këtë vit.


“Ndonëse Forumi Ekonomik Botëror dhe Qeveria e Singaporit vazhdojnë të ndjekin rregullat për të siguruar takime të sigurta dhe efektive dhe shkalla e përhapjes së Coronavirusit në Singapor vazhdon të jetë në nivele të përballueshme, ndryshimet e kohës së takimit reflektojnë sfidat ndërkombëtare në luftim të pandemisë”, thuhet në deklaratë.

Po ashtu, sipas njoftimit, kufizimet botërore në udhëtime e kanë bërë të vështirë planifikimin me prezencë fizike në pjesën e parë të vitit, meqë rregullat e ndryshme të karantinës kanë shtuar kohën që duhet të kalohet për t’u organizuar takimet.

Ministria për Tregti dhe Industri e Singaporit, ka thënë se qeveria ka kuptuar sfidat me të cilat përballet Forumi dhe është pajtuar për shtyrje të organizimit.

Takimi vjetor i këtij Forumi zakonisht zhvillohet në muajin janar, në Davos të Zvicrës, mirëpo pandemia e ka bërë të pamundshme një gjë të tillë këtë vit. /REL/