LAJMI I FUNDIT:

SHBA sërish e përqendruar në Ballkanin Perëndimor

SHBA sërish e përqendruar në Ballkanin Perëndimor

Përfaqësuesi i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Mathhew Palmer, tha se me emërimin e tij në këtë pozitë, SHBA-ja tregon se është sërish e përqendruar në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Palmer i bëri këto komente të hënën në Podgoricë, në takim me kryeministrin e Malit të Zi, Dushko Markoviq.

Sipas një komunikate të lëshuar nga zyra e Markoviqit, Palmer tha se Mali i Zi është shteti më i suksesshëm multietnik në rajon dhe se “nuk është rastësi që Mali i Zi është shteti i parë që viziton pas marrjes së detyrës”.


Palmer u emërua përfaqësues për Ballkanin nga Departamenti amerikan i Shtetit më 30 gusht.

Duke e uruar për këtë post, Markoviq tha se vendimi për emërimin e Palmerit paraqet mundësi reale për përshpejtimin e realizimit të qëllimeve strategjike dhe se kontribuon në stabilitetin e gjithë rajonit, transmeton REL.

Markoviq e cilësoi Palmerin si “njohës të shkëlqyeshëm të Ballkanit”.

Duke folur për Malin e Zi, Markoviq theksoi “suksesin e politikës ekonomike të Qeverisë”, e cila, sipas tij, jep “rezultate të shkëlqyeshme në zhvillim”.

Palmer bisedoi edhe me presidentin e Malit të Zi, Millo Gjukanoviq.