Shqiptarët kanë det, por nuk kanë para as për detin e tyre! (Video)

Të sapo kthyer nga plazhi, ata tregojnë se bregdeti shqiptar është shumë i bukur, por akoma shteti nuk ka vënë dorë për të standardizuar çmimet dhe kushtet, duke e lejuar sektorin privatin të abuzojë në çdo shërbim që ofron për turistët vendas dhe ata të huaj.
"Kam qenë në Himarë këtë verë me familjen. Çmimet, për të mos gënjyer, akoma nuk janë stabilizuar. Mesatarisht kemi harxhuar 60 euro në ditë, për dy persona. Kushtet janë të mira se janë private, por ushqimet akoma nuk janë stabilizuar. Për kontrollin e tyre shteti duhet të vërë dorë, ashtu si e gjithë bota”, tha një burrë, ndërsa një tjetër zonjë shton: "Kam qenë në Greqi me familjen. Aty çmimet ishin mirë, të arsyeshme”.
Duket e pabesueshme, por ka edhe nga ata qytetarë që nuk kanë bërë asnjëherë pushime pasi nuk kanë pasur mundësi ekonomike. Më e pakta që kanë bërë, kanë qenë deri në Durrës apo kanë vizituar miqtë dhe të afërmit e tyre.
"Nuk kam bërë pushime, se krizë e madhe. As vitet e tjera nuk kam qenë”, thotë një nënë e re rreth të 30-ave, ndërsa një tjetër zonjë shton: "Duhen kushte të shkosh në plazh. Po nuk i pate, me çfarë do shkosh. As në Durrës dhe në asnjë vend tjetër”.
Një tjetër qytetar thotë se nuk ka pasur mundësi të shkojë më larg se Durrësi, ndërsa jashtë shtetit as që bëhet fjalë.
Por, nëse për familjarët të bësh dy javë pushime është e vështirë, për të mos thënë e pamundur, të rinjtë janë ata që kanë më pak detyrime dhe e gjejnë mundësinë të shkojnë disa ditë në plazh.
Ajo çka të bën përshtypje, ndërsa bisedon me njerëzit, është kursimi i tyre në çdo drejtim, duke nisur që nga reduktimi i ditëve të pushimit, e deri te shmangia e çdo 'luksi': si marrja me qira e një garsoniere në vend të një apartamenti, apo gatimi në shtëpi dhe jo në restorant. /Telegrafi/












































