Shkolla “Faik Konica” në Ferizaj organizon aktivitete në Prevallë e Prizren, prindërit e cilësojnë si ekskursion të jashtëligjshëm

Paralelet e klasave 10 dhe 11, në shkollën e mesme “Faik Konica” në Ferizaj, gjatë së enjtes nuk e kanë mbajtur mësimin e rregullt, pasi që ata janë dërguar në Prevallë e Prizren për t’i realizuar disa aktivitete të vrapimit. Por, prindër të këtyre nxënësve i kanë thënë Telegrafit se menaxhmenti i shkollës ka organizuar “ekskursion” dhe kanë kamufluar ngjarjen.
Udhëzimi Administrativ 02/2016 neni 9, shëtitjen e parasheh vetëm me klasat e nënta të shkollave fillore, andaj kjo ka nxitur reagimin e prindërve.
Një nga këta prindër që është i njohur për redaksinë e Telegrafit, por që nuk deshi t’i përmendej emri, ka thënë se menaxhmenti i shkollës ka bërë shkelje ligjore.
“Ne kemi kontakte me fëmijët dhe e dimë saktë se ku janë dhe cila ka qenë arsyeja e këtij organizimi. Menaxhmenti ka organizuar ekskursion por tash po thirren në emër të Krosit e që edhe ky aktivitet është në kundërshtim me ligjin në fuqi, pasi që shëtitjet pranverore organizohen vetëm me klasat e ulëta. Pra gjatë së enjtes kjo shkollë ka humbur rreth 200 orë të mësimit dhe nuk kemi marrë ndonjë informacion se ato do të kompensohen”, ka thënë ky prindër i cili është i njohur për redaksinë e Telegrafit.
Në anën tjetër, Telegrafi, ka kontaktuar me Xhevat Aliun, drejtor i shkollës së mesme “Faim Konica”, në Ferizaj i cili ka thënë se të gjitha shkollat tjera e kanë organizuar një aktivitet të tillë të Krosit, ndërkohë edhe shkolla e tyre ka marrë miratimin e institucioneve komunale për këtë aktivitet.
“Maturantët i kemi dërguar në ekskursion një ditor rreth një javë më parë, kurse sot klasat e 10-ta dhe 11-ta i kemi dërguar në Prevallë dhe në Prizren pasi që është organizuar Krosi pranveror. Nuk ka diçka që duhet shqetësuar sepse këtë organizim e kanë pasur edhe shkolla e Bujqësisë, Gjimnazi e të tjerat. Pra nuk ka hapësirë për t’u shqetësuar”, ka thënë Aliu.
Sa i përket orëve të humbura, Aliu ka thënë se nuk janë të obliguar t’i kompensojnë, por nëse Drejtoria Komunale e Arsimit ua rekomandon një gjë të tillë, atëherë do ta zbatojnë vendimin./Telegrafi/

















































