Prishtina vitin 2013 e nisi si kampion vjeshtor i edicionit 2012/13 të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll. Ajo kishte një avantazh prej katër pikëve më shumë se Trepça ’89 dhe Trepça që e ndiqnin pas me nga 30 pikë. Sidoqoftë, bardhekaltërit me ekipin e yjeve që kishin krijuar nuk e patën të vështirë ta ruanin këtë epërsi deri në përmbyllje të edicionit.

Afrim Tovërlani kishte konsoliduar një skuadër aq të mirë dhe aq kompakte saqë, në çdo ndeshje dominon plotësisht ndaj kundërshtarëve të tyre. E tërë kjo formë e mirë në fund u kurorëzua me titullin e kampionit në stadiumin e Prishtinës, dhe atë pikërisht përballë rivalit Trepça ’89.


Në takimin lamtumirës për këtë edicion bardhekaltërit të përkrahur nga Plisat që kishin ardhur në numër të madh, rreth 4.000, me një koreografi impresionuese për të kremtuar titullin e 10-të me skuadrën e tyre të zemrës, mposhtën Trepçën ’89 me rezultat 2:0.

prishtinatrepqa89

Prishtina në 33 ndeshjet e zhvilluara grumbulloi 73 pikë, 15 më shumë se konkurrenti i tyre i vetëm, Trepça ’89, që përfundoi në vendin e dytë.

prishtinakampionwide1

Mirëpo, suksesi i kësaj skuadre nuk përfundoi me kaq. Kjo super-skuadër e bardhekaltërve ishte krijuar për të hyrë në librat e historisë së futbollit kosovar dhe pikërisht këtë e arritën. Ata e bënë ata që nuk arriti ta bëjë asnjë ekip tjetër kosovar. Skuadra e Afrim Tovërlanit arriti ta fitojë Superligën e Kosovës dhe Kupën e Kosovës brenda një edicioni, pasi e mposhti në kryeqytet skuadrën e Ferizajt pas penalltive, me rezultat 4-3.

Stadiumi i kryeqytetit këtë ndeshje na i kujtoi kohërat legjendare kur luante i madhi Fadil Vokrri, e që mbushej përplot me tifozë për çdo të diele. Pjesa lindore e stadiumit ishte e mbushur përplot nga Plisat, ndërsa në anën tjetër ishin Ujqit që kishin ardhur për ta përkrahur Ferizajn. Stadiumi numëronte afro 10 mijë shikues.

Edhe pse Ferizaj e befasoi Prishtinën me një lojë shumë të bukur dhe pati shumë raste për të fituar, në fund fati ishte në anën e bardhekaltërve që me penalltinë e Labinot Ibrahimit e fituan këtë ndeshje.

Gëzimi i lojtarëve e i tifozëve ishte i paparë, të gjithë së bashku e vërshuan fushën e gjelbër duke festuar si të çmendur kurorën e dyfishtë të kësaj skuadre. Ministri për Kulturë, Rini dhe Sport, Memli Krasniqi, i shoqëruar nga kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, i ndanë medaljet dhe ia dhuruan kupën kapitenit të Prishtinës, Driton Krasniqit.

digitalbkupaekosoves

Përveç kësaj, Prishtina triumfojë edhe në turneun mbarëkombëtar “Kupa e Pavarësisë”, që u mbajt për nder të 101- vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, e në të cilin morën pjesë edhe Shkëndija e Tetovës, Otranto e Ulqinit dhe Flamurtari i Vlorës.

Prishtina në gjysmëfinale ngadhënjeu ndaj Shkëndijës pas penalltive me rezultat 4:2, ndërsa në finale e mposhti Flamurtarin e Vlorës gjithashtu pas penalltive 8:7 pasi ndeshja në kohën e rregullt përfundoi pa gola.

prishtinapavarsia

Deri këtu Prishtina shkëlqeu si asnjëherë më parë, mirëpo pas pushimit veror gjërat ndryshuan dhe gjithçka filloi të shkonte mbrapsht për kampionët e Kosovës.

Menjëherë pas përfundimit të këtij edicioni, në derën e klubit bardhekaltër vërshuan ofertat e klubeve të ndryshme për lojtarët dhe bartësit kryesorë të lojës së kësaj skuadre.

Prishtina u pajtua që t’i shesë lojtarët kryesorë si, Besnik Krasniqin, Mentor Mazrekajn, Labinot Ibrahimin e Behar Maliqin te Partizani i Tiranës, duke e prishur kështu bazën e kësaj skuadre të madhe. Përveç këtyre, ata humbën shumë edhe në repartin e sulmit, pasi dy sulmuesit kryesorë u larguan. Astrit Salihu iu bashkua Ferizajt, ndërsa Florim Bërbatovci, që njëherësh ishte edhe golashënuesi më i mirë i Superligës me 16 gola, shkoi jashtë vendit.

