LAJMI I FUNDIT:

Shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve në Shqipëri

Shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve në Shqipëri

Pothuajse një muaj nga mbajtja e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, KQZ ka shpallur rezultatin përfundimtar të tyre. 4 anëtarë të KQZ votuan pro ndërsa 1 kundër. Vota kundër ishte ajo e kryetarit Klement Zguri.

Pak para shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve, kryetari i KQZ, Klement Zguri shpjegoi votën kundër në këtë votim përfundimtar për procesin e 30 qershorit.


Klement Zguri u shpreh se zgjedhjet u shoqëruan me një konflikt të madh politik, i cili sipas tij do të vazhdojë dhe më tej.

Kreu i Komisionit të Zgjedhjeve kritikoi dhe punën e KQZ gjatë këtij procesi, e cila, sipas tij kishte një performancë të dobët dhe disa vendime i mori të njëanshme dhe në arbitraritet

“Këto zgjedhje janë shoqëruar nga një konflikt i madh politik. Mosmarrëveshjet do të vazhdojnë dhe pasi të miratojmë rezultatin e procesit zgjedhor. Besoj se konflikti do të vazhdojë dhe me gjatë. Përmes votës tonë kemi vënë dhe një notë për sjelljen e KQZ dhe performancës së saj. Besoj se KQZ mes transparencës dhe kamuflimit, ndërmjet neutralitetit dhe njëanshmërisë, ligjshmërisë dhe arbitraritetit,  për fat të keq KQZ zgjodhi të dytën. Vota për këtë proces sigurisht që ngelet votë dhe për KQZ, me keqardhje them që për shkak të një performancës e kam të pamundur të japë një notë kaluese. Do të votoj kundër. Dua që kjo performancë të mos kthehet në standard pune në të ardhmen”, u shpreh Klement Zguri në mbledhjen për shpalljen e rezultatit.

Mbledhja për shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve lokale u thërrit nga zv/kryetari Denar Biba dhe anëtarët Bledar Skënderi, Edlira Jorgaqi dhe Rezarta Bitri.