LAJMI I FUNDIT:

SHBA forcojnë praninë ushtarake, në hapësirën që i morën Moskës 30 vite më parë

SHBA forcojnë praninë ushtarake, në hapësirën që i morën Moskës 30 vite më parë

Për trupat amerikane Europa e mesit është sërish qendrore. Polonia është pararoja e rreshtimit antirust. Në NATO, Gjermania mbetet e mbikëqyrura speciale pasi vendimtare për të kontrolluar kontinentin.

“To keep the americans in, the Russians out and the Germans down”. Vështirë të gjesh një shprehje më të mirë për të sintetizuar kuptimin e thellë që qëndron në themelin e krijimit të NATO-s, organizatës mitike të sigurisë që nën egjidën e Uashingtonit ka salduar hapësirën euroatlantike duke i sjellë paqe e begati pas masakrave dhe shkatërrimeve të Luftës së Dytë Botërore. Dhe që prej më shumë se gjysmëshekulli përbën kodin nëpërmjet të cilit deshifrohet qëndrimi i Numrit Një në Kontinentin e Vjetër.

Postulati i ndritshëm i atribuohet Lordit Hastings Lionel Ismay, strateg i shquar i Perandorisë Britanike që mbajti postin e Sekretarit të Përgjithshëm të parë të Aleancës midis viteve 1952 e 1957. I lindur në posedimet indiane e Madhërisë së Tij dhe i përkushtuar karrierës ushtarake në Angli, Lordi Ismay qe këshilltari më i ngushtë i Winston Churchill në kohën e ndeshjes me Gjermaninë naziste. Pas lufte vazhdoi t’i shërbejë Kurorës britanike me cilësinë e Sekretarit të Shtetit për Marrëdhëniet me Commonwealth deri kur u propozua nga vetë Kryeministri britanik për postin në NATO, në atë kohë e ndodhur në Paris.


Lordi Ismay ka zënë një vend të spikatur në Panteonin e Aleancës duke i plazmuar me sukses aparatin burokratiko – administrativ. Pas një ngurrimi fillestar për të pranuar postin parisian, Ismay u bë shpejt një prej mbështetësve më të zjarrtë të organizatës transatlantike dhe i qasjes stabilizuese në rregullimin ende të brishtë europianoperëndimor. Në fakt, vështirë të nxjerrësh një zgjidhje më të mirë për dilemën vrastare gjeostrategjike që fshikullonte liberaldemokracitë e fishkura e Kontinentit të Vjetër të nesërmen e triumfit ndaj Hitlerit. Duke filluar nga vetë Anglia.

I konsumuar çdo resurs në përpjekjen çnjerëzore luftarake, gjatë pasLuftës së Dytë Londra nuk ishte më në gjendje të ushtronte funksionin e garantuesit tradicional të ekuilibrit europian të forcës, i copëtuar nga kaskada e konflikteve të ‘900 dhe së fundmi i kërcënuar nga penetrimi sovjetik deri brenda zemrës së Europës. Por frenimi i rivalit historik rus ishte vetëm ndryshorja ezoterike e një funksioni shumë më kompleks që i jepte të njëjtit dinjitet ruajtjes në pozicion nënshtrimi të Gjermanisë së mundur, e vetmja që kishte shfaqur resurset ushtarake, industrial e teknologjike të nevojshme për të rrezikuar dominimin kontinental në 150 vitet e fundit.

Objektiv me rëndësi absolute, që ndoshta do të mund të rezultojë i shfryrë apo deri i tejkaluar pas 70 vitesh paqe, por që në kohë ishte tragjikisht i gjallë në kujtimet e kish përballuar dy luftëra botërore për t’ju kundërvënë hegjemonisë së Berlinit. Çelësi i ngrehinës antiruse/antigjermane qe ankorimi i vendosur europian i Shteteve të Bashkuara, i siguruara të nesërmen e konfliktit nga vendimi i tyre për të themeluar Paktin e Atlantikut, në gjendje që të yshtë një herë e përgjithmonë pulsionet e thella izolacioniste, me braktisjen relative të kontinentit në fatin e tij të trazuar pavarësisht ndërhyrjes vendimtare kundër Rajhut të Dytë.

Më shumë se çdo gjë tjetër, Aleanca e sapolindur pati meritën e paarritshme që përmblodhi plotësisht nevojat e sigurisë europiane me objektivat finalë e strategjisë së madhe të Uashingtonit, ndërhyrja e dyfishtë e të cilit në luftërat civile europiane në pak se një gjysmëshekulli ishte diktuar nga imperative kategorik për të luftuar me çdo kosto e me çdo mjet ngjitjes e çfarëdo aktori rajonal i prirur që të dominojë – i vetëm apo duke krijuar koalicion – masën e madhe e Eurazisë.

Tendenca gjeopolitike afatgjata, trashëgimi luftarake të ‘900 dhe raporte të reja të forcës në botën anglosaksone arritën të nguliteshin kështu në krijimin e aleancës historike mbrojtëse. E konceptuar, siç tregohet pa doreza nga vetë Ismay, për të lidhur amerikanët me Europën, zmbrapsur rusët dhe mbajtur të nënshtruar gjermanët.