Partizani ekip

E çfarë bëri kryesia e skuadrës për t’i zëvendësuar këta super-lojtarë? Ajo bëri një gabim trashanik duke sjellur në klub lojtarë të rinj por pa përvojë të madhe për një skuadër të madhe siç është Prishtina, në të cilën presioni është si shujtë ditore.

Lojtarët që erdhën në klub ishin këta: Armend Mehmeti (KF. Australia), Sead Mifatri (Trepça), Flamur Shala (Feronikeli), Armend Thaçi (Hajvalia), Bledar Hajdini (Hysi), Valentin Lezi (Ballkani), Agron Gashi (Flamurtari), Albert Stublla (Sh. F. Kurda), Qëndrim Jahaj (Istogu), Berat Hyseni (Drenica), Isuf Llumnica (Trepça ’89), Ardian Potera (Besiana). Por, asnjëri prej tyre nuk arriti të bëjë ndonjë impakt të madh në këtë skuadër, e assesi ta plotësojnë boshllëkun që lanë lojtarët e larguar.

Kjo gjë u pa shumë mirë në stinorin vjeshtor të edicionit 2013/14, ku bardhekaltërit luanin pa ndonjë strategji të qartë, nuk ishin aspak afër formës së viti të kaluar, dhe rrallëherë shfaqnin lojë të bukur e të shpejtë siç e ka në traditë Prishtina. Skuadra nuk funksiononte siç duhej, mungonin golat, mungonte vetëbesimi i lojtarëve, dhe pas rezultateve të dobëta, skuadra e morri teposhtën dhe hyri në krizë.

Kriza në klub u thellua kur me 13 nëntor skuadra u eliminua nga Digitalb Kupa e Kosovës, ku u mposht nga skuadra modeste e Vllaznisë së Pozheranit pas ekzekutimit të penalltive. Prishtina u mposht pas ekzekutimit më të dobët të penalltive në fushën e Pozheranit nga Vllaznia nikoqire (3:4), pasi që koha e rregullt kishte përfunduar me rezultatin fillestar. A nuk është turp të humbësh nga një skuadër e kategorisë së tretë të futbollit të Kosovës apo sipas emërtimit ligës së dytë, gjykojeni vetë.

Në përfundim të stinorit vjeshtor të Raiffeisen Superligës së Kosovës, Prishtina u pozicionua e pesta në tabelë, me hiç më pak se 10 pikë diferencë nga lideri i ri, Llamkos Kosova, që ka tubuar 37 sosh. Me vetëm tetë fitore në 17 ndeshje, lirisht mund të themi se Prishtina po kalon një ndër stinorët më të keq në histori. E kush është fajtor për këtë? Shumë njerëz e kanë drejtuar gishtin kah kryesia e klubit, e shumë të tjerë të trajneri, Afrim Tovërlani.

Toverlani

Megjithatë, duket se anëtarët e Bordit të klubit “bardhekaltër” e kishin parasysh faktin se në verë nga skuadra u larguan shumë futbollistë dhe kjo ia pamundësoi Tovërlanit që të ndërtojë një skuadër konkurruese për titull.

“Në mbledhjen e Bordit e kemi shqyrtuar rrjedhën e stinorit vjeshtor dhe të gjithë jemi shprehur të pakënaqur me rezultatet e arritura, mirëpo kemi vendosur që të vazhdojmë me trajnerin Afrim Tovërlani. Ai e ka përkrahjen tonë dhe jemi të bindur se në pranverë skuadra do të shfaqë lojëra shumë më të mira. Natyrisht edhe ne si Bord do të japim kontributin tonë që në skuadër gjatë afatit kalimtar të sjellim përforcimet e duhura. Shkëmbim Salihu është përforcimi i parë, por nuk do të jetë i fundit”, deklaroi nënkryetari i klubit, Afrim Muçiqi, për RTK.

Derisa Bordi i ka dhënë mbështetje Tovërlanit, numri një i klubit “bardhekaltër”, Remzi Ejupi, është ‘përkujdesur’ që ta mbajë nën presion trajnerin aktual, duke e lënë të hapur mundësinë që në pranverë skuadrën ta drejtojë ndonjë trajner i huaj.

“Edhe pse aktualisht skuadrën e drejton Tovërlani, mund të ndodhë që njëri prej dy trajnerëve me të cilët kam zhvilluar bisedime të vijë. Kemi të bëjmë me një trajner boshnjak dhe një kroat, por aktualisht nuk kemi ndonjë marrëveshje me asnjërin prej tyre”, ka thënë Ejupi.

Tani, lind pyetja se a do të mund të këndellët Prishtina në vitin e ardhshëm dhe t’i rikthehet luftës për titull? A do të mund ta mbajë hapin me një skuadër në top-formë dhe me vullnet të madh siç është Llamkos Kosova? Çfarë duhet të bëjë kryesia e klubit që ta tejkalojë këtë krizë. Ju ftojmë që të na jepni mendimet tuaja në hapësirën për komente... /Telegrafi/