Kur gjendesh përpara tablove të artistes Shkurta Haxhiu, duket sikur koha ka ndalur, ndërsa reminishencat shfaqen sakaq si copëza të formësuara mjeshtërisht në artin pamor. Plot ngjyra e kontraste me histori betejash e paqeje të përkohshme, jo vetëm si cytje e frymëzime spontane, por si zgjedhje të shkëputura nga histori personale me dhimbje e dashuri sublime. Ajo nuk është piktore sociale, por është realiteti social i transformuar në maksimumin e një shprehjeje artistike që ajo e përmbush
Artistja nuk ndjehet dhe aq rehat brenda ‘botës’ që krijon, më saktë asaj që kërkon të krijojë. Jeta e saj është plot të papritura. Në zyrën e shoqatës së saj “Heroinat”, të cilën e cilëson si simbol i femrave me një forcë të pamposhtur, çdo ditë trokasin njerëz të mundur nga shqetësime, vështirësi dhe paaftësi për t’u përballur me problemet dhe me kaq shumë gjëra që u mungojnë në jetë. Për Shkurten probleme të tilla janë të kapërcyeshme.
Shkurta në këtë intervistë sjell më afër jetën e personave me aftësi të kufizuar dhe vë në dukje mendimet, ndjenjat dhe luftën e tyre. Kjo është historia e saj…
Krahas grafikës e pikturës, dihet që je e angazhuar në aktivitete me persona me aftësi të kufizuara. Me çfarë ideje filloi e gjitha, si u zhvillua misioni juaj?
Arsyeja kryesore e fillimit të ndihmës ndaj personave me aftësi të kufizuar, ishte gjendja shëndetësore e vëllait tim, që është tash e 29 vjet në karrocë. Gjithashtu, motivimi im personal për të punuar në shoqatë ishte, para së gjithash, njohja dhe puna me njerëz që kanë disa vështirësi në zhvillim. Puna në një mjedis të tillë ishte, mbi të gjitha, një përpjekje e mundimshme. Duke i shtyrë kufijtë e mi, kam shtyrë edhe kufijtë e të tjerëve.
Jam e motivuar sa herë që shoh progres, nga një ndryshim në sjelljen e disa nevojtarëve të paplotësuar deri te pjesëmarrja aktive në pothuajse të gjitha aktivitetet dhe sfidat që përballen. Çdo ndryshim për mirë është një motiv i madh për mua që të vazhdoj përpara.
Mënyra më e mirë për ta argumentuar këtë është duke treguar shembullin personal, sepse jeta na e ka mësuar këtë. Respekti për punë tonë na jep motiv, vullnet dhe ambicie.
Dihet se puna juaj vullnetare kërkon një durim dhe humanizëm të pashoq. Çdo ditë, keni kontakte të shpeshta me këtë komunitet. Cilat janë brengat e tyre kryesore dhe çka i bën ata pesimistë për të ardhmen e vet?
Cilësia e jetës së personave me nevoja të veçanta varet nga të gjithë ne, nga marrëdhëniet adekuate familjare, megjithëse procesi i përshtatjes, pranimit dhe të jetuarit me aftësi të kufizuara nuk është aspak i lehtë apo i shpejtë. Duhet kohë, forcë, vullnet, optimizëm, këmbëngulje dhe besim. Duhet të pranosh diagnozën, të jetosh me qëndrimet dhe reagimet e ndryshme të mjedisit, të gjesh forcën çdo ditë për proceset kërkuese të rehabilitimit dhe trajtimit dhe të vazhdosh të jesh prind i fëmijëve të tjerë, bashkëshort, punonjës, mik… sepse, asgjë nuk mund ta evitojë atë që fati të ka përcaktuar.
Çfarë pengesash hasni dhe si i përballoni paragjykimet në mjedisin tuaj?
Është e natyrshme që njerëzit reagojnë ndryshe ndaj diversitetit. Njerëzit duhet të lejohen të shprehin mendimin e tyre, pastaj të shpjegohen nëse kanë një perceptim të gabuar për diçka. Shpesh këto paragjykime ndodhin në mënyrë pasive dhe jo qëllimisht. Komunikimi është çelësi në luftën kundër qëndrimeve të pambështetura. Të pranosh ndryshimin, do të thotë të mësosh. Askush nuk duhet të mbyllë sytë para problemit, të ketë turp për veten dhe pamjen e tij. Jetojmë në një kohë kur çdo person, nëse do, mund të kontribuojë në komunitet, qoftë edhe në një mënyrë që me sjelljen e tij të largojë paragjykimet.
Cilat janë sukseset më të mëdha që ka arritur shoqata në punën e deritanishme dhe çfarë dëshironi të arrini akoma?