Në shekullin e XXI, NATO mbetet një instrument thelbësor për ushtrimin e influencës politike dhe ushtarake amerikane në Europë. Edhe pas mbarimit të Luftës së Ftohtë dhe shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, superfuqia vazhdon ta shikojë Kontinentin e Vjetër si një gur themelor të perandorisë së tyre globale informale. Jo vetëm në funksion të niveleve të tyre të paarritshme të mirëqenies e pasurisë.

Në fakt, Europa përfaqëson një bastion të domosdoshëm për të siguruar mbrojtjen e Atlantikut në Hemisferën Perëndimore, si edhe për të ushtruar frenimin vendimtar euraziatik. I rrethuar nga një hark paqëndrueshmërie që shkon nga Afrika Veriore në Lindje të Mesme dhe që vazhdon drejt veriut duke përqafuar në vijim Kaukazin, kufijtë perëndimorë të Federatës Ruse dhe pjsë të Skandinavisë, Gadishulli Europian shërbën veç të tjerash si platformë e paçmueshme logjistike për t’u projektuar me vrull në disa rajone kyçe të planetit. Si Lindja e Mesme, Afrika objekt i penetrimit në rritje kinez dhe hapësira gjithnjë e më të kontestuar arktike.

Periferia detare e saj është e shënuar nga qafa shishesh nevralgjike, tipar që ia shumëfishon pafundësisht vlerën për të mbështetur primatin e vet global mbi kontrollin e rrugëve detare. Për arsye të tilla strategjike, sot kuptimi i pranisë ushtarake amerikane në Kontinentin e Vjetër arrin që ta tejkalojë atë të ankorimit tradicional euroatlantik të superfuqisë. Në fakt, Uashingtoni investon në forcimin e kapaciteteve të veta ushtarake në Europë tashme prej disa vitesh dhe pa u dashur që të kalojë domosdoshmërisht nëpër kornizën NATO.

Zyrtarisht është për t’u reaguar ndaj ngjarjeve të vëna në lëvizje nga kriza në Ukrainë e 2014, megjithëse motivacionet e thella natyrisht që janë të tjera. Të vetëdijshëm për faktin që hapësira europiane po kthehet me shpejtësi në qendër të kompeticionit të drejtpërdrejtë midis fuqive të mëdha, Shtetet e Bashkuara përgatiten që ta mbrojnë sferën e tyre të influencës dhe ta blindojnë primatin rajonal. Edhe në fushën ushtarake. Siç e shpjegoi në Senatin amerikan ish Komandanti Suprem i EUCOM-it, Gjenerali Curtis M. Scaparrotti, në këtë fazë është për t’u rizbuluar vokacioni historik luftarak i komandës europiane, duke e rikalibruar mbi dekurajimin dhe mbrojtjen pasi që gjatë viteve të fundit ka qenë e zënë me aktivitetet e bashkëpunimit të sigurisë me aleatë dhe partnerë.

Nëse në gjysmën e dytë e ‘900 linja e frenimit antiruse shtrihej përgjatë aksit Shçeçin – Trieste, aktualisht elementi i madh i risisë jepet nga perimetri i zonës së individualizuar nga strategët amerikanë për të dominuar hapësirën kontinentale dhe refuzuar me vendosmëri iniciativat kundërshtare. Bëhet fjalë për territore të Europës Qendrolindore të ndodhura midis Detit Balltik, Detit të Zi dhe Detit Adriatik, dikur tributare, ku më shumë e ku më pak, e perandorisë sovjetike dhe sot destinatare të pjesës më të madhe të vëmendjeve të sigurisë të ushtruara nga administratat Obama dhe Trump.

Formalisht, për të mbështetur aleatët europianë më të ekspozuar ndaj presionit të perceptuar rus dhe, për këtë motiv, të prirura formalisht që të kërkojnë mbrojtjen amerikane. Strategjikisht, për t’u future në mënyrë sa më të qëndrueshme në tokat ku dikur dominonte Ushtria e Kuqe, duke e shtyrë me disa qindra kilometra në lindje Perden e Hekurt të lashtë.

Në një epokë të shënuar nga fshikullimat e banorit të Shtëpisë së Bardhë kundër ngurrimit europian për të investuar në sigurinë e vet, një tregues i kapjes amerikane pas Kontinentit të Vjetër gjendet – në se do të kishte qenë nevoja – tek European Deterrence Initiative (EDI), program asistence financiare për Mbrojtjen i lançuar nga administrata Obama në qershorin e 2014 dhe i rinovuar për vit nën presidencën Trump. Në vitin fiskal 2019 ka arritur 6.5 miliard dollarë.

Tipar dallues i EDI-t nuk është vetëm vëllimi i masës financiare të vënë në dispozicion të EUCOM-it, që megjithatë është i konsiderueshëm: mundëson rotacionin e forcave në teatrin luftarak, kryerjen e manovrave ushtarake me aleatët e NATO-s dhe partnerët rajonalë, dislokimin e materialit luftarak amerikan në Kontinentin e Vjetër dhe realizimin e infrastrukturave të çmuara. Mbi të gjitha vlen zgjedhja për të mos e zëvendësuar, por për ta rritur buxhetin e caktuar për trupat dhe mjetet amerikane e dislokuara në teatrin europian.

