Shkrim i botuar në “The Fortnightly Review” më 1913: Mbi historinë dhe rezistencën e shqiptarëve

Wadham Peacock studioi historinë në Universitetin e Kembrixhit dhe rreth viteve 1878-1880 punoi si sekretar personal i Konsullit të Përgjithshëm Britanik në Shkodër, Sir William Kirby Greene. Ai u përmend në vitin 1880 nga udhëtari dhe shkrimtari malazez, Spiridion Gopçeviq (1855-1936), të cilin e shoqëroi në një ngjitje në malin Maranaj dhe ku për pak sa nuk e humbi jetën në një ortek. Dhjetëvjeçari i punës së Peacockut në Shqipëri i dha, në çdo rast, njohuri të mira për vendin. Tridhjetë vjet më vonë, pak pas pavarësisë së Shqipërisë, ai botoi librin me 256 faqe, Albania: the Foundling State of Europe [Shteti i ri braktisur i Evropës, Londër, 1914], si dhe esenë në vijim (përgatitur nga: Robert Elsie). Titulli i kësaj eseje - botuar në revistën prestigjioze The Fortnightly Review, në vitin 1913 - është The “Wild Albanian” [“Shqiptari i egër”]. Titulli i këtij publikimi në shqip është i redaksisë së Telegrafit.
Nga: Wadham Peacock[1]
Përktheu: Agron Shala
Bismarcku, me shpërfilljen e tij brutale ndaj fakteve që nuk i përshtateshin, deklaroi në Kongresin e Berlinit, në vitin 1878: Nuk ka komb shqiptar. Lidhja Shqiptare [e Prizrenit - shën. i përkth.], madje pikërisht ndërsa ai fliste, dëshmoi se ai kishte gabuar; dhe tani, më shumë se tridhjetë e katër vjet më vonë, kur puna të cilën Kongresi, nga nevoja, e la të papërfunduar, duhet të ndërmerret një hap më tej drejt përfundimit të saj logjik - kombi shqiptare përbën një nga çështjet më serioze që duhet të zgjidhen nga oborret e Kombeve të Mëdha. Për fat të mirë për Evropën, marrëveshja midis Fuqive është aq e fuqishme në unanimitetin e saj, saqë Servia, i vetmi shtet ballkanik që guxoi të vepronte sipas thënies së gabuar të princit Bismarck, është detyruar të tërheqë pretendimet e veta.
Tani nuk vihet më në pikëpyetje vendimi se Shqipëria do të jetë autonome; pyetjet në vijim: Cili do të jetë statusi i princit apo sundimtarit?, Cilët do të jenë kufijtë e saktë të ardhësit të ri në rrethin evropian? dhe A do të jetë shteti i ri nën hijen e sovranitetit nominal të Sulltanit? janë thjesht çështje të detajeve që mund të zgjidhen në mënyrë paqësore nga Fuqitë. Fakti qendror dhe i rëndësishëm është që kombi shqiptar është njohur nga ndërgjegjja evropiane, dhe se civilizimi ka shpëtuar nga një Poloni e shekullit të njëzetë.
Ndërmjet shqiptarit dhe sllavit qëndrojnë shekuj të tërë me urrejtje dhe gjakmarrje. Shqiptari e sheh sllavin si pushtues dhe grabitës; sllavi e sheh shqiptarin si një person të bezdisshëm i cili, edhe pse herë pas here është mundur, gjithmonë ka refuzuar të nënshtrohet; dhe, duke pasur avantazhin e madh të zotërimit më të mirë të letërsisë, ai e ka paraqitur vazhdimisht shqiptarin e pazëshëm si hajdut dhe grabitës të fshatrave sllave. Por, nga pikëpamja historike, e vërteta është ndryshe. Duke lënë mënjanë faktin se si shqiptari ashtu edhe sllavi mund të jenë - dhe janë - hajdutë në raste të caktuara, shqiptarët dhe të afërmit e tyre kishin shekuj të tërë që ziheshin ndërmjet vete kur turmat sllave kaluan Danubin dhe i dëbuan banorët e vjetër, me numër të madh, nga fushat drejt kodrave dhe nga kodrat drejt maleve.
Midis shkëmbinjve të paarritshëm në anën perëndimore të Gadishullit Ballkanik, përballë detit Adriatik, mbetjet e popujve autoktonë të Ilirisë, Epirit, Maqedonisë dhe Thrakisë kanë rezistuar për shekuj të tërë ndaj valëve të përsëritura të keltëve, gotëve, serbëve, bullgarëve dhe turqve. Si malazezët që mbajnë pjesën veriore të maleve të tyre, shqiptarët janë mundur, kanë parë fshatrat e tyre të digjen dhe familjet e tyre të masakrohen, por kurrë nuk janë nënshtruar përfundimisht. Dallimi i vetëm është se, ndonëse shqiptarët kishin mbrojtur fortesat për shumë breza para se sllavët e Malit të Zi të vinin në jug të Danubit, ata asnjëherë nuk patën fatin, ose ndoshta mençurinë, të kishin një përfaqësues të fuqishëm letrar. Edhe Lord Byroni i anashkaloi ata në favor të grekëve, megjithëse ia njohu shqiptarit të egër, me fustanellë deri në gju, meritën që kurrë nuk ia kishte kthyer shpinën armikut dhe kurrë nuk e kishte tradhtuar mysafirin.
Është e pamundur që çlirimi i Greqisë të arrihej po të mos kishin qenë luftëtarët shqiptarë ata të cilët ofruan materialin më të mirë luftarak për kryengritjen. Admirali Miauli, Boçari, Vulgari dhe shumë heronj të tjerë të fillimit të shekullit të kaluar ishin shqiptarë, ose me prejardhje shqiptare, por greku modern jeton mbi arritjet letrare të helenëve të lashtë, ndërsa burrat e fortë të Shqipërisë, ashtu si paraardhësit e tyre që jetuan përpara Agamemnonit, janë lënë në harresë, sepse askush nuk e ka përqendruar vëmendjen e Evropës mbi ta.
