Klinika e Onkologjisë ka furnizim stabil me barna e citostatikë dhe përmbush 80 për qind të kërkesave.

Kështu bëri të ditur Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës (ShSKUK), derisa shtoi se po punohet me angazhim të plotë që të sigurohet edhe pjesa tjetër.

Po ashtu, thuhet se Shërbimi i Radioterapisë në Klinikën e Onkologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), është plotësisht funksional.

“Aktualisht, kësaj procedure i nënshtrohen më shumë se 90 pacientë, kurse pacientët që janë në pritje, trajtohen sipas listës së planifikuar nga mjekët onkologë”, thuhet në komunikatën për media.

Tutje, ShSKUK bën të ditur se menaxhmenti i emëruar së fundmi, është duke punuar intensivisht për të hartuar protokollet unike, në bazë të të cilave do të bëhet trajtimi.

Reklama
Reklama

“Përshkrimi i terapisë ndërkaq, do të bëhet vetëm përmes konsiliumeve mjekësore, që janë kompetente për përshkrim të terapisë onkologjike”, thuhet tutje. /Telegrafi/