Projekti i parë që keni realizuar është Kolonia ndërkombëtare e cila është mbajtur në Bogë, Rugovë. Si projekt (“Të gjithë jemi të barabartë”) është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe Hotel Magra. Në këtë aktivitet gjashtë ditor është mbajtur ekspozita kolektive me punimet e personave me aftësi të kufizuara. Projektin tjetër me murale (“Mbrojtja e fëmijëve me nevoja të veçanta”), në bashkëpunim me Handikos, e kemi realizuar në katër komuna të ndryshme, Prishtinë, Ferizaj, Gjakovë, Mitrovicë. Në kuadër të Shoqatës janë shitur pikturat dhe grafikat e mia individuale, ndërsa mjetet janë dhuruar për personat me nevoja të veçanta. Për “SOS Fshatrat e fëmijëve”, kam dhuruar 53 grafika, donacion, për fëmijët e braktisur. Ndërsa këtyre ditëve kemi mbajtur edicionin e dytë të Kolonisë artistike në zyrat e shoqatës. Gjatë kësaj periudhe kam filluar bashkëpunimin me donatorë të jashtëm, me pajisje të ndryshme, si karroca, shëtitore, paterica, shëtitore dhe pajisje tjera të shumta ortopedike. Kam pranuar donacione nga Norvegjia, Zvicra, Halil Kastrati dhe Gjermania. Gjithashtu, kam pranuar edhe shumë donacione individuale nga vendorët. Vullnetarisht jam përkujdesur për individë të ndryshëm, madje edhe me muaj të tërë; kam bashkëjetuar dhe përkujdesur për ata, për çdo gjë. Poashtu, kam kryer edhe shërbime imediate për këtë kategori, si psh., zgjidhja e problemeve familjare.
Çfarë do të thotë për ju puna humanitare, sa ju plotëson dhe a ju rëndon ndonjëherë?
Kur e vizitoj dhe ndihmoj një familjar në nevojë, ndërsa shoh një buzëqeshje në fytyrën e tij, e kuptoj se duhej të ishte marrë me punë humanitare edhe më herët, brenda kufijve të mundësive. Një gjë e tillë nuk ka qenë kurrë barrë për mua, përkundrazi më mbush dhe më plotëson çdo ditë. Kënaqësia që më jep marrëdhënia me të tjerët është po aq e natyrshme sa edhe ajri që thithim.
Unë kam shumë dashuri por edhe shumë respekt për përpjekjet e tyre për t’u përballur me jetën dhe kjo më jep forcë për të qenë edhe unë më e aftë për të kapërcyer sfidat e jetës me vështirësitë e saj.
Si e shohin njerëzit këtë aktivitet dhe cila është përgjigjja e donatorëve ndaj veprimeve tuaja?
Ne nuk kemi ndihmë të përhershme financiare, kështu që, për fat të keq, nuk mund t’i përgjigjemi gjithmonë thirrjes për të ndihmuar dikë. Njerëzit në përgjithësi plotësojnë veprat e qëllimet e përbashkëta, por shumë janë gjithashtu skeptikë dhe kërkojnë sqarime shtesë, sepse janë mashtruar vazhdimisht nga organizata dhe individë. Prandaj jam shumë e kujdesshme dhe rregullisht informoj vullnetmirët përmes raporteve se ku kanë shkuar donacionet e tyre. Kësisoj, shumë herë marr mesazhe nga ata se shoqata “Heroinat” është me të vërtetë dritarja e tyre drejt botës dhe jam shumë e lumtur për këtë fakt.
Dua t’i falënderoj të gjithë ata që e mbajnë të gjallë këtë përkushtim dhe me vullnetarizmin e tyre na kanë ndihmuar dhe padyshim partnerin e tashëm gjerman, shtyllën e Shoqatës, Z. Georg Winkler, i cili në vazhdimësi ka dhënë dhe po ndihmon që Shoqata jonë të zhvillohet dhe të zgjerohet. Ashtu sikundër dua t’i falënderoj të gjithë prindërit e familjarët që me praninë e tyre, me kujdesin e tyre, por edhe me bashkëpunimin, janë një vlerë e shtuar që na ndihmon shumë të kuptojmë se çfarë mund të bëjmë më mirë.
Sa po arrini ta impononi dhe arsyetoni rëndësinë e këtij misioni në institucionet shtetërore, dhe a kanë kuptuar sa duhet rëndësinë e një angazhimi apo ende hasni pengesa?
Sfidat më të mëdha me të cilat përballemi është përkrahja e pamjaftueshme e autoriteteve në lidhje me shërbimet e nevojshme për “Heroinat”-në, mungesa e burimeve financiare, e burimeve njerëzore, punën e të cilëve nuk mund ta paguajmë në mënyrë adekuate.
Institucionet, duhet të merren më shumë me ofrimin e shërbimeve, mbulimin e pajisjeve, rehabilitimin, e në veçanti në zbatimin e legjislacionit aktual, i cili kërkon një urgjencë.