Byroni, Finlay dhe qindra të tjerë bënë çfarë mundën për ta bindur Evropën se greku modern është pasardhësi i vërtetë i helenit të lashtë, por asnjëri prej tyre nuk ia njohu shqiptarit meritën që i takonte. Pastaj moda ndryshoi; sllavi doli në pah, dhe z. Gladstone, lordi Tennyson me sonetin e tij për Malin e Zi, zonja Irby e Sarajevës, dhe një mori shkrimtarësh dolën për të lavdëruar serbin dhe bullgarin më pak simpatik, por gjithsesi të sllavizuar, me rezultatin që njeriu mesatar beson se sllavët ishin pronarët fillestarë të Gadishullit Ballkanik dhe se turqit ua morën atyre atë në Betejën e Kosovës më 1389.
Shqiptari, krenar dhe i heshtur mbi shkëmbinjtë e vet, pa as edhe një betejë fatkeqe që të shërbente si kunj për reklamim, ndër shekuj nuk i ka kërkuar asgjë Evropës, dhe ajo asgjë nuk i dha. Ndoshta grekët nuk iu përgjigjën lavdisë që pritej prej tyre, dhe kështu ranë në prapaskenë, por është e sigurt se sllavët dolën në plan të parë në kohën viktoriane, dhe nga viti 1880 ishin fëmijët e përkëdhelur të Evropës histerike. Bullgari i sllavizuar është një njeri i ashpër, punëtor, i mbyllur në vetvete dhe i pasofistikuar, ndërsa ishte paksa e vështirë të mbaje në nivel të lartë entuziazmin për të. Por, serbi, nga jashtë, është një krijesë e këndshme dhe piktoreske, me një ndjesi të mprehtë për vlerat dramatike. Konstandini, i fundit nga perandorët bizantinë, ra në një mënyrë edhe më dramatike në Kostandinopojë, sesa Llazari - cari i fundit serb në Fushën e Kosovës - por, zia kombëtare për ditën e zezë të Kosovës duket se ka prekur imagjinatën e Evropës, ndërsa vdekja historikisht shumë më e rëndësishme e Konstandin Paleologut, brenda portës së Shën Romanit, më 29 maj 1453, e ka lënë atë të harruar.
Serbi është simpatik në kuptimin pasiv të fjalës; ai tërheq njerëzit me filozofinë e tij të lehtë dhe me mënyrën e pakujdesshme të trajtimit dhe shikimit të jetës. Bullgari modern nuk tërheq. Ai ndoshta frymëzon respekt, por jo dashuri. Në karakteristikat racore, serbët u ngjajnë irlandezëve të Perëndimit dhe bullgarët u ngjanë skocezëve të ultësirës; dhe njeriu më bindës natyrisht lë përshtypjen më të mirë te vëzhguesi kalimtar. Kështu ndodh që shkrimtarët, për Ballkanin, shpesh pa vetëdije i frymëzojnë lexuesit e tyre, ata që nuk udhëtojnë, me idenë se serbët, të përfaqësuar sot nga servët dhe malazezët, ishin pronarët fillestarë të Ballkanit, por e ndanë pjesën lindore me bullgarët, ndërsa turqit ishin pushtues që padrejtësisht morën vendin dhe tani me të drejtë po ua kthejnë pronarëve legjitimë.
Në realitet, shqiptarët, ose shkypëtarët, siç quhen në mënyrë të drejtë, përfaqësojnë pronarët fillestarë të gadishullit, pasi serbët nuk e kaluan Danubin deri rreth vitit 550 pas Krishtit, ndërsa bullgarët deri më 679 kur shkypetarët kishin gëzuar mbi njëmbëdhjetë shekuj zotërim të tokës, të gjallëruar nga përleshjet fisnore, betejat me ose nën mbretërit maqedonas, dhe në luftime me Romën. Për çdo qytet dhe krahinë që sllavët mund ta pretendojnë përmes së drejtës së pushtimit nën ndonjë perandori të mjegullt dhe kalimtare, shqiptarët mund të kundërshtojnë titullin e pronësisë fillestare të tokës që nga epokat kur as historia e as sllavët nuk ishin të njohur në Ballkan. Romakët, ndryshe nga shumica e pushtuesve që erdhën pas tyre, ishin administratorë, dhe një provincë zakonisht përfitonte nga sundimi i tyre.
Fiset trako-ilire, që sot përfaqësohen nga shkypetarët ose shqiptarët, nuk u shqetësuan në mënyrë serioze nga guvernatorët dhe kolonët romakë ose, më saktë, ata u lanë pas dore dhe u lanë të binin në një gjendje letargjie nga lloji i trazuar i qytetërimit në të cilin kishin rritur vetë mbretërit e tyre. Romakët ruanin rendin, por nuk e hapën vendin. Mirëpo, kur sllavët dhe bullgarët u përhapën në vend si një tufë karkalecash, banorët autoktonë ose u shfarosën, ose u arratisën në male ku jetuan duke luftuar kundër asaj që quhej “autoritet”, por që, në mendjen e tyre, ishte tirania e uzurpatorit dhe pushtuesit. Lufta 500-vjeçare Malit të Zi kundër turqve është treguar shpeshherë me gjuhë entuziaste. Por, lufta më shumë se 1000-vjeçare e shkypetarëve kundër sllavit dhe turkut është kaluar gjithmonë si një incident pa rëndësi.
