LAJMI I FUNDIT:
Prizreni 10° rain

Shërbimi i Kardiologjisë Intervente në Spitalin e Prizrenit shpëton jetë, qindra shërbime në tetë muaj

Shërbimi i Kardiologjisë Intervente në Spitalin e Prizrenit shpëton jetë, qindra shërbime në tetë muaj

Funksionalizimi i Shërbimit të Kardiologjisë Intervente – Laboratori i Kateterizimit, sipas përgjegjësve në Spitalin e Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren ka sjellë mundësi të reja për ofrimin e shërbimeve dhe trajtimin e pacientëve me sëmundje kardiovaskulare.

Ky shërbim, sipas njoftimit të këtij spitali, përfshin ndërhyrje të tilla si koronografi dhe stentime, si dhe intervenime të ndërlikuara, siç është vendosja e pacemakerit, raporton Telegrafi.

Shefi i Repartit Koronar dhe Përgjegjësi i Kardiologjisë Intervente, Dr. Fazli Berisha, ka pohuar se nga qershori i vitit të shkuar janë realizuar qindra shërbime.


“Që nga data 14 qershor 2024, kur u bë inaugurimi dhe fillimi i punës, deri më 26 shkurt 2025, janë kryer 451 koronografi, 155 stentime dhe një rast i vendosjes së pacemakerit. Gjatë kësaj periudhe, janë realizuar edhe raste të ndërlikuara, siç është vendosja e pacemakerit nga ekipi i kardiologëve invazivë të QKUK dhe Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit. Ky ishte rasti i parë në spitalin tonë dhe përfshinte vendosjen e pacemakerit dhe stentimin te një pacient me bllok total atrioventrikular dhe që ishte hemodinamikisht jo stabil. Pas dërgimit të pacientit në Laboratorin e Kateterizimit dhe me thirrjen e ekipit të anestezionit, iu vendos pacemaker dhe u realizua edhe koronografia, duke përfshirë stentimin. Ky intervenim u realizua me sukses dhe pa asnjë komplikacion” ka theksuar Berisha, ka njoftuar Spitali i Prizrenit, raporton Telegrafi.

Drejtoresha Ekzekutive e Spitalit, Dr. Narqize Arënliu Hoxhaj, ka vlerësuar se Shërbimi i Kardiologjisë Intervente – Laboratori i Kateterizimit ofron mundësi për të shpëtuar jetë.

“Reagimi adekuat dhe i shpejtë është shumë i rëndësishëm në emergjencat kardiake. Angazhimi i stafit dhe mbështetja e institucioneve, si Qeveria e Kosovës, Ministria e Shëndetësisë, SHSKUK dhe Qeveria e Luksemburgut, janë faktorët kyç për arritjen e këtyre rezultateve. Këto rezultate janë një motivim për ne si menaxhment dhe stafin e spitalit për të vazhduar me përmirësimin dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve dhe për t’i ofruar shërbimet më pranë pacientëve, pa pasur nevojë të shkojnë në QKUK ose institucione të tjera shëndetësore, brenda dhe jashtë vendit”, ka thënë ajo, sipas njoftimit të Spitalit, raporton Telegrafi.

Për funksionalizimin e Shërbimit të Kardiologjisë Intervente – Laboratori i Kateterizimit, Ministria e Shëndetësisë dhe SHSKUK kanë investuar rreth 1 milion euro për planin arkitekturor, punët infrastrukturore, materialet shpenzuese dhe medikamentet e nevojshme. Ndërsa Qeveria e Luksemburgut ka investuar 2 milion euro për sigurimin e pajisjeve mjekësore të nevojshme, mobilimin e laboratorit dhe trajnimet profesionale të stafit brenda dhe jashtë Kosovës. /Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Gjesti pështyn Eglin në fytyrë, pamjet bëjnë xhiron në rrjetet sociale

Gjesti pështyn Eglin në fytyrë, pamjet bëjnë xhiron në rrjetet sociale

Magazina
Formimi i institucioneve të reja, dekreti për seancën konstituive pritet të publikohet sot

Formimi i institucioneve të reja, dekreti për seancën konstituive pritet të publikohet sot

Lajme
Shpërthimi në Zyrën Postare në Zveçan, Posta e Kosovës: Nuk zmbrapsemi nga ofrimi i shërbimeve, autoritetet kompetente të hetojnë rastin

Shpërthimi në Zyrën Postare në Zveçan, Posta e Kosovës: Nuk zmbrapsemi nga ofrimi i shërbimeve, autoritetet kompetente të hetojnë rastin

Lajme
Kurti: Dënoj fuqishëm sulmin ndaj objektit të Postës në Zveçan, qëndrimi në liri i kriminelit Radoiçiq është mesazh i rrezikshëm

Kurti: Dënoj fuqishëm sulmin ndaj objektit të Postës në Zveçan, qëndrimi në liri i kriminelit Radoiçiq është mesazh i rrezikshëm

Lajme
Putin urdhëron lëvizjen më të madhe të rekrutimit që nga fillimi i luftës në Ukrainë

Putin urdhëron lëvizjen më të madhe të rekrutimit që nga fillimi i luftës në Ukrainë

Botë
Dodik shfaqet nga Moska

Dodik shfaqet nga Moska

Bosnja
Kalo në kategori