Gjykata Themelore në Prishtinë i ka shpallur fajtorë dhe i ka dënuar me nga një vit burgim secilin ish-kryeministrin e vendit, Agim Çeku, dhe 9 të akuzuar të tjerë në rigjykimin e rastit “Veteranët”, ndërsa i ka liruar plotësisht nga akuzat dy të tjerë.

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe kandidati për zgjedhjet lokale në Deçan nga radhët e Iniciativës Qytetare “Demokracia” është dënuar me 1 vit burgim, në kuadër të rastit për keqpërdorime me listat e veteranëve të UÇK-së.


Në të njëjtin vendim, janë dënuar edhe nëntë persona të tjerë, përfshirë emra të njohur të skenës politike dhe ushtarake të Kosovës, si ish-kryetari i Lipjanit dhe ish-komandanti i Zonës Operative të Nerodimes, Shukri Buja, si dhe ish-komandanti i Koshares dhe ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale që nga viti 2018, të pandehurit akuzohen se kanë vepruar në kundërshtim me ligjet dhe rregulloret e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranëve, duke njohur në mënyrë të paligjshme statusin e veteranit të luftës për persona që nuk i plotësonin kriteret ligjore.

Prokuroria ka theksuar se veprimet e tyre janë bërë me qëllim përfitimi pasuror për persona të tretë, përmes shkeljes së detyrave zyrtare dhe keqpërdorimit të pozitës.

Rasti ka kaluar në disa faza gjyqësore.

Fillimisht, Gjykata Themelore i kishte shpallur të pafajshëm të akuzuarit, por pas ankesës, Gjykata e Apelit kishte kthyer çështjen në rigjykim për një vlerësim të ri të provave dhe procedurës.

Ky vendim përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm në një prej rasteve më të debatueshme që lidhet me trashëgiminë e luftës së UÇK-së dhe procesin e verifikimit të veteranëve.

Të dënuarit në këtë rast janë:

Agim Çeku

Shukri Buja

Rrustem Berisha

Sadik Halitjaha

Qelë Gashi

Ahmet Daku

Faik Fazliu

Fadil Shurdhaj

Xhavit Jashari

Të liruar nga akuza:

Nuredin Lushtaku

Smajl Elezaj

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka dalë në reagim pasi Gjkata dënoi me burg disa akterë në rastin “Veteranët”.

OVL-UÇK thotë se janë kategorikisht kundër përfshirjes në lista të personave që nuk kanë merituar statusin e veteranit të luftës.

“Mbrojtja e statusit juridik dhe moral të luftëtarëve të vërtetë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është çështje themelore dhe e panegociueshme për ne, sepse lidhet ngushtë me të drejtën historike të luftës sonë çlirimtare, me sakrificën dhe kontributin e dhënë për lirinë dhe me dinjitetin e shtetit tonë”, thuhet ndër të tjera në reagim.