Vetë emri “shqiptar” [“Albanian” dhe “Albania” në këtë shkrim përkthehen “shqiptarët”, “Shqipëria” - shën. i përkth.] i shërben paragjykimit. Për evropianin perëndimor, ai sjell ndër mend rrëfimet e udhëtarëve për kusarë shqiptarë, dhe historitë për rojet e Sulltan Abdyl Hamidit. Emri tingëllon - dhe është - modern; ndërsa “serb”, ashtu siç e shkruajnë me mençuri admiruesit e servianëve modernë, ka një shije të lashtë. Fiset që sot njihen si shqiptarë nuk e njohin veten me atë emër. Ata janë shkypetarë, Bijtë e Shqiponjës së Malit, dhe vendi i tyre është Shkyperia ose Shkypenia - Toka e Shqiponjës së Malit. Ata kanë një legjendë që thotë se kur ushtarët i thanë Pirros se lëvizjet e tij në luftë ishin aq të shpejta sa fluturimi i një shqiponje, ai u përgjigj se kjo ishte e vërtetë, sepse ushtarët e tij ishin bij të shqiponjës dhe heshtat e tyre ishin pendët me të cilat ai fluturonte. Nëse kjo histori ka ndonjë bazë në fakte, ajo tregon se emri shkypetar ishte i njohur, ose i marrë nga populli dhe mbreti i tij rreth vitit 300 para Krishtit, dhe mund të habitemi vetëm nga modestia që nuk e daton emrin edhe më herët. Në çdo rast, Pirro, ushtaraku më i madh i kohës së tij, ishte një shkypetar dhe përballë tij cari Dushan është modern dhe furacak.
Emri “Shqipëri” nuk u dëgjua deri në fund të shekullit të njëmbëdhjetë, kur normanët, nën Robert Guiscardin, pasi mundën perandorin Aleks Komnenin në Durrës, marshuan drejt Elbasanit, i quajtur atëherë Albanopolis, dhe duke e pasur emrin vendas shumë të vështirë për gjuhën e tyre, e quajtën vendin, qyteti kryesor i të cilit ishte Albanopolisi, me një term të lehtë: “Albania”. Fjala, e cila nuk duket të jetë përdorur zyrtarisht deri në gjysmën e parë të shekullit të katërmbëdhjetë, në të vërtetë i referohet tokës në anën perëndimore të Detit Kaspik, dhe një konfuzion i madh ka lindur nga paaftësia e normanëve për t’u përballur me fjalën “Shkypetar”. Shumë shqiptarë të arsimuar pohojnë se janë pasardhës të pellazgëve, por kjo kundërshtohet nga disa autoritete evropiane. Meqenëse nuk dimë pothuajse asgjë për pellazgët, çështja mbetet spekulative dhe e pamundur për t’u vërtetuar në një mënyrë ose tjetër; por, në çdo rast, është e sigurt që shkypetarët janë pasardhës të atyre fiseve trako-ilire të cilat, sido që të jenë quajtur nga autorët grekë, zinin vendin në veri të Helladës, kur historia po dilte nga legjenda.
Mbreti më i hershëm i njohur i Ilirisë thuhet të ketë qenë Ylli, i cili vdiq në vitin 1225 para Krishtit. Nën nipin e tij, Daunin, vendi u pushtua nga liburnët të cilët u larguan nga Azia pas rënies së Trojës. Liburnët zaptuan bregdetin e Dalmacisë dhe ishujt nga Korfuzi e në Veri, dhe gradualisht u përthithën nga popullsia vendase. Vetëm Shqipëria e Veriut përfshihej në Iliri, e cila shtrihej në veri mbi Malin e Zi, Hercegovinën dhe Dalmacinë. Shqipëria e Jugut njihej si Epiri, dhe kjo ndarje e vendit e bën përzgjedhjen e fakteve historike që lidhen me Shqipërinë, në tërësi, më të vështirë se zakonisht. Por, është e lehtë të supozohet se shekujt që kaluan sollën përleshje të vazhdueshme fisnore ndërmjet ilirëve, epirotëve, maqedonasve dhe popujve të tjerë trako-ilirë, dhe rreth vitit 600 para Krishtit ndodhi invadimi i parë i madh për të cilin nuk kemi ndonjë dijeni të qartë.
Historia e gadishullit Ballkanik ka alternuar gjithmonë, në intervale më të gjata ose më të shkurtra, mes grindjeve lokale dhe inkursioneve të mëdha të barbarëve, të cilët përshkonin vendin dhe përmbytën fushat, por i linin malet të papushtuara. Pikërisht në këto male qëndron kryesisht historia shqiptare, sepse ndërsa popullsia e ultësirave u përthith ose përthithi pushtuesit, racat e vjetra u arratisën në male dhe ruajtën, të paprekura, gjuhën dhe zakonet e tyre primitive. Keltët ishin pushtuesit e parë barbarë dhe, siç ndodh zakonisht në inkursione të tilla, ndryshe nga emigrimet e gjera racore, ata ishin me gjasë një trup i vogël burrash luftëtarë me gratë dhe fëmijët të cilët u zhdukën shpejt në masën e popullsisë ku u vendosën. Ata u përthithën nga mbretëria ilire, kryeqyteti i së cilës ishte Shkodra dhe, si liburnët që i zëvendësuan në det, fituan famë dhe pasuri si piratë në Adriatik e madje edhe në Mesdhe. Në gjysmën e parë të shekullit IV para Krishtit, Bardhyli, mbreti i Ilirisë, pushtoi Epirin dhe një pjesë të mirë të Maqedonisë, por u mund dhe u shty mbrapsht në malet e tij nga Filipi, babai i Lekës së Madh.
Pak më vonë, Aleksandri, mbreti i molosëve në Shqipërinë e Jugut, ndërmori një ekspeditë në Itali dhe kështu e solli Romën në kontakt me brigjet përballë Adriatikut. Të gjitha këto mbretëri të vogla ishin qartësisht ndarje të së njëjtës racë dhe ishin shumë ngushtë të lidhura me njëra-tjetrën. Motra e Aleksandrit, mbretit të Molosëve, ishte nëna e Lekës së Madh; burrat që marshuan drejt Babilonisë, Persisë dhe Indisë ishin paraardhësit e shqiptarëve; ndërsa Epiri dhe Iliria morën pjesë në anarkinë që pasoi vdekjen e pushtuesit të madh, i cili vetë është pretenduar si shkypetar dhe me shumë të drejtë.
