Sulmuesi i ri, Erjon Gashi, ka bërë hapin e radhës në karrierën e tij duke u transferuar te NK Kamen Ivanbegovina.

Futbollisti i talentuar, i lindur më 23 nëntor 2007, kalon nga Vëllaznimi, ku u dallua me paraqitje shumë të mira në kategoritë e të rinjve, duke bërë hap edhe tek ekipi i parë.


Gashi konsiderohet një nga sulmuesit më premtues të brezit të tij në Kosovë. Ai pati statistika mbresëlënëse në ekipet e reja të Vëllaznimit, duke shënuar 25 gola në 16 ndeshje me U17, ndërsa me ekipin U19 realizoi 18 gola në 23 paraqitje, duke u vendosur ndër golashënuesit më efikas të kategorive të reja.

Performancat e tij nuk kanë kaluar pa u vënë re edhe jashtë Kosovës. Sulmuesi i ri ka qenë më parë në provë te gjiganti kroat HNK Hajduk Split, një sinjal i qartë i potencialit që ai posedon.

Kalimi te Kamen shihet si një hap i rëndësishëm në zhvillimin e tij, pasi ai pritet të marrë më shumë minuta në futbollin e të rriturve.

Kjo do t’i mundësojë stafit të trajnerëve të Hajdukut ta ndjekë nga afër progresin e tij dhe të vlerësojë mundësinë e një hapi të ardhshëm drejt niveleve më të larta. /Telegrafi/

telegrafi sport app