LAJMI I FUNDIT:

Shqipëria nuk është vend i kampionëve

Shqipëria nuk është vend i kampionëve

Mira Kazhani

Monika ka nisur të punojë si instruktore prej pak ditësh në palestrën ku ushtrohet (më vonë mësova se Klodiana Shala e kish takuar rastësisht në kodrat e liqenit dhe pas 24 orëve i kishte ofruar punë në palestrën që ajo drejton).


Njohja me historinë e Monika Bakllavasë nis kështu: Ndërsa i tregoja patakt se sa shumë adhuroja instruktorin tim, dikush nga një cep foli: Instruktori yt është pionier i asaj gruas që ti po flet. Monika ka qenë kampione!

U mpaka, po nuk e dhashë veten dhe nisa ta pyes se çfarë e kishte sjellë një kampione instruktore amatorësh si puna ime, në një palestër të qytetit: Papunësia!

Monika prej tre vitesh ishte e papunë. Dhe jo për herë të parë në jetë. Kjo kishte ndodhur rëndom. Madje ajo nuk i kishte thënë jo punës në një fshat 50 kilometra larg Tiranës, në kohën kur i ndriste ylli i suksesit. Në vitin 2004, kur ishte kampione në atletike, instruktorja ime sot, sorollatej premtimeve boshe dhe dyerve që i mbylleshin, në pamundësi të mikut. Në atë kohë kampionia mezi kishte gjetur një vend pune në fshat dhe qe gëzuar, se sa pa gjë.

E qetë, me disiplinën e një atleteje teksa demonstron ushtrimet (që mund të heqin një vijë dhjami në barkun tim të mallkuar), tregon se trofetë nuk i kishin shërbyer për gjë. Sporti veç pasionit dhe një trupi si flutur (sot e kësaj dite) i kish dhënë një jetë plot mundime.

Doja ta pyesja në kish qarë ndonjëherë në këtë udhëtim (mjaft të mendosh se sa e vështirë ishte me të ardhurat vetëm të bashkëshortit, edhe ai mësues i edukimit fizik, dhe një vajzë 11-vjeçare në mes të Tiranës). Kampionia i përgjigjej pyetjeve të mia pa drama dhe vazhdimisht kthehej tek ushtrimet që duhet të kryeja. Gjatë gjithë asaj seance stërvitore zhvendosa Monikën në një jetë paralele, më saktë në jetën që duhet të ketë një kampion:

“Monika ka një vilë në Lalz. E ka në vijën e parë me pamje nga deti dhe të gjithë e duan kampionen sa herë që parkon Rangë Roverin e saj. Në mbrëmje ftojnë shumë miq për skarë dhe tregojnë histori. Këto ditë po ndjekin me nostalgji Lojërat Olimpike. Majlinda Kelmendi i ka veshur me ar zemrat e sportistëve në verandën me shumë trëndafilë, palma dhe pemë bananeje. Monika është një koleksioniste çantash Chanel. Ka të gjitha shapkat Hermes të mundshme. Por, vishet edhe me Zara e HM dhe Addidas. Zakonisht është sportive, por në mbrëmjet Glamur në qytet ajo shfaqet më elegante nga të gjithë. Fundja edhe një fustan i zi, krejt i thjeshtë, asaj thonë i rri mirë. E bija studion në një kolegj privat.

Vetë ajo ka vite që nuk jep intervista. Po shijon familjen pas shumë suksesesh të mbledhura me djersë. Kryeministri para disa kohësh i kërkoi kontribut për në Lojërat Olimpike, por një tekë e minutës së fundit e bëri të kthejë mendje. Fundja, kështu janë kampionët dheë të talentuarit. Ndonjëherë kapriciozë”.

Por, cila është Monika e vërtetë?

