LAJMI I FUNDIT:

“Shtatë Marsin” e kemi në Mesjetë?!

“Shtatë Marsin” e kemi në Mesjetë?!
Ilustrim

Le ta kremtojmë “7 Marsin” si ditë të mësuesit shqiptar, apo 5 Tetorin si ditën botërore të mësuesit. Gëzuar edhe njëra, edhe tjetra ditë e shënuar! Ama njëra i përket fundit të shekullit XIX – vendosur në monizëm, kurse e dyta fundit të shekullit XX – vendosur nga UNESCO. Ndërkohë që “7 Marsin”, në të vërtetë, e kemi në Mesjetë, në shkollat shqipe të shekullit XVII, të paktën dy shekuj e gjysmë përpara shkollës që njihet zyrtarisht si e para! Padyshim që ka rëndësinë e vet historike shkolla e Korçës e vitit 1887, por nuk është ajo e para shkollë shqiptare! Edhe vetë Korça (si rreth) ka pasur shkollë disa dekada më të hershme se ajo.

Ky është problemi dhe kjo duhet shqiptuar fort. Jo për t’i hequr “gradat” një shkolle e për t’ia dhënë një tjetre, por vjetërsia arsimore, kulturore na nderon, na bën më të shkolluar e më të qytetëruar si komb. Korça u caktua e para më 1967, kur po ndodhte “revolucionarizmi i mëtejshëm i shkollës”.

Qe diskutuar atëherë edhe Prizreni për të qenë shkolla e parë, por nuk u përzgjodh, pasi tashmë ishte nën ish-Jugosllavi. Thënë ndryshe, shkolla e Korçës u emërua si e tillë. Shkollat e para në shekullin e XVII i kemi që nga viti 1632 në Kurbin, Velë, Pllanë etj. Për to bën fjalë dhe Kuvendi i Arbrit i vitit 1703. Këto shkolla kishin qenë edhe në qytete si Shkodra etj., por ishin tërhequr në male bashkë me selitë ipeshkvnore për të qenë të sigurta nga sulmet otomane. U ndaluam te këto si më të ndriçuara nga studimet, por shkolla ka pasur edhe disa shekuj më parë në Arbëri, Dardani etj.


Është shkruar për to plot herë, nga ne dhe të tjerë. Nuk është hera e parë që “7 Marsi” kërkohet që në kohën e Formulës së Pagëzimit, librat e parë shqip, pse jo dhe në shekullin XIV, kur flitet për Universitetin e Durrësit! Por, nuk është qëllimi ynë historia, atë e shkruajnë historianët. Kurse politikanët vendosin se çka është historike dhe çka jo, pasi ata kanë vulat dhe dekretet e shtetit!?

Siç vulosën 7 Marsin më 1967! Kuptohet, udhëheqja komuniste nuk mund të shkonte përtej Rilindjes në këtë gjë, pasi nuk ishte i saj “petku” fetar dhe shkollat e Mesjetës ishin për ta “shkolla fetare”, i kishin hapur priftërinjtë katolikë dhe dioqezat. Kemi këtu një nga paradokset më të mëdha të historisë sonë. Pranojmë letërsinë e vjetër shqipe të Buzukut, Budit, Bardhit, Bogdanit, Lekë Matrangës, Jul Varibobës etj., por jo dhe shkollat e hapura nga sivëllezërit e tyre priftërinj katolikë të ritit perëndimor dhe atij lindor, ku flitej dhe shkruhej shqip, kryesisht në veri, por edhe në Dhërmi etj.

Nuk habitemi për atëherë, por për sot! Na ka mbetur ora te 1967-a, edhe pse tashmë në demokraci “shkollat fetare” na i konkurrojnë jo rrallë ato publike, d.m.th., shtetërore … Gëzuar 7 Marsin sot! Gëzuar dhe 5 Tetorin kur të vijë! Por, kjo asnjëherë nuk do ta pengojë ndërgjegjen intelektuale ta kërkojë “7 Marsin” në mesjetë, atje ku janë themelet e pandërruara të ABC-së, shkrimit, gjuhës dhe letërsisë shqipe …

Në trend

Më shumë

"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë

Magazina
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
Fejohet Majk, publikon fotografi nga propozimi që i bëri partneres

Fejohet Majk, publikon fotografi nga propozimi që i bëri partneres

Magazina
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës

Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës

Azia
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Drejtësi
Edhe një problem për Trumpin, policia konfirmon dyshimet për sulm seksual të kandidatit për Sekretar të Mbrojtjes

Edhe një problem për Trumpin, policia konfirmon dyshimet për sulm seksual të kandidatit për Sekretar të Mbrojtjes

Amerika
Kalo në kategori