LAJMI I FUNDIT:

Shqipëria do të përfitojë 60 milionë euro në vit nga rruga Durrës-Kukës-Morinë

Shqipëria do të përfitojë 60 milionë euro në vit nga rruga Durrës-Kukës-Morinë

Nga rruga Durrës-Kukës-Morinë, ekonomia e Shqipërisë do të përfitojë rreth 60 milionë euro të ardhura vjetore. Sipas ministrit të Mbrojtjes, Gazmend Oketa, rruga ka marrë një pjesë të madhe të buxhetit të shtetit dhe është përparësi në nivel kombëtar.

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Gazmend Oketa thotë se madhështia e rrugës mbarëkombëtare Durrës-Kukës-Morinë rrit shumë vëmendjen në objektivat dhe angazhimet e qeverisë së kryeministrit Sali Berisha.

Në një bisedë me radion tonë zoti Oketa theksoi se rruga Durrës-Kukës-Morinë ka thithur një pjesë të madhe të fondeve të buxhetit shtesë. Sipas ministrit, megjithëkëtë qeveria i ka shpërndarë investimet në infrastrukturë në mënyrë të baraspeshuar.

“Investimet kryesore me të drejtë shkojnë në rrugën Durrës-Kukës, por dhe në akse të tjera në infrastrukturë investohet. Madhështia e rrugës Durrës-Kukës-Morinë tërheq vëmendjen, siç tërheq edhe pjesën më të madhe të buxhetit. Ky është projekt madhor, i cili ka bërë që një pjesë e mirë e investimeve të qeverisë të përqendrohen aty, sepse kjo do të jetë një rrugë, e cila do t’i sjellë rreth 60 milionë euro të ardhura ekonomisë shqiptare në vit”, tha ministri Oketa.


Ministri i Mbrojtjes tha gjithashtu se investimet janë të prekshme edhe në sektorë të tjerë, jo vetëm në infrastrukturë. Zoti Oketa përmendi ndërtimin e ujësjellësve, kanalizimeve apo shkollave si dhe rritjen e pagave dhe pensioneve.(RTK Live)