SHBA-të do të dërgojnë aeroplanmbajtëse dhe asete ushtarake në Lindjen e Mesme, mes tensioneve me Iranin

Një grup sulmues i aeroplanmbajtëseve ushtarake amerikane dhe asete të tjera do të mbërrijnë në rajonin e Lindjes së Mesme në ditët në vijim.
Kështu siç shkruan Reuters, përcjell Telegrafi, kanë thënë të enjten dy zyrtarë amerikanë, edhe pse presidenti i SHBA-së, Donald Trump, shpreh shpresë për të shmangur veprime të reja ushtarake kundër Iranit.
Sipas mediumit në fjalë, anijet luftarake amerikane, përfshirë aeroplanmbajtësen USS Abraham Lincoln, disa shkatërrues dhe aeroplanë luftarakë, filluan të lëvizin nga Azia-Paqësori javën e kaluar, ndërsa tensionet midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara u rritën pas një shtypjeje të ashpër të protestave në të gjithë Iranin në muajt e fundit.
Një nga zyrtarët theksoi se sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore po drejtohesin gjithashtu për Lindjen e Mesme.
Shtetet e Bashkuara shpesh rrisin nivelet e trupave amerikane në Lindjen e Mesme në momente tensionesh të larta rajonale, diçka që ekspertët vërejnë se mund të jetë tërësisht mbrojtëse.
Megjithatë, ushtria amerikane organizoi një grumbullim të madh trupash verën e kaluar përpara sulmeve të saj të qershorit kundër programit bërthamor të Iranit dhe më vonë u mburr se si e mbajti sekret qëllimin e saj për të sulmuar.
Trump kishte kërcënuar vazhdimisht të ndërhynte kundër Iranit për shkak të vrasjeve të fundit të protestuesve atje, por protestat u pakësuan javën e kaluar dhe “retorika e Trump në lidhje me Iranin është zbutur”.
Ai e ka kthyer vëmendjen e tij në çështje të tjera gjeopolitike, përfshirë Grenlandën.
Të mërkurën, Trump tha se shpresonte që të mos kishte veprime të mëtejshme ushtarake amerikane në Iran, por tha se Shtetet e Bashkuara do të vepronin nëse Teherani do të rifillonte programin e tij bërthamor.
"Ata nuk mund ta bëjnë programin bërthamor", i tha Trump CNBC-së në një intervistë në Davos të Zvicrës, duke vënë në dukje sulmet e mëdha ajrore të SHBA-së në objektet bërthamore të Iranit në qershor 2025. "Nëse e bëjnë, do të ndodhë përsëri". /Telegrafi/



















