Shpresoj që politikbërësit të ecin sado pak në “rrugën time” duke mbathur “këpucët e mia” e të kuptojnë sa influencuese janë kujtimet e lëna mbrapa…
Cilat janë sfidat më të mëdha me të cilat përballeni?
Fatkeqësisht, ne jemi akoma një shoqëri që s’jemi plotësisht e hapur ndaj personave me paaftësi fizike. Pasiviteti dhe aktivizimi i pamjaftueshëm, si dhe rezistenca ndaj pritshmërive sociale me luftën e përditshme për t’u kuptuar seriozisht, janë sfidat me të cilat ballafaqohemi.
Deri më tani kam marrë kryesisht reagime pozitive për punën time. Ka edhe njerëz që bëjnë disa sulme në lidhje me punën e vetë Shoqatës, por besoj se kjo është vetëm për shkak të ndonjë xhelozie. Është normale që ndihma për të tjerët dhe nevojat personale të përzihen, por është e rëndësishme të dallosh motivimin e vërtetë të veprimeve të dikujt. Të gjitha kritikat, qofshin pozitive apo negative, janë gjithmonë të mirëseardhura, sepse me to mund të shihen gabimet e bëra në punë.
Pozicioni i një shoqate të tillë nuk është aspak i lehtë. Kërkon shumë mund, përpjekje dhe mbi të gjitha shumë kohë. Si arrini të harmonizoni jetën tuaj private me atë të punës?
Epo, ky aktivitet që po bëj aktualisht nuk është mjaftueshëm falënderues, por si çdo punë tjetër, sjell ulje-ngritje. Që në fillim, isha e vetëdijshme për vështirësitë, por me punën time doja të kontribuoja në përmirësimin e punës së Shoqatës dhe mendoj arritjet janë të dukshme. Ndiej kënaqësi të punoj me këtë popullatë njerëzish dhe kur shoh dikë të gëzuar dhe të buzëqeshur që vjen në përqafim krahëhapur, marr motiv dhe forcë për punë të mëtejshme dhe akoma më të suksesshme.
Mund t’ju them se është gjithnjë e më e vështirë të harmonizohen puna me jetën private. Ne kemi një detyrim të trefishtë, ndaj punës sonë, ndaj familjeve tona dhe ndaj vullnetarizmit, prandaj gjetja e një mënyre për t’u kushtuar kohë të gjithave sa u tha më sipër, është çelësi për të arritur atë ekuilibër të pakapshëm midis punës dhe jetës private.
Megjithatë, unë arrij të balancoj këtë relacion, sepse kam rreth meje njerëz të dashur që më janë një mbështetje e madhe. Dhe i qëndroj fjalës së urtë: Gjithçka është e mundur kur e dëshiron dhe ke vullnet…
Në cilat aktivitete jeni më shumë e fokusuar tani? Cilat janë planet dhe synimet më të rëndësishme që planifikoni të realizoni në të ardhmen?
Vijoj me aktivitetet e përditshme të Shoqatës, ndërsa projekti i radhës në pritje është rregullimi i banjove për personat me nevoja të veçanta, furnizimi me barna esenciale dhe projekti “Realizimi i një ëndrre”.
Me cilat kërkesa ju drejtohen më shpesh personat me aftësi të kufizuara? A janë të vërteta pretendimet se gjithnjë e më shumë ankesa lidhen me dhunën në familje dhe diskriminimin në vendin e punës?
Çdo ditë marrim shumë ankesa nga qytetarë me aftësi të kufizuara që përballen me sfida të ndryshme. Disa nga këto kërkesa mund t’i zgjidhim pothuajse menjëherë, ndërsa të tjerat i drejtojmë tek institucionet kompetente për realizimin e të drejtave të tyre. Kërkesat më të zakonshme që marrim lidhen me çështjet e punësimit dhe qasjes në punë, sepse është grupi më i rrezikuar dhe më i varfër i shoqërisë. Këta persona nuk janë të paaftë; ka punë dhe angazhime që nuk mund t’i bëjnë, por kjo do të thotë që ka punë dhe angazhime që mund t’i bëjnë. Janë komplekse dhe shumë aspekte tjera, përfshirë stigmën, kornizës ligjore dhe infrastrukturore.
Për sa u përket rasteve të diskriminimit dhe dhunës në familje, jam e mendimit se Avokati i Popullit për personat me aftësi të kufizuara do të ishte bashkëbiseduesi i duhur për këtë temë, duke qenë se ai merr ankesa të tilla, por edhe bën rekomandime.
Shumë njerëz ndihen keq kur komunikojnë me personat me aftësi të kufizuara, jo sepse kanë ndonjë mendim të keq për ta, por sepse kemi frikë se çfarëdo që të bëjmë ose të themi, sjellja jonë do të jetë e gabuar. A ka ndonjë “rregull sjelljeje” që duhet të miratojmë apo varet nga personi në person, nga situata në situatë?
