LAJMI I FUNDIT:

Shkollat e artit larg shqiptarëve të Maqedonisë

Shkollat e artit larg shqiptarëve të Maqedonisë

Nëse në Tetovë ndarja e paraleleve është gjysmë për gjysmë, në Shkup dyfishi, respektivisht trefishi i paraleleve të muzikës dhe artit figurativ janë në gjuhën maqedonase. Ndërkaq, në Manastir dhe Shtip 100 për qind e paraleleve janë në gjuhën maqedonase, kurse nuk ka asnjë paralele të këtyre drejtimeve në Kumanovë, Gostivar apo Strugë që nuk dallojnë shumë për nga numri i banorëve dhe shkollave të mesme, njofton gazeta Koha.

Regjistrimi i nxënësve në shkollat e mesme profesionale artistike vazhdon të jetë një problem vështirë i kapërcyeshëm për shqiptarët, me theks të veçantë për ata të kryeqytetit. Problemi padyshim qëndron në orientimin jo të drejtë të politikave të regjistrimit, të cilat i krijon Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH). E në këtë kontekst – Shkupi dhe Tetova janë treguesi më i mirë i saj se si MASH-i di të jetë “për dikë nënë e për dikë njerkë” kur janë në pyetje shkollat e mesme artistike. Konkretisht, tjetër është qasja në rastet kur mësimi duhet të zhvillohet në gjuhën maqedonase e tjetër në gjuhën shqipe. Në Shkup, aty ku në nivelin e arsimit të mesëm shkollimi zhvillohet përpos se në gjuhën maqedonase edhe në gjuhën shqipe, numri i paraleleve shqipe është dyfish e trefish më i vogël se sa numri i paraleleve maqedonase. Ndryshe ndodhë në Tetovë, ku caktohet numër i barabartë paralelesh në shkollat artistike, pra sa paralele në gjuhën shqipe aq edhe në gjuhën maqedonase, ndërsa në Manastir dhe Shtip artet janë eksluzivitet vetëm i maqedonaseve. Në shkollat e mesme artistike të këtyre dy qyteteve, 100 për qind e paraleleve janë në gjuhën maqedonase. Mirëpo, nuk ka as edhe një paralele të drejtimeve muzikore dhe arteve figurative në Kumanovë, Gostivar apo Strugë që për nga numri i popullsisë dhe shkollave të mesme – nuk dallojnë shumë me Manastirin dhe Prilepin. Mundësitë që MASH-i krijon për arsimin profesional, në këtë rast artistik të nxënësve, në Maqedoni shihet qartë se nuk janë të barabarta për të gjithë nxënësit, respektivisht gjuhët në të cilat zhvillohet mësimi. Në dy shkollat e mesme artistike në Shkup, atë të muzikës “Ilia Nikollovki Luj” dhe të artit figurativ “Llazar Licenovski” lejohet të formohen vetëm nga një paralele në gjuhën shqipe, ndërsa tre, respektivisht dy paralele në gjuhën maqedonase. E thënë në përqindje 75, respektivisht 67 për qind e vendeve janë për nxënësit maqedonas, kurse 25, respektivisht 33 për qind e vendeve për nxënësit shqiptarë. Është gjithashtu me rëndësi të nënvizohet fakti se në shkollën e mesme të artit figurativ “Llazar Licenovski”, ku caktohet të formohen dy paralele maqedonase dhe një shqipe, asnjëherë deri tani nuk janë hapur paralelet shqipe.


Në Tetovë, qytetin me numrin më të madh të shqiptarëve, deri vitin shkollor 2015/2016 shkollimi i mesëm artistik organizohej vetëm në drejtimet muzikore edhe atë me nga një paralele në shqip dhe një maqedonisht, të cilat më pas ndaheshin në dy grupe të drejtimeve teorike dhe instrumentale secila. Me konkursin e këtij viti, shkollës “Todor Skallovski Tetoec” iu shtuan edhe drejtimi i artit figurativ, mirëpo me kushtin që paralelet e këtij drejtimi të hapen edhe në gjuhën maqedonase edhe në gjuhën shqipe. Detyrim që MASH-i asnjëherë deri tani nuk e ka ndjerë për shkollat e pastra maqedonase të artit muzikor në Manastir, Shtip apo në ndonjë qytet tjetër, ku numri i shqiptarëve është i konsiderueshëm. Në Manastir dhe Shtip, të gjitha paralelet janë në gjuhën maqedonase. Në nivel shteti, në artin muzikor janë planifikuar të hapen nëntë paralele prej të cilave vetëm dy në gjuhën shqipe, ndërsa në artin figurativ pesë paralele prej të cilave dy në gjuhën shqipe. Pra, nga gjithsej 14 paralele të shkollave artistike, vetëm katër janë në gjuhën shqipe.

Dy paralelet në Tetovë dhe një e muzikës në Shkup është e sigurt se do të formohen në muajin shtator, ndërsa për paralelen shqipe të shkollës së mesme të artit figurativ “Llazar Liçenovski”, në Shkup, më të shumta janë gjasat e dështimit se sa të formimit të asaj paralele. Arsyet janë të shumta, megjithatë dominon mungesa e besimit se MASH-i do të sigurojë mësimdhënës shqiptarë edhe nëse formohet e njëjta./Telegrafi/