Shiti dy herë banesën, prangoset 48-vjeçari - shpallet në kërkim noterja në Tiranë

Policia e Shtetit ka bërë të ditur se ka arrestuar 48-vjeçarin në Tiranë pasi i njëjti dyshohet se ka shitur dy herë banesën e tij, ndërsa është shpallur në kërkim noterja që përpiloi dy kontrata shitjeje për të njëjtën pronë.
Policia po ashtu ka njoftuar edhe për një rast tjetër të mashtrimit me apartament.
“Gjatë 24 orëve, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare vë në pranga autorët e dy rasteve të mashtrimit. Arrestohet një 31-vjeçar që i mori një shtetasi, 75 000 euro, duke e mashtruar se do t’i blinte një apartament në kryeqytet. Arrestohet një 48-vjeçar që shiti 2 herë, apartamentin e tij, ndërkaq shpallet në kërkim noterja që përpiloi 2 kontrata shitjeje për të njëjtën pronë”, thuhet në njoftim.
M.Q., 31 vjeç, është arrestuar pasi për më shumë se një vit, i ka marrë një 34-vjeçari, 75 000 euro, duke e mashtruar se do të blinte për llogari të tij një apartament.
Ndërkaq, rasti tjetër, N. K., 48 vjeç është arrestuar pasi ka shitur dy herë, apartamentin e tij.
“Në vijim të hetimeve për këtë rast u identifikua dhe u shpall në kërkim noterja që dyshohet se ka përpiluar 2 herë kontrata për shitjen e këtij apartamenti, shtetasja M. D., 57 vjeçe. Punohet për lokalizimin dhe kapjen e saj”, thuhet në njoftim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme. /Telegrafi/







































