Shkëndija triumfon me një lojtar më pak, Sileksi përmbys Voskën në minutat shtesë
Java e 26-të e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut është mbyllur sot me pesë përballjet e fundit, të cilat sollën fitore të rëndësishme për Shkëndijën dhe Besën, njofton Telegrafi.
Shkëndija e Tetovës ka vazhduar serinë pozitive të rezultateve, kësaj radhe duke mposhtur Tikveshin, një skuadër që po lufton për mbijetesë. Fitorja merr edhe më shumë vlerë, pasi kuqezinjtë e zhvilluan pjesën e fundit të ndeshjes me një lojtar më pak. Mevlan Adili u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 65-të, por Shkëndija tregoi karakter të fortë dhe në minutën e 69-të shënoi golin e vetëm të takimit përmes Liridon Latifit, pas një kundërsulmi të shpejtë.
Në një tjetër përballje të rëndësishme, Besa nga Dobërdolli e mposhti Gostivarin me rezultat 2-1, në një ndeshje që u zhvillua në kushte të vështira për shkak të reshjeve të dendura të dëborës. Gostivari kishte mundësinë të kalonte i pari në epërsi nga pika e bardhë, por portieri Zahov priti goditjen e Kallanoskit. Në pjesën e dytë, Mbende i Gostivarit u ndëshkua me karton të kuq dhe shkaktoi penallti, të cilën e realizoi me sukses Rezmifaik Selmani për Besën. Me epërsi numerike, Besa vazhdoi të sulmonte dhe në minutën e 72-të fitoi edhe një penallti, të cilën këtë herë e realizoi Shefit Shefiti. Gostivari arriti të ngushtonte rezultatin në minutën e 80-të përmes Kallanoskit, që shfrytëzoi një tollovi në zonën kundërshtare për të shënuar.
Skuadra e Voskës Sport ishte shumë pranë një fitoreje me shumë peshë ndaj Sileksit, një prej pretendentëve për titull. Ilirid Ademi i dha epërsinë ekipit nga Ohri në minutën e 10-të me një gol nga penalltia. Megjithatë, në minutën e 85-të, një moment pakujdesie në mbrojtje i kushtoi Voskës me golin e barazimit nga Nikoliç. Dhe kur gjithçka dukej se do të përfundonte në barazim, në minutën e tretë të shtesës, zëvendësuesi Donev realizoi një super gol nga distanca për t’i siguruar fitoren Sileksit me rezultat 1-2.
Shkupi nuk ka arritur të marrë më shumë se një barazim pa gola (0-0) në përballjen ndaj Rabotniçkit, ekip që duket se është larguar nga gara për titullin kampion.
Ndërkohë, Vardari ka arkëtuar tri pikë të vlefshme në udhëtim ndaj AP Breras, duke fituar 0-2 në Strumicë dhe duke fituar qetësi në renditje.
Kujtojmë se dje, në ndeshjen hapëse të javës, Struga e mposhti Pelisterin me rezultat bindës 4-1.
Rezultatet e plota të javës së 26-të:
Rezultatet e javës së 26-të: Besa – Gostivari 2-1, Shkupi – Rabotniçki 0-0, Tikveshi – Shkëndija 0-1, Voska Sport – Sileksi 1-2 dhe AP Brera – Vardari 0-2, Struga – Pelisteri 4-1. /Telegrafi/
