Pirro, mbreti luftëtar i Epirit, ishte padyshim një shkypetar, dhe rreth gjashtëdhjetë vjet pas vdekjes së tij, Agroni doli nga kaosi si mbret i mbretërisë së vjetër të Bardhylit dhe gjithashtu i Epirit. Si i afërmi i tij, Leka i Madh, ai ishte një luftëtar i shkëlqyer dhe po si ai vdiq pas një orgjie, duke lënë pas një vejushë, Teutën, e cila ishte një grua me karakter të fortë. Thuhet se ajo vendosi një zinxhir në lumin Buna, aty ku dy kodra e ngushtojnë shtratin e lumit mbi fshatin Reç, dhe vendosi një taksë mbi të gjitha anijet që kalonin lart e poshtë. Shqiptarët thonë se unazat ku ajo lidhi zinxhirët e saj janë ende të dukshme në shkëmbinj. Për më tepër, ajo ngriti një ushtri, ndërtoi një flotë, dhe me më pak kujdes sesa shqiptarët modernë, u nis për të pushtuar ishullin Is (tani Vis), që rastësisht ishte në aleancë me romakët.
Republika romake dërgoi një delegacion te Teuta, por ajo vrau njërin nga të dërguarit dhe me guxim sulmoi Durrësin dhe Korfuzin. Romakët, për pasojë, drejtuan armët drejt bregut ilir dhe nuk u desh shumë kohë për të mposhtur Teutën. Ajo u dëbua nga të gjitha vendet që kishte pushtuar, madje edhe nga kryeqyteti i saj, Shkodra, dhe u detyrua të pranonte një paqe poshtëruese. Megjithatë, shkypetarët ilirë nuk e kishin marrë ende mësimin dhe nuk e kishin kuptuar fuqinë në rritje të Romës. Dhimitër Fari, që pasoi Teutën si sundimtar i vendit dhe kujdestar i djalit të Agronit, edhe pse i detyrohej shumë Romës, filloi të plaçkiste dhe grabiste aleatët e Republikës, ndërsa u përpoq të bashkonte shtetet shkypetare në një aleancë të vetme. Ai dështoi, dhe tokat e shkypetarëve ranë nën fuqinë e romakëve të cilët u mjaftuan me vendosjen e një protektorati mbi mbretërinë e mbretit të ri, Pinit. Tri shtetet shkypetare - Iliria, Epiri dhe Maqedonia - u ngritën kundër Romës nën Filipin e Maqedonisë, kur Hanibali dukej se ishte në rrugën e duhur për të shtypur Republikën, dhe vetëm një pjesë e vogël e asaj që sot është Shqipëri në jug të Drinit, mbeti besnike ndaj angazhimeve të saj.
Kur rreziku kartagjenas u zhduk, Roma u rikthye edhe një herë drejt tokave matanë Adriatikut. Genci, mbreti i fundit në Shkodër, ishte lidhur me Perseun e Maqedonisë dhe i ishte rikthyer piraterisë adriatike si paraardhësit e tij. Tridhjetë ditë mjaftuan për rënien e mbretërisë veriore të Shkyperisë. Pretori Amikus, në vitin 168 para Krishtit zbarkoi në breg dhe e detyroi Gencin të tërhiqej në Shkodër, ku mbreti u dorëzua pak më vonë dhe u mor së bashku me gruan, dy djemtë dhe vëllanë e tij për të zbukuruar triumfin në Romë. Perseu u mund plotësisht nga konsulli Paul në Pidna, menjëherë pas kësaj, dhe të gjitha tokat shkypetare u përfshinë në Perandorinë Romake. Epiri, në veçanti, u ndëshkua rëndë, dhe mirëqenia e vendit, e konsiderueshme deri atëherë, u shkatërrua plotësisht.
Shkypetarët u tërhoqën në malet e veta, dhe romakët nuk bënë asgjë për të rikthyer pasurinë dhe kulturën e kohës së mbretërve vendas. Qytetet, madje edhe Shkodra, ranë në rrënim, dhe kur Augusti themeloi Nikopolisin në veri të Gjirit të Artës, në përkujtim të Betejës së Aktiumit, nuk kishte asnjë qytet me rëndësi në Epir apo Iliri. Vetë Nikopolisi nuk zgjati shumë, sepse nën sundimin e Honorit ishte bërë pronë e një zonje greke, dhe kur Alariku dhe gotët e tij, në shekullin e pestë, përfshinë Ilirinë dhe Epirin, qyteti u plaçkit dhe që prej asaj kohe nuk ishte më një vend me rëndësi.
Nën perandori, vendi i braktisur u nda ndërmjet provincave të Ilirisë dhe Epirit, ku Shqipëria e Veriut përbënte pjesën jugore të Ilirisë. Kur Perandoria Romake u nda në vitin 395 pas Krishtit, shkypetarët iu caktuan Perandorisë Lindore, dhe vendi u njoh me emrin Prevalitana, me Shkodrën si kryeqytet. Gjendja e vendit duhet të ketë qenë shumë e ngjashme me atë nën sundimin turk. Prefektët e Perandorisë sundonin në bregdet dhe në fusha, por në male shkypetarët gëzonin një lloj gjysmë-pavarësie, dhe si pasojë e kësaj shpërfilljeje, vendi mbeti në një gjendje të braktisur. Por, shkypetarët ishin pa dyshim pronarët e tokës nën sundimin perandorak të Kostandinopojës.