Monika ishte deri dje një kampione e papunë, e pashpërblyer, e dërrmuar në një Shqipëri të padrejtë. Ky vend nuk ka vend për kampionë. Dhe, as që i duhen kampionët. Ky kaos që quhet shtet, në modë ka politikanët dhe më të duartrokiturit janë ata që ua hedhin të gjithëve. Sistemi i kopilit fiton në çdo tavolinë e kafene. Titrat, revistat, gazetat, televizionet lajm të parë kanë një nga vatha e “kopilit” (term që tregon se dikush është i zoti). Këtu i talentuari, heroi dhe kampioni mbeten pa pretendime, pa vëmendje publike, të papunë, të pajetë. Ata mund të humbasin çdo lloj privilegji, çdo të drejtë, edhe fuqinë për të pasur një jetë normale.

Shqipëria po vetëvritet çdo ditë nga shurdhëria e ndërgjegjes që është instaluar kudo, në qytetar, pemë, zogj e ajër.

Nuk ka amerikan që na shpëton. Bari i keq e ka helmuar edhe atë pjesë të vendit jeshile e të freskët. Mund të numërohen me gishtat e dorës ata që janë pasuruar nga talenti dhe puna e ndershme në këtë copë toke që lindim, dashurojmë, bëjmë ëndrra, numërojmë yje dhe pastaj vdesim.

Do doja një ligj, fletushkë, a qytet të vogël edhe fshat turistik po të doni i thirrim, që t’jua lëmë kampionëve, të talentuarve. A mund t’ju gjejmë një copë tokë njerëzve të ndershëm e të talentuar në Shqipëri? Slogani i Lojërave Olimpike këtë vit është gjithpërfshirja, sidomos e të vegjëlve, aty ku më e mira e botës në xhudo ishte çika e Kosovës, i një vendi delikat e të vogël. Po çfarë janë vendet tona të vogla?! Luginë ujqërish padyshim.

Dhe, kot që pyes: A ka diçka, një nen të vogëlth në Reformën për Drejtësi që i sjell Monikës dhe gjithë të tjerëve jetën që u takon. Asnjë!

Këtë lexova në sytë e kampiones. Ajo i qe dorëzuar fatit, si qeni të zotit!

Po jetojmë vendin e zengjinëve injorantë që me një saktësi ore zvicerane po ia dalin t’i bëjnë edhe trashëgimtarët e vegjël si vetja. Ata si një ushtri e vogël, sekrete, po bëhen gati për t’i blerë të gjitha nga fillimi. Për ta shkatërruar edhe njëherë si përherë, këtë Shqipëri që mban erë!

Në trend

Më shumë
Besnik Berisha: Enver Sekiraqa nuk është arratisur

Besnik Berisha: Enver Sekiraqa nuk është arratisur

Lajme
Aeroplani “i rrëzuar” i presidentit të Iranit, thuhet se tanimë ka pasur një kontakt me pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit

Aeroplani “i rrëzuar” i presidentit të Iranit, thuhet se tanimë ka pasur një kontakt me pasagjerët dhe anëtarët e ekuipazhit

Botë
Fajde nga zyrtari policor - rrëfimi i viktimës se si e humbi pronën

Fajde nga zyrtari policor - rrëfimi i viktimës se si e humbi pronën

Drejtësi
Dy gra u martuan te Bashkia e Tiranës, Malaj: Kundër veprimeve që e tejkalojnë ligjin

Dy gra u martuan te Bashkia e Tiranës, Malaj: Kundër veprimeve që e tejkalojnë ligjin

Lajme
Tyson Fury i bëri një premtim befasues Oleksandr Usykut me të përfunduar dueli

Tyson Fury i bëri një premtim befasues Oleksandr Usykut me të përfunduar dueli

Boks
Vëllain e Kylian Mbappes e pyesin tifozët

Vëllain e Kylian Mbappes e pyesin tifozët "a do transferohesh te Real Madridi?" - francezi i talentuar i lë të shtangur

La Liga
Kalo në kategori