Shtëpia e Zooey Deschanel dhe bashkëshortit të saj mahniti të gjithë – çdo detaj duket si në film

Zooey Deschanel dhe Jonathan Scott i kanë hapur dyert e shtëpisë së tyre të re në Nju Jork, të cilin e kanë rinovuar nga themeli në bashkëpunim me dizajneren e interierit Young Huh
Edhe pse banesa e tyre kryesore ndodhet në Los Angeles, në lagjen Brentwood, ku jetojnë me dy fëmijët e saj, Elsie dhe Charlie, ky apartament në Nju Jork është konceptuar si një bazë qytetare për qëndrime të shkurtra dhe pritje miqsh.
Si të bëhet maksimalizmi elegant
Shtëpinë e tyre në Los Angeles çifti e kishte rinovuar vetë, por për projektin në Nju Jork vendosën të bashkëpunojnë me dizajneren Huh, e njohur për interieret e saj plot ngjyra, por të menduara me kujdes.
Jonathan Scott, sipërmarrës ndërtimi dhe prezantues i emisionit Property Brothers, u mor me pjesën teknike dhe konstruktive, ndërsa Huh drejtoi aspektin estetik, nga përzgjedhja e ngjyrave dhe tapeteve deri te ndriçimi dhe mobilimi. Rezultati është një hapësirë që ndërthur arkitekturën klasike me tekstura të pasura dhe ngjyra të ngrohta, transmeton Telegrafi.

Muret janë të mbuluara me tapete artizanale të markës House of Hackney, ndërsa hapësirat ndriçohen nga lustra Murano dhe dritare vintage, të cilat krijojnë një atmosferë të ngrohtë, pothuajse filmike.
Veçanërisht mbresëlënëse është dhoma e fëmijëve, e frymëzuar nga natyra me murale pemësh, krevate me gdhendje në formë gjetheje dhe sirtarë të fshehtë, si dhe kuzhina në nuancë baby blue, që tërheq menjëherë vëmendjen.
Shtëpia ka tre tarraca të vogla të rrethuara me bimësi, që sjellin një prekje kaliforniane në zemër të Manhatanit.

Detajet personale i japin shtëpisë shpirt
Dhoma e ndenjjes është më e thjeshtë dhe funksionale, me mobilie të integruara dhe televizor të fshehur, por me një element karakteristik: një aparat karaoke, që kujton momentin kur çifti u njoh për herë të parë gjatë xhirimeve të Carpool Karaoke në vitin 2019.
Shtëpia pasqyron në mënyrë të përkryer bashkimin e personaliteteve të tyre, ndjeshmërinë e saj për ngjyra, modele dhe stil retro, dhe precizionin e tij ndërtimor. Në fund, siç shpjegojnë vetë ata, ky apartament është një zgjatim i shtëpisë së tyre në Los Angeles, por me identitet të fortë njujorkez.
/Telegrafi/


















































