Shkëndija e Tetovës po ndjek gjurmët e Skënderbeut të Korçës, klubit të vetëm shqiptar që ka arritur deri më sot në play-off të Ligës së Kampioneve, raporton Telegrafi.

Në sezonin 2015–2016, Skënderbeu kaloi tre kundërshtarë radhazi – Crusaders (Irlandë e Veriut), Milsami (Moldavi) dhe FC Astana (Kazakistan), përpara se të ndalej nga Dinamo e Zagrebit në raundin play-off-it.


Megjithatë, kjo arritje e kualifikoi direkt në fazën e grupeve të UEFA Ligës së Evropës , duke shënuar një arritje historike për futbollin shqiptar.

Në mënyrë të ngjashme, Shkëndija po ngjitet me vendosmëri në skenën evropiane. Gjatë këtij edicioni, kuqezinjtë nga Tetova kanë eliminuar në raundin e parë The New Saints (Uells), ndërsa mbrëmë arriti një triumf të madh ndaj FCSB (Steaua nga Rumania), klub me traditë dhe eksperiencë të pasur në Evropë.

Aktualisht, Shkëndija është kualifikuar në raundin e tretë të Ligës së Kampioneve, ku do të përballet me Qarabagun e Azerbajxhanit, kundërshtar me reputacion, por që nuk është i pakalueshëm.

Shkëndija tani më minimalisht ka siguruar 5 milionë euro të ardhura nga pjesëmarrja dhe fitoret në Ligën e Kampioneve, një shifër rekord kjo për një klub nga Maqedonia e Veriut.

Ky sukses financiar pritet të sjell stabilitet afatgjatë për klubin tetovar, duke i mundësuar investime në infrastrukturë, akademi dhe përforcime cilësore në skuadër.

Me një organizim serioz dhe një strategji të qartë, Shkëndija po vendos themelet e një epoke të re, duke dëshmuar se edhe ekipet nga Maqedonia e Veriut mund të jenë faktorë të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare. /Telegrafi/

telegrafi sport app