Si provë e qartë e centralitetit të pandryshuar të saj dhe me paqen e mirë e skeptikëve, e teoricienëve të çimpenjimit amerikan nga kjo pjesë e globit dhe, mbi të gjitha, pavarësisht nga nxitjet për aleatët – sidomos atyre europerëndimorë – me qëllim që të shpenzojnë më shumë (dhe më mirë) për mbrojtjen e tyre.

Në procesin e penetrimit progresiv ushtarak amerikan në Europën ish sovjetike, vendi i nderit i takon Polonisë. Qysh nga viti 2004 seli e Joint Force Training Center të NATO-s – komando që merret me stërvitjen në nivel taktik të forcave aleate, pas 2014 vendi europianolindor ka rezultuar vërtet qendror. Midis programeve të Pentagonit që synojnë rikalibrimin e qasjes ushtarake në Europë në dritën e nevojave të reja të konkurrencës midis fuqive të mëdha spikat Atlantic Resolve, operacion i financuar tërësisht nga EDI-ja që konsiston në rirreshtimin e përtejoqeanit të njësive tokësore e ajrore të bazuara në Shtetet e Bashkuara kontinentale, për rreth 9 muaj kohë dhe me cikël të vazhdueshëm. Këto njësi janë përdorur me funksione shkurajuese dhe për të kryer aktivitete stërvitore me forcat aleate dhe partnerët rajonalë në Estoni, Letoni, Lituani, Poloni, Hungari, Rumani e Bullgari.

Aktualisht ushtria amerikane rreshton në Europën Lindore nga Fort Riley (Kansas) Brigadën e Korracuar e Divizionit të 1-rë të Këmbësorisë, e zbarkuar në Kontinentin e Vjetër në shkurt me rreth 3500 ushtarakë, 80 topa, 130 mjete të blinduara dhe 15 gruka artilerie dhe disa qindra mjete mbështetëse me zinxhirë dhe me rrota. Pjesa më e madhe e njësisë është pozicionuar në territorin polak, ndërsa pjesë të saj ndarë midis Bullgarisë (Novo Selo), Hungarisë (Tata) dhe Rumanisë (baza ajrore Mihail Koganiceanu). Kurse Skuadroni i 3-të i Regjimentit të 278-të të Kavalerisë së Korracuar të Gardës Kombëtare të Tennessee vepron në fakt nga Orzysk, qendër e vogël urbane rreth disa qindra kilometra larg nga çarja strategjike e Suwałki, që ndaj Kaliningradin dhe Bjellorusinë.

Njësia drejton një prej 4 batalionëve multikombëtarë të NATO-s të rreshtuar në Europën Lindore në kuadrin e Enhanced Forward Presence të Aleancës, operacion i lançuar edhe ai për të frenuar Rusinë dhe mbështetët aleatët lokalë. Gjithmonë në Poloni është e pranishmë një pjesë e Brigadës Ajrore, e ardhur në Europë në fillim të vitit me 1900 ushtarakë dhe mbi nja 100 helikopterë në vijim midis mjeteve luftarake dhe transportuese (pjesë të tjera të njësisë janë rreshtuar në Gjermani, Letoni e Rumani), ndërsa në mars kanë filluar operacionet e një largimi të UAV-ëve MQ-9 Reaper për survejim me rreze të gjatë të japësirës ajrore polake e balltikase nga baza e Mirosławiec në Pomeraninë perëndimore.

Me Atlantic Resolve janë vendosur në Europën Lindore edhe shtabi qendror i Divizonit të 1-rë të këmbësorisë, që operon nga Poznani për t’u garantuar kapacitete komanduese taktike mbi 5000 ushtarakëve amerikane të pranishëm me rotacion në vend, bashkë me personelin e Task Forcës Logjistike të thirrur për t’i mbështetur evolucionet, nga ana e saj e ndarë midis Poznanit dhe Powidz. Ky aspekt i fundit nuk është aspak dytësor, përdeirsa përmirësimi i lidhjes ushtarake në territorin europian është vendimtar për ta bërtet të besueshme dhe parasëgjithash të mbështetshme praninë e forcave të armatosura amerikane përtej (ish) Perdes së Hekurt.

Nëse në vitet ’70 e ’80 të ‘900 divizionet amerikane e ndodhura në Gjermani llogarisnin që ju duhej të bënin edhe më pak se 300 kilometra përpara se të hynin në veprim në kurriz të kufirit ndërgjerman, sot njësitë e ardhura nga të njëjtat garnizone mund të mbulojnë edhe më shumë se 2000 kilometra  nëqoftëse thirren për të pozicionuar në zonat e Balltikut apo të Detit të Zi. Në muajin shkurti, vetëm për të arritur në Poloni nga porti zbarkues i Anversës, Brigada e 1-rë e Blinduar ka udhëtuar për rreth 900 kilometra.

Gjithmonë në Poloni, në bazën ajrore të Powidz, është në rrugë ