LAJMI I FUNDIT:

Shkrimtari i famshëm shqiptar, që theu tabutë sociale në Australi

Shkrimtari i famshëm shqiptar, që theu tabutë sociale në Australi

Pas vdekjes, vepra e tij e njohur “Norm dhe Ahmed” është ngjitur për herë të parë në skenën shqiptare nga regjisori Armand Bora. Alex Buzo ishte i biri i Zihni Buzos, inxhinierit me famë botërore të hidroenergjetikes.

Të dëgjosh në gjuhën shqipe kumtin e dramaturgut të famshëm shqiptaro-australian, Alex Buzo, është diçka e veçantë, aq e veçantë sa dhe ai vetë nuk do të mund ta besonte dot këtë përshpirtje kaq të bukur dhe të çuditshme për të. Fatkeqësisht Alex Buzo nuk jeton më, por ky mjeshtër i fjalës skenike ne kontinentin e largët erdhi në rrënjët e origjinës së tij.


Fati e gjeti rrugën e vet fal regjisorit Armando Bora si dhe lojës të aktorëve Gert Ferra, Lulzim Zeqja e Gladiola Harizaj.

Vepra teatrale “Norm dhe Ahmed”, që u shfaq para disa ditësh në Teatrin Kombëtar, është vepra qe e futi Buzon në aradhen e shkrimtarëve më të mirë të kontinentit australian. Në gjithë sintaksën e dramës, në konversacionet dhe idiomat e përdorura, ndihet shpirti i shqiptarit të ndjeshëm. Si bir emigranti qe ishte, ndihet revolta ndaj fenomeneve te mprehta sociale, si racizmi, ksenofobia, sfidat e skajshme për integrim, hendeqet sociale që krijojmë artificialisht duke i ndarë njerëzit në qenie superiore dhe inferiore, për shkak te indoktrinimeve cinike qe akumulojmë dashur pa dashur.

Si bosht qendror i dramës mbetet dialogu midis ushtarakut në pension Norm dhe të riut pakistanez ardhur nga përtej paqësorit për një jete më të mirë. Norm dhe Ahmed janë dy personazhe krejt të ndryshëm që duken se hera-herës në shpërfaqjet e tyre e gjejnë gjuhën e përbashkët, por në situatat iluzive, të rrejshme që të intrigojnë triumfon e keqja. Mllefi dhe diabolizmi i Normit shkatërron gjithçka duke çuar në vrasjen tragjike të Ahmedit.

Klima e urrejtjes që fatkeqësisht kultivojmë, korr hera-herës vetëm viktima dhe “fajtor pa faj”. Ky sindrom i së keqes shfaqet, shumëfishohet, agravohet në kohë krizash sociale kurdoherë e kudo. Ndaj “Norm e Ahmed” e Alex Buzos mbetet aq aktuale dhe të fton të reflektosh si atëherë në 1968-n e largët kur u shfaq për herë të parë në Sidnej të Australisë.

Për këtë shfaqje regjisori Bora thotë: “Vepra ka bërë revolucion në shoqërinë australiane, sepse ka hapur debate dhe diskutime që shoqëria atëherë i mbante të mbyllura. Kemi një tekst klasik, që studiohet dhe është vënë në shumë vende të botës. Tema është mjaft aktuale, sepse sot ka konflikte të mëdha, ka mesazhe shumë të forta kjo vepër.”

Krijimtaria e Buzos vet përfshin shumë gjini letrare, drama dhe romane, skenarë filmash, artikuj, intervista në radio, si dhe përshkrime udhëtimesh. Ka dhe disa libra mbi sportin, gjuhën dhe teatrin. Është fitues i shumë çmimeve prestigjioze letrare. Vdiq në Sidnej më 16 gusht të vitit 2006 në moshën 62-vjeçare, pas një beteje gati pesëvjeçare me kancerin. /Shqiptarja/