Psikologët ndoshta do ta shpjegonin gjendjen e shqetësimit si frikë nga e panjohura. Rregulli bazë është – pyesni se në çfarë mënyre i përshtatet personit t’i qëndrosh pranë, t’i ndihmosh, t’i drejtohesh. Nëse personi ka vështirësi në lëvizje, në qëndrimin në këmbë dhe në përballimin e përpjekjeve, i ofroni një karrige. Nëse ai nuk ka njërën dorë, mos ngurroni të përshëndeteni me dorë. Nëse ai nuk i ka të dyja duart, përshëndetni me ndonjë gjest. Nuk është shumë këndshëm t’i bësh pyetje përballë një turme njerëzish, sepse thjesht hyn në një zonë më intime, ndaj duhet të kesh kujdes në cilin rast do të bisedoni. Shumica e njerëzve me aftësi të kufizuara nuk e kanë problem të flasin për nevojat e tyre, problemi më i madh është ndërtimi i skenarëve të ndryshëm nga mosdija.
Cili është hapi i parë që duhet të bëjmë për të ndryshuar gjendjen aktuale të qëndrimit të shoqërisë ndaj personave me aftësi të kufizuara?
Mendimi im është se hapi i parë duhet të vijë nga kjo kategori e shoqërisë dhe familja. Është e nevojshme që të lëvizim më shumë në shoqëri, të jemi shumë më të dukshëm dhe më aktivë në të gjitha segmentet – politike, pedagogjike, sociologjike, psikologjike, shkencore e të ngjashme.
Megjithatë, çfarë mund të bëjmë së bashku?
Njerëzit mund të bëjnë shumë kur bëhet fjalë për personat me aftësi të kufizuara, sepse ata vazhdojnë të mbesin të anashkaluar nga institucionet dhe shoqëria kosovare. Për ta duhet të shkruhet dhe të flitet çdo ditë. Është me rëndësi të mos marrim në shpejtësi konkluzione, sepse shumica e atyre informacioneve të cilat i dimë për personat me aftësi të kufizuara, kryesisht, janë një mit.
Është një pyetje shumë e përgjithshme, nuk mund t’u dërgojmë mesazh të gjithëve, por nëse do të flitej më hapur për këtë përmes shembujve pozitivë, efekti do të ishte më i madh dhe do të arrihej te një numër më i madh njerëzish.
Dhe krejt në fund, çfarë do t’u rekomandosh, jo vetëm personave me aftësi të kufizuara, por të gjithë neve?
Kur jemi të shëndetshëm dhe nuk jemi të vetëdijshëm se sa me fat dhe të bekuar jemi. Le të jemi të gjithë mirënjohës për këtë së bashku. Paaftësia mund t’i ndodhë kujtdo, në çdo kohë. Le të respektojmë dhe vlerësojmë dallimet. Të mos e kthejmë kokën nga ata që janë të ndryshëm, sepse jam e sigurt që të gjithë jemi në këtë botë me një mision dhe profesion. Le të inkurajojmë ndryshime për mirë, të gjithë së bashku. Nuk është e vështirë dhe sjell shumë gjëra të bukura. /Telegrafi/
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumëGjermania dhe Finlanda në alarm pasi një kabllo nënujore që lidhte dy vendet ka pasur “një ndërprerje”
Pesë fjalët e Zelenskyt për t'i shkaktuar frikë Putinit - përpara sulmeve me raketa amerikane thellë në Rusi
Rohde: Gjermania ndalon aktivitetet politike për zgjedhjet e Kosovës në territorin e saj
Kammer: Me këtë rritje Kosovës i duhen 20 vjet për të arritur te gjysma e standardit evropian
Nëse ndeshja me Rumaninë nuk sjell tri pikë: Rivalët e mundshëm të Kosovës për play-off, mes tyre edhe Shqipëria
Kosova merr fitore me shumë mund ndaj Lituanisë, tri pikë mbesin në "Fadil Vokrri"
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Gjermania dhe Finlanda në alarm pasi një kabllo nënujore që lidhte dy vendet ka pasur “një ndërprerje”
Pesë fjalët e Zelenskyt për t'i shkaktuar frikë Putinit - përpara sulmeve me raketa amerikane thellë në Rusi
Arratisje spektakolare e policit në Gjirokastër, kur mori vesh se do të arrestohej
"Jemi të lumtur dhe tani presim kundërshtarin e play-offit" - Muriqi flet pas fitores
Rohde: Gjermania kufizon aktivitetet politike për zgjedhjet e Kosovës në territorin e saj
Kammer: Me këtë rritje Kosovës i duhen 20 vjet për të arritur te gjysma e standardit evropian