Në shekullin e pestë ndodhën pushtimet e mëdha të para, nga të cilat Perandoria e Bizantit do të zhdukej përfundimisht. Gotët rebelë, nën udhëheqjen e Alarikut, pasi pushtuan Greqinë, u drejtuan në Veri dhe shkatërruan Epirin dhe Ilirinë, provinca të cilat deri atëherë i kishin shmangur për shkak të varfërisë së tyre që nga pushtimi romak. Kur gotët pushtuan Italinë, Shkyperia shijoi një periudhë relativisht të qetë nën Justinianin, deri në ardhjen e sllavëve. Hunët dhe avarët ishin pushtues kalimtarë; ata nuk u vendosën në tokë, por i detyruan fiset trako-ilire, që flisnin si latinisht ashtu edhe shkyp, të tërhiqeshin në male, ndërsa hapën rrugën për sllavët. Në fund të shekullit të gjashtë, fiset sllave, që kishin kaluar Danubin në grupe të shpërndara rreth treqind vjet më parë, erdhën në numër të madh për t’u vendosur, dhe ultësirat u pushtuan dhe u shkatërruan nga ata, ndonjëherë të vetëm, ndonjëherë në bashkëpunim me avarët.
Trako-ilirët, në atë kohë, ishin si britanikët e romanizuar; ata ishin zbutur nën Pax Romana, dhe nuk ishin në gjendje të përballonin pushtuesit e pamëshirshëm. Ata u tërhoqën në malet e Shqipërisë, dhe atje gradualisht braktisën gjuhën latine dhe lustrimin e qytetërimit romak. Ata ishin burra që duhej të luftonin për jetën e vet; të dobëtit u zhdukën, dhe gjuha dhe zakonet e vjetra të shkypetarëve u rimorën sërish.
Serbi, edhe pse i butë në të folur dhe bindës kur nuk ka epërsi, në thelb është i egër, dhe fiset trako-ilire që u dëbuan nga Trakia dhe Maqedonia drejt maleve të Epirit dhe Ilirisë jugore, ishin mbetjet më të forta të një popullsie që kishte parë pleq, gra dhe fëmijë të masakruar, dhe shtëpi të djegura nga pushtuesit. Atëherë filloi urrejtja e përjetshme midis shkypetarit dhe serbit, e cila mbetet e hidhur edhe sot, sepse shqiptari ende e sheh sllavin si pushtuesin dhe shkatërruesin e shtëpisë dhe familjes së tij. Kjo shpjegon përse shqiptari modern gjithmonë ka qenë më miqësor me turkun mysliman sesa me sllavin e krishterë. Brutalitetet e kryera nga turqit ishin gjëra krejt të vogla krahasuar me mizoritë e sllavit.
Në gjysmën e parë të shekullit të shtatë, sllavët u njohën zyrtarisht nga Perandoria. Herakliu i bindi ata të kthenin armët kundër avarëve, dhe pas kësaj ata mbajtën tokat që kishin pushtuar - si feude të Perandorisë Bizantine, por të qeverisura nga zhupanët e tyre. Shkypetarët trako-ilirë u detyruan prej asaj kohe të tërhiqeshin në malet e asaj që sot është Shqipëri, ndërsa sllavët zunë ato që sot janë Servia, Mali i Zi, Bosnja, Hercegovina dhe Dalmacia, me Raguzën si kryeqytet. Pushtuesit e ardhshëm në Gadishullin Ballkanik ishin bullgarët, një racë aziatike që kaloi nga Besarabia në fund të shekullit të shtatë. Ata ishin një popull i afërt me turqit, që do të vinin pas tyre, dhe, po si turqit, ishin kryesisht një racë luftëtarësh. Por, ndërsa turqit gjithmonë qëndruan të izoluar në Evropë, bullgarët u sllavizuan dhe përvetësuan gjuhën dhe zakonet e popullsive që dëbuan nga tokat lindore të gadishullit. Ata pranuan krishterimin në vitin 864, nën Borisin, i cili, ashtu si emnaku i tij i sotëm, u konvertua, dhe nën pasardhësin e tij, Simeonin, rreth vitit 900 themeluan një nga ato "perandoritë" afatshkurtra të Ballkanit që lindën si kërpudha në krah të Perandorisë më të qëndrueshme dhe të respektuar romake të Bizantit. Sundimi i Simeonit u shtri në pjesën veriore të gadishullit Ballkanik dhe zëvendësoi sundimin e serbëve të cilët ranë nën sundimin e tij.
Shkypetarët përfshiheshin në Perandorinë Bullgare, por, si më parë, ishin vetëm ultësirat, jo malet ato që kontrolloheshin nga pushtuesit. Sundimi i Simeonit, edhe pse ai mori me mburrje titullin Car ose Cezar, ishte kryesisht nominal në Perëndim, dhe kur ai vdiq në vitin 927, perandoria e tij u shpërbë. Shishmani dhe djali i tij, Samoili, megjithatë e mbajtën perëndimin të pavarur nga Bizanti, me kryeqytetin në Ohër, dhe me shumë mundësi periudha e Car Simeonit ishte koha kur shkypetarët qenë më afër nënshtrimit të plotë nga sllavët ose pushtuesit e sllavizuar. Por, në vitin 1018, Perandoria e Simeonit u shkatërrua plotësisht nga perandori Bazil Bullgarvrasësi, dhe Shqipëria kaloi sërish nën sundimin nominal të Bizantit, ndërsa bullgarët dhe serbët u sunduan drejtpërdrejt nga oborri perandorak.
