Anëtari i PDK-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilir Gashi, ka shprehur shqetësim lidhur me parregullsi serioze të evidentuara në vendvotimin 2207/01, në fshatin Belinc, Komuna e Shtimes.

Sipas tij, të dhënat e paraqitura tregojnë indikacione të qarta për shkelje të rëndë të procesit zgjedhor, duke përfshirë dyshimet për përdorimin e metodës së njohur si “Treni Bullgar”, gjetjen e një fletëvotimi fals dhe mungesën e fletëvotimit origjinal. Këto elemente sipas Gashit paraqesin dyshime serioze për kryerjen e veprave penale që cenojnë integritetin e zgjedhjeve, përcjell Telegrafi.




Ai ka bërë thirrje që Policia e Kosovës, Prokuroria dhe institucionet e tjera hetimore të ndërmarrin një hetim të menjëhershëm, të plotë dhe të paanshëm, për të garantuar transparencën dhe përgjegjësinë institucionale.

“Ky rast nuk guxon të mbetet në heshtje dhe pa pasoja ligjore, sepse çdo veprim që cenon vullnetin e qytetarëve përbën rrezik serioz për procesin demokratik në vend. Çdo kërkesë më pas e subjekteve politike, pavarësisht përkatësisë, do të jetë legjitime dhe e arsyeshme, pasi vullneti i popullit duhet mbrojtur dhe respektuar në çdo rrethanë”, ka deklaruar Gashi.

Ai ka theksuar gjithashtu se KQZ dhe të gjitha institucionet përgjegjëse duhet të sigurojnë që procesi zgjedhor të jetë i ndershëm, transparent dhe i mbrojtur nga çdo formë manipulimi. /Telegrafi/