LAJMI I FUNDIT:

Shitja e një apartamenti në Hong Kong vendos rekord të ri në Azi

Shitja e një apartamenti në Hong Kong vendos rekord të ri në Azi

Hong Kongu mund të jetë në recesionin e tij më të keq në vite por tregu i tij i pronave luksoze është ende i lulëzuar pasi një apartament me pesë dhoma gjumi theu rekord, me një çmim prej 59 milionë dollarësh.

Ndërsa ka pasur prona më të shtrenjta të shitura në Hong Kong, apartamenti në një lagje të pasur vendosi një pikë referimi të re për çmimin për metra katrorë, përcjell Telegrafi.


Kjo shitje megjithatë, e raportuar nga media lokale të mërkurën dhe e regjistruar në regjistrin e zhvillimit të transaksioneve, ilustron pabarazinë e zymtë në Hong Kong.

Vendi po përballet me paqëndrueshmëri politike e shoqëruar me coronavirusin që ka goditur ekonominë dhe papunësia aktualisht është në 6.6 përqind, më e larta në 16 vjet.

Por shitjet e pronave luksoze sugjerojnë që super të pasurit “po e përballojnë stuhinë” shumë mirë.

Çmimi i paguar është dhënë nga një blerës i paidentifikuar për pronën në rrugën 21 Borrett – një kullë luksoze e ndërtuar rishtas.

Hong Kongu është një qytet me kontraste të mëdha – ku të moshuar të varfër mund të shihen duke mbledhur kartonë për të ricikluar në rrugët e mbushura me super vetura dhe dyqane të mallrave luksoze.

Qeveritë e njëpasnjëshme nuk kanë arritur të trajtojnë pabarazinë ose mungesën e strehimit, diçka që ndihmoi në nxitjen e protestave të mëdha të demokracisë në vitet e fundit.

Një raport i vitit 2019 nga firma e pasurive të patundshme CBRE e renditi Hong Kongun si qytetin më të shtrenjtë për pronën e banimit.

Por një raport atë vit nga UBS tha se një “punëtori të aftë” i duheshin 22 vjet të ardhura për të blerë një banesë 60 metra katrorë.

Ndërkohë sipas raportit të pasurisë globale të Knight Frank, numri i miliarderëve në Hong Kong u rrit nga 40 në 2013 në 71 në 2019, duke i dhënë qytetit një nga raportet më të larta të miliarderëve për frymë në botë. /Telegrafi/