Java e 27-të e Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut, sjellë duelin në Tetovë, ku Shkëndija mbron kreun, Struga dhe Shkupi do të kenë përballje dramatike në Shkup, njofton Telegrafi.

E diela sjell emocione të mëdha në elitën e futbollit të Maqedonisë së Veriut, ku do të luhen përballjet e javës së 27-të. Në qendër të vëmendjes do të jenë ekipet shqiptare, të cilat luftojnë në pole të ndryshme të tabelës – për titull, për Evropë dhe për mbijetesë.


Shkëndija e Tetovës, që aktualisht kryeson tabelën, do të luajë në shtëpi ndaj Voska Sport, një përballje shqiptare ku tetovarët janë të vendosur të marrin tri pikët për të ruajtur epërsinë ndaj ndjekësve dhe për të hedhur një hap më pranë titullit. Përballë tyre do të jetë një skuadër e rrezikuar nga zona e rënies, ku Voska kërkon pikë shpëtimi dhe pritet të bëjë gjithçka për të ndalur liderin.

Në Kratovë zhvillohet një tjetër duel me peshë, ku Sileksi, ndjekësi më i afërt i Shkëndijës, pret Besën e Dobërdollit. Sileksit i nevojitet fitorja për të mos lejuar shkëputjen e kuqezinjve, ndërsa Besa synon pikë të vlefshme në luftën për mbijetesë – duke e bërë këtë sfidë një përplasje mes ambicieve të kundërta, por me qëllim të njëjtë: grumbullimin e pikëve.

Në kryeqytet do të luhen dy duele shumë interesante. Rabotniçki pret Strugën në një sfidë direkte për zonën evropiane. Të dyja skuadrat janë në garë për vendet që çojnë në garat ndërkombëtare dhe kjo përballje mund të jetë vendimtare për fatin e tyre në këtë sezon.

Po në Shkup, në lagjen Maxhari, Gostivari përballet me Shkupin, në një duel shqiptar ku të dyja skuadrat kanë nevojë për pikë – njëra për të siguruar pozitë më të mirë në mes të tabelës, tjetra për të shmangur çdo rrezik të mëtejmë. Dy përballjet e tjera të kësaj jave janë: Pelisteri – AP Brera, si dhe Vardari – Tikveshi, që plotësojnë javën e 27-të. /Telegrafi/

Java e 27, E diel ora 16:00: Gostivari – Shkupi, Rabotniçki – Struga, Shkëndija - Voska Sport, Sileksi – Besa, Pelisteri - AP Brera dhe Vardari – Tikveshi.

telegrafi sport app