SHBA-ja rrezikon të kthejë qindra miliarda dollarë nga tarifat doganore

SHBA-ja mund të detyrohet të kthejë qindra miliarda dollarë të mbledhura nga tarifat.
Shtetet e Bashkuara mund të detyrohen të rimbursojnë të ardhurat e mbledhura nga tarifat doganore nëse Gjykata e Lartë e SHBA-s e shpall të paligjshme politikën e tarifave, tha presidenti amerikan, Donald Trump.
Sipas Trumpit, shumat që mund të duhen kthyer arrijnë në qindra miliarda dollarë, dhe ai vlerëson se nuk sheh se si këto para mund të kthehen pa shkaktuar dëme për një numër të madh njerëzish.
“Shtetet e Bashkuara mund të detyrohen të rimbursojnë të ardhurat nga tarifat doganore nëse Gjykata e Lartë shpall politikën e tarifave të paligjshme”, tha lideri amerikan, raporton cnbc.
Vendimi i Gjykatës së Lartë mbi ligjshmërinë e tarifave të vendosura nën International Emergency Economic Powers Act është akoma në pritje - Gjykata tërhoqi vendimin e planifikuar në seancën e fundit dhe nuk dha një afat të ri, duke e shtyrë mundësinë e një vendimi për disa javë, ndoshta deri më 20 shkurt.
Nëse gjykata i shpall tarifat të paligjshme, kjo mund të çojë në kërkesa për rimbursime nga importuesit amerikanë për tarifat që kanë paguar, dhe ekspertët juridikë thonë se kjo çështje do të jetë komplekse për t’u zbatuar praktikisht. /Telegrafi/




















































