Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Bifurkacioni” ka njoftuar se një pjesë e konsumatorëve në Komunën e Kaçanikut do të përballen sot me ndërprerje të furnizimit me ujë të pijshëm.

Mungesa e ujit pritet të prekë zonën e qytetit, lagjen Dushkaja, si dhe fshatrat Bob, Kovaqec dhe Runjevë, përcjell Telegrafi.


Sipas kompanisë, ndërprerja ka ardhur si pasojë e shembjeve të dheut në segmentin ku kalon rrjeti kryesor i ujësjellësit të Lubotenit, prej nga furnizohen këto zona.

Ekipet teknike të mirëmbajtjes janë në terren dhe po punojnë për sanimin e defektit, me qëllim që furnizimi të rikthehet sa më shpejt që të jetë e mundur.

KRU “Bifurkacioni” u ka bërë thirrje konsumatorëve për mirëkuptim, derisa punimet për riparimin e rrjetit po vazhdojnë. /Telegrafi/