LAJMI I FUNDIT:

​Shënon ngritje indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale dhe bimore

​Shënon ngritje indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale dhe bimore

Në tremujorin e dytë 2020, indeksi i çmimeve të prodhimeve blegtorale ka shënuar rritje me 7.89%, ndërsa indeksi i çmimeve të prodhimeve bimore ka rritje me 7.25% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019, ka bërë të ditur sot Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).

Në raportin më të ri për Indeksin e Çmimeve të Prodhimeve dhe Çmimet në Bujqësi” për tremujorin e dytë 2020, thuhet se indeksi i përgjithshëm i prodhimeve bujqësore ka rritje për 7.69%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019.

Ky publikim është i bazuar në grumbullimin e çmimeve të prodhimeve bujqësore vendore në Kosovë. Grumbullimi i të dhënave është bërë në treg, ferma dhe vende të tjera, ku çmimet e prodhimeve bujqësore mund të grumbullohen.


Prodhimet që krijojnë bazë për indeksin e çmimeve të prodhimeve bujqësore janë ndarë në dy grupe kryesore: Prodhimet bimore dhe ato blegtorale. Në kuadër të prodhimeve bimore, çmimet janë grumbulluar për këto grupe: drithëra, bimë foragjere, perime, patate dhe pemë.

Në prodhimet blegtorale çmimet janë grumbulluar për blegtorinë dhe prodhimet blegtorale. Në kuadër të blegtorisë, çmimet grumbullohen për katër kategori të kafshëve: gjedhe, dele, derra dhe pula. Këto çmime janë bazuar në peshën e gjallë të kafshëve.

Në kuadër të prodhimeve blegtorale çmimet janë grumbulluar për: qumësht, vezë dhe mjaltë. Të gjitha çmimet janë llogaritur në euro dhe njësitë matëse janë në: kg, litër dhe copë./Telegrafi/