Shkëndija më vështirë se sa pritej fitoi ndaj Shkupit

Futbollistët e Shkendijës arritën fitore të rëndësishme me përmbysje ndaj Shkupit (2-1) në ndeshjen e mbetur të javës së 12-të në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut, njofton Telegrafi.
Edhe pse dikur ishte një nga derbit më të fortë të futbollit në Maqedoni, ku Shkupi dhe Shkëndija luftonin kokë më kokë për titullin kampion, këtë sezon situata është krejtësisht e ndryshme. Shkupi po përballet me vështirësi financiare dhe organizative, duke vuajtur për pikë dhe rezultate pozitive, ndërsa Shkëndija vazhdon të luftojë për të mbrojtur titullin e kampionit. Për këtë arsye, përballja e sotme në Strugë ishte derbi vetëm në letër dhe në kujtesën e famës së Shkupit në sezonet e kaluara.
Pjesa e parë në “Stadionin e Qytetit” në Strugë nuk ofroi shumë emocione. Trajneri i tetovarëve, Jeton Beqiri, nuk mund të llogariste në Ramadanin, Çaken dhe portierin Gaye, ndërsa disa titullarë të tjerë morën pushim. Nga stoli nisën ndeshjen Webster, Trumçi, Tamba, Latifi, Krasniqi dhe Alhasan.
Shkupi ishte mirë i organizuar dhe iu kundërvu kampionit, duke mos lejuar asnjë rast të qartë për gol. Edhe pse diferenca në kualitet ishte e dukshme, Shkëndija vuajti ndaj rivalit të vendosur, i cili konsiderohej si jashtëzakonisht i dobët. Pjesa e parë përfundoi pa gola (0-0).
Në pjesën e dytë, Beqiri bëri zëvendësime dhe aktivizoi disa lojtarë rezervë. Pavarësisht presionit të Shkëndijës, në një kundërsulm Shkupi shënoi i pari. Në minutën e 57-të, Luis Ribeiro realizoi golin e epërsisë pas një topi të dhënë nga Muharemi. Mbrojtësit e Shkëndijës reaguan dobët dhe portugezi dërgoi topin në rrjetë për 1-0.
Shkëndija hodhi të gjithë forcat në sulm dhe ndryshimi erdhi shpejt. Në minutën e 72-të, mbrojtësi Imran Fetai shënoi për 1-1, duke i dhënë kampionit barazimin. Vetëm tetë minuta më vonë, Liridon Latifi shënoi golin vendimtar për përmbysjen e rezultatit, 2-1, që doli të ishte rezultati përfundimtar.
Tani Shkëndija është në nivel me numrin e ndeshjeve të luajtura me rivalët e saj, duke mbetur tre pikë pas Vardarit dhe dy pas Strugës. /Telegrafi/

















































