Vetëvendosje kishte pretenduar se Dumoshi ishte në konflikt interesi kur ishte votuar për shkarkimin dhe më pas emërimin e anëtarëve të Komisioneve të Ndërmarrjeve Publike.

Shikoni vendimin e Agjencisë AntiKorrupsion që nuk ka konflikt interesi, duke klikuar KËTU.


Lexjeni postimin e plotë të Vlora Dumoshit:

Populli thotë “Rrena i ka këmbët e shkurtra”. Por, në fakt, gënjeshtrat e Shpend Ahmetit e të Dardan Sejdiut i kishin pasur këmbët e gjata.

U deshtë të kaloj një kohe mjaftë e gjatë, për ta marrë sot vendimin e Agjencisë kundër Korrupsionit, se i hedh poshtë, si të pa bazë sulmet e tyre, kinse unë kam pasur konflikt interesi si këshilltare e Komunës së Prishtinës.

Një Kryetar i Kryeqytetit, i cili i mori si i mori votat për të qeverisur me Prishtinën, një kohë të gjatë u mor me akuza të pavërteta e denigrime personale e familjare të nivelit më të ulët.

Në përgjigjen e Agjencisë kundër Korrupsionit vërtetohet se nuk ka asnjë të vërtetë në akuzat e drejtuara ndaj meje nga këta dy (pa) përgjegjës të Komunës së Prishtinës.

Për fat të keq për një kohë të humbur por sigurisht për të mirën e ardhshme, çdo ditë e më tepër qytetari i Prishtinës po e vërteton se, Kryetari aktual i Prishtinës dhe kabineti i tij qeverisës, dështimet spektakulare në çdo fushë të jetës në kryeqytet, po mundohen t’i fshehin përmes akuzave të paskurpullta dhe cenimit denigrues të integritetit familjar e personal të përfaqësuesve legjitim të qytetarëve.

Jam shumë e bindur se, Prishtina më së paku e meriton që ta udhëheqin të tillët.