Nga ana tjetër, edhe shpërthimi i energjisë nga Kostandinopoja u shua, sepse, si hegjemonia bullgare ashtu edhe ajo serbe, varej nga jeta e një njeriu të vetëm. Një udhëheqës i ri u ngrit në Bullgari, Gjoni Aseni, i cili pretendonte se ishte pasardhës i Shishmanit. Ai u rebelua me sukses kundër Perandorisë, dhe pas vrasjes së tij, nën pasardhësit e tij, veçanërisht Gjon Asenin II, Shqipëria u përfshi në Perandorinë e Dytë Bullgare. Nominalisht, shkypetarët kalonin nga Perandoria te bullgarët, nga bullgarët te serbët, dhe përsëri mbrapsht sa herë që ndryshonte kaleidoskopi i fuqive, por mbajtja e këtyre perandorive mbi ta ishte shumë e përkohshme për të lejuar ndonjë pushtim të kushtueshëm të maleve të tyre të egra. Kur perandori ose sllavët fitonin qartë epërsinë, ultësirat dhe qytetet e Shkyperisë binin në duart e pushtuesve, por në periudhat e dobësisë, ultësirat, dhe gjithmonë malet, qëndronin në duart e atyre mbetjeve të panënshtruara të banorëve të lashtë - shkypetarëve. Gjoni Aseni vdiq në vitin 1241, dhe udhëheqësia e sllavëve ballkanikë filloi të kalonte te serbët, nën dinastinë e Nemanjës, të cilët fillimisht e quajtën veten mbretër dhe më pas carë të Serbisë. Stefani i Serbisë luftoi Paleologun dhe bullgarët, ushtria e të cilëve u mund në betejën e Velbuzhdit, më 28 qershor 1330.
Shqiptarët e Veriut mbetën më shumë a më pak të pavarur, ndërsa këto luftëra zhvilloheshin rreth tyre, por në kohën e Car Dushanit, Mbytësit, në vitin 1336 ata u përfshinë në perandorinë e tij. Pas shpërbërjes së mbretërisë së Dushanit, Shqipëria e Veriut u qeveris nga Shkodra nga princat e familjes Balsha, me origjinë nga Provenca, të cilët kishin shërbyer për carët serbë. Në vitin 1368, princi u bë katolik dhe malësorët shqiptarë të Veriut mbetën të atij besimi që nga ajo kohë.
Balshajt e zgjeruan shumë sundimin e tyre, por, në vitin 1383, Gjergj Balsha I u mund dhe u vra nga turqit pranë Beratit, dhe Gjergj Balsha II ia dorëzoi Shkodrën dhe Durrësin venedikasve, në këmbim të ndihmës së tyre kundër turqve. Por, venedikasit nuk i dhanë Balshës ndihmë me vlerë, kështu që familja u tërhoq në Mal të Zi, dhe në Shqipërinë e Veriut u pasuan nga familja Kastrioti e Krujës, të cilët ishin shkypetarë me gjak të pastër dhe e shtrinë sundimin e tyre mbi gjithë vendin, përveç zonave të mbajtura nga Venediku.
Shqipëria e Jugut dhe e Mesme ishin të pavarura nën sundimin e Despotit të Epirit, Mihal Engjëllit, i cili, edhe pse ilegjitim, pretendonte të ishte trashëgimtar i perandorëve Isak dhe Aleks Engjëllorit. Ai ngriti fiset shqiptare, i mundi dukët frankë të Selanikut dhe Athinës, dhe pas vdekjes së tij, nipi i tij Gjon Engjëlli luftoi me Gjon Dukën për Perandorinë e Bizantit, por u mund në vitin 1241. Trashëgimtari i engjëllorëve më pas u tërhoq në malet shqiptare, dhe si despotë të Epirit, familja sundoi për disa vjet vendin në pavarësi nga perandori.
Ndërkohë, pushtuesi i fundit i Ballkanit po përfshinte gadishullin. Në vitin 1354 turqit u ftuan në Traki nga Gjon Kantakuzini, për ta ndihmuar kundër Paleologut. Ata u vendosën në Galipol dhe, më 1361, Sulltan Murati I pushtoi Adrianopojën. Servia u pushtua dhe u shkatërrua në Fushë të Kosovës më 1389, ku disa shqiptarë, nën princin e tyre Balsha, luftuan në ushtrinë e car Llazarit. Sulltan Murati II marshoi kundër Shqipërisë në vitin 1423 dhe mori si pengje, mes të tjerëve, katër djemtë e Gjon Kastriotit të Krujës. Më i vogli prej tyre ishte Gjergj Kastrioti, i famshmi Skënderbe, i cili u edukua në Kostandinopojë [Adrianopojë - shën. i përkth.] nga Sulltani. Në vitin 1443, ai u ngrit kundër turqve dhe mori Krujën, dhe megjithëse ushtri pas ushtrie u dërguan kundër tij, ai mundte shumë vezirë dhe gjeneralë dhe vetë sulltan Muratin.
Trimëria e shqiptarëve dhe vështirësitë e maleve e bënë udhëheqjen e Skënderbeut të pathyeshme, dhe madje edhe Mehmeti II, Pushtuesi, u mund nga princi shqiptar në Krujë në vitin 1465. Por, Skënderbeu nuk arriti të merrte ndonjë ndihmë nga Evropa, dhe ai vdiq më 1467, duke mos lënë një trashëgimtar të denjë. Kruja u pushtua nga Mehmeti II më 1478, dhe në vitin pasues Shkodra, Tivari dhe qytetet e tjera bregdetare iu dorëzuan turqve nga Venediku. Në male, shqiptarët gjithmonë gëzuan një liri të pjesshme nën turqit, por Shkodra në fillim u qeveris nga pashallarët turq.
Në fillim të shekullit të tetëmbëdhjetë, një udhëheqës shqiptar mysliman, Mehmet Beu i familjes Bushati, nga një fshat pak në Jug të Shkodrës, mori qytetin dhe masakroi rivalët. Ai ishte aq i fuqishëm, saqë Porta mendoi se ishte gjë e zgjuar ta bënte pashallëkun të trashëguar në familjen e tij, dhe ai sundoi jo vetëm Shkodrën, por edhe Lezhën, Tiranën, Elbasanin dhe Dukagjinin. Kara Mahmuti, i biri, ishte një princ krejtësisht i pavarur. Ai dy herë pushtoi Malin e Zi dhe dogji Cetinën, dhe mundi trupat turke në Fushë të Kosovës, por në vitin 1796 u mund dhe u vra në Mal të Zi. Pasardhësit e tij sunduan Shqipërinë e Veriut, udhëhoqën kryengritje në Bosnjë dhe Servi, dhe luftuan kundër Sulltanit me sukses. Por, pas Luftës së Krimesë, Porta dërgoi një ushtri në Shkodër, dhe sundimi i pashallarëve myslimanë shqiptarë të bushatlinjve mori fund.
Ndërsa pashallarët e familjes Bushati sfidonin sulltanin në Shqipërinë e Veriut, Ali Pasha i Janinës i mundi ata në Jug. Ai bëri bashkë shqiptarët e Jugut, por pas një karriere të gjatë dhe të suksesshme, më në fund u rrethua në kështjellën e Janinës dhe u vra në vitin 1822. Gjatë gjysmës së fundit të shekullit, vendi u qeveris nga Kostandinopoja, por megjithëse qytetet ishin të zëna nga garnizonet, malësorët ruajtën armët, pavarësinë dhe ligjet e zakonet e tyre fisnore.
Lidhja Shqiptare, e cila u themelua në 1878 nën udhëheqjen e Hodo Beut të Shkodrës dhe Prenk Bib Dodës së Mirditës, i bashkoi myslimanët dhe të krishterët e Shqipërisë së Veriut për të protestuar kundër dorëzimit të Gucisë dhe Plavës te Mali i Zi, dhe pati sukses deri në atë pikë saqë rajoni i Ulqinit u zëvendësua për qytetet malore. Pavarësisht mërgimit të Hodo Beut dhe Prenk Bib Dodës, Lidhja gjithmonë ka pasur një ekzistencë të fshehtë, drejtuar kundër të gjithë armiqve të kombit shqiptar.
Vetëm në një shkallë më të vogël se Mali i Zi, Shqipëria ruajti lirinë e saj nga sundimtarët turq, dhe kjo për shkak të lehtësisë me të cilën ultësirat dhe bregdeti mund të pushtoheshin nga trupat. Familjet udhëheqëse, midis shqiptarëve myslimanë, kanë furnizuar një numër të madh zyrtarësh civilë dhe të ushtarakëve në shërbimin osman, dhe këta pashallarë dhe bejlerë janë treguar burra të aftësisë më të lartë. Nuk do të mungojnë sundimtarët e aftë kur shteti i ri do të formohet.
Shkypetarët jo vetëm që kanë ruajtur vatrat e tyre malore, por edhe gjuhën dhe ligjet e veta. Shqipja, për ta dhënë me emrin modern, është një gjuhë ariane, shumë e lashtë, e cila flitej nga fiset ballkanike para kohës së Lekës së Madh. Është një gjuhë jo-sllave, fjalët sllave të përdorura janë thjesht shtesa të bëra në kohë relativisht të vona. Në Serbinë e Vjetër dhe në kufijtë e Malit të Zi, shqiptarët janë përzier dhe martuar me sllavët, por ata kanë marrë vetëm disa fjalë serve dhe jo gjithë gjuhën. Në Jug ka ndodhur një proces i ngjashëm.
Shqipja është padyshim e afërt me greqishten, dhe ka huazuar shumë fjalë, veçanërisht midis fiseve përgjatë kufirit, kështu që shqipja më e pastër gjendet në malet e Mirditës katolike dhe midis familjeve myslimane në Jug të Shqipërisë së Mesme. Kjo është aq e vërtetë, saqë fiset në kufirin malazez e kanë të vështirë të kuptojnë ata në viset kufitare me Greqinë. Rreth një e treta e gjuhës përbëhet nga fjalë të marra nga keltishtja, gjermanishtja, latinishtja dhe sllavishtja, për shkak të pushtimeve që shkypetarët kanë pësuar; një e treta tjetër është greqishte eolike në një formë shumë arkaike; dhe e treta e mbetur është e panjohur, por pa dyshim përfaqëson gjuhën e fiseve të lashta trako-ilire. Janë bërë spekulime interesante mbi pozitën e saktë të shqipes në familjen ariane, por është plotësisht e pranuar që është një gjuhë jo-sllave dhe shumë e lashtë.
Është një gjuhë jashtëzakonisht e vështirë për një të huaj për ta folur, dhe shkypetarët pretendojnë se askush, përveç vendasve, nuk mund të shqiptojnë saktë tingujt e saj të çuditshëm bashkëtingëllorë. Vështirësia për të mësuar gjuhën rritet nga mungesa e një alfabeti të përshtatshëm. Jezuitët dhe françeskanët e Shkodrës përdorin alfabetin latin; në Jug, priftërinjtë ortodoksë përdorin shkronja greke. Por, asnjëri sistem nuk është i kënaqshëm, dhe për pasojë disa gramatikanë kanë futur shenja diakritike, ose kanë përzier të dyja grupet e shkronjave në një alfabet të ngatërruar. Shqipja është shkruar edhe me shkronja turke, por ndoshta edhe me më pak sukses, dhe është një provë e vitalitetit të mrekullueshëm të gjuhës fakti që ajo ka mbijetuar nëpër shekuj, pa letërsi, e pamësuar dhe e pashkruar në shkolla.
Përveç aty ku janë përzier me sllavët dhe racat e tjera, shkypetarët janë shtatlartë dhe biondë. Ata që kanë vuajtur nga varfëria e maleve nuk kanë pretendime për bukuri, por malësori mesatar, që i përket një fisi të pasur, ka fytyrë ovale me hundë si shqiponjë, mollëza të larta, sy të kaltër, flokë të verdhë dhe mustaqe të gjata të arta. Trupat e tyre janë të drejtë dhe të hollë, dhe jo aq të rëndë sa të malazezëve. Edhe në qytete, shqiptarët rrallë trashen, por ruajnë trupin e hollë e vital gjatë gjithë jetës. Disa mirditorë mund të kalonin kudo për anglezë të tipit biond.
Shkypetarët gjithmonë kanë qenë të ndarë në dy familje të mëdha: gegët në Veri dhe toskët në jug, me lumin Shkumbin që shënon kufirin midis tyre. Nuk është gjetur asnjë kuptim për emrin tosk, por për atë geg thuhet se nënkupton gjigant, dhe në shekullin e pesëmbëdhjetë përdorej nga turqit si një lloj titulli për familjen sunduese të Mirditës.
Shqiptarët e Veriut ndahen në fise ose klane; ata në Veri përfshihen nën emërtimin malësorë, ose burra të Maleve të Zeza, përfshirë fiset Kelmend, Kastrat, Hot, Shkrel dhe fise të tjera; ata në Lindje përfshijnë fiset Shala, Shoshi, Sumaj dhe të tjerë, të quajtur së bashku Pult ose Banorët e Pyjeve; si dhe konfederata e Mirditës që janë katolikë dhe qeverisen nga një kryetar i familjes Doda. Aktualisht, kryetari i tyre është Prenk Bib Dodë Pasha, i cili për shumë vjet ishte në mërgim në Azinë e Vogël për pjesëmarrjen e tij në Lidhje. Në Shqipërinë e Jugut, toskët ndahen në tri grupe kryesore: toskë, çamë dhe labë, dhe përsëri ndahen në fise.
Në Shqipërinë e Veriut, mirditorët dhe shumica e malësorëve janë katolikë, dhe ata janë pasardhës të burrave të cilët, në vitin 1320, pasi carët serbë, që në atë kohë mbanin Shkodrën dhe rrafshin, kishin braktisur katolicizmin dhe kishin pranuar ortodoksinë, refuzuan të hiqnin dorë nga besnikëria ndaj Papës. Numri i ortodoksëve në Shqipërinë e Veriut është shumë i vogël, dhe gjysma e banorëve të Shkodrës, shumica e malësorëve, një pjesë e madhe e Pultit dhe pothuajse të gjithë ata rreth Prizrenit, Gjakovës dhe Pejës janë myslimanë. Në Shqipërinë e Jugut, qytetarët dhe banorët e ultësirave janë kryesisht myslimanë, përveç ata drejt kufirit grek ku janë kryesisht ortodoksë. Një zyrtar shqiptar vlerëson se gati gjysma e një milion e tetëqind mijë banorëve janë myslimanë; më pak se një e treta ortodoksë, dhe pjesa tjetër janë katolikë. Kjo ndoshta është afër së vërtetës, por çdo statistikan ka shifrat e veta dhe arsyet për to, megjithëse në një shkallë më të vogël se në Maqedoni.
Territoret shqiptare midis Tivarit dhe Ulqinit iu dhanë Malit të Zi, në vitin 1880, pas një proteste të armatosur nga Lidhja Shqiptare, dhe tokat e shkypetarëve tani përfshijnë Shkodrën dhe fushën e saj, malet e malësorëve, Gucinë dhe Plavën, Pejën, Gjakovën, Prizrenin, Pultin, Mirditën, dhe vendin në perëndim të liqeneve të Ohrit dhe Janinës deri në Gjirin e Artës. Rreth Prizrenit ka një pakicë sllavësh dhe, në Jug, poshtë Janinës, ka një pjesë të madhe grekësh, por kufijtë e dhënë këtu përmbajnë të gjitha territoret e mbetura për shkypetarët nga inkursionet e njëpasnjëshme në Gadishullin Ballkanik të sllavëve dhe bullgarëve.
Fatmirësisht, përpjekja serbe për të injoruar shqiptarët dhe për të paraqitur Shkodrën, Durrësin dhe fushat përreth tyre si sllave, sepse carët serbë i mbajtën ato në intervale nga shekulli i shtatë deri në të katërmbëdhjetin, ka dështuar, kryesisht - duhet pranuar - për shkak të pohimit nga Austro-Hungaria të interesave të veta, dhe jo për ndonjë dashuri ndaj drejtësisë historike nga Evropa. Me përjashtim të faktit që ata nuk kanë pasur kurrë një kryetar mbi të gjitha fiset, dhe kanë pasur një territor shumë më të gjerë për t’u mbrojtur kundër armiqve më të shumtë, rasti i shkypetarëve është krejtësisht i ngjashëm me atë të malazezëve. Malazezët mbajtën tokat e veta për pesëqind vjet në një bllok të vogël malesh, të vetëm kundër turqve; shkypetarët i kanë mbajtur tokat e veta për mbi një mijë vjet kundër valëve të njëpasnjëshme të sllavëve, bullgarëve dhe turqve.
Ata shpesh kanë qenë të nënshtruar, por gjithmonë kanë dalë përsëri në sipërfaqe, dhe me luftën e tyre të gjatë dhe këmbëngulëse kanë fituar herë pas here të drejtën mbi shkëmbinjtë e thatë, ultësirat e pakta dhe portet e parëndësishme që përbëjnë trashëgiminë e tyre, ose më mirë atë që ka mbetur prej saj. Ata janë mbetjet e fundit të racës më të vjetër në Evropë, sepse përfaqësojnë popujt që u paraprijnë grekëve. Ata ishin të rrënjosur thellë në tokën e Gadishullit Ballkanik, qindra vjet para se sllavi i parë të kalonte Danubin, dhe nëse serbët dhe bullgarët kanë fituar një të drejtë mbi tokat nga të cilat kanë dëbuar fiset e lashta, atëherë të paktën këta banorë të hershëm e kanë justifikuar pretendimin e tyre mbi shkëmbinjtë dhe bregun, nga të cilët asnjë armik - sllav, bullgar ose turk - nuk ka mundur t’i zhvendosë.
/Telegrafi/
________________
[1] Nga: The Fortnightly Review, Londër, maj 1913. Ribotuar nga Qendra për Studime Shqiptare, Londër, tetor 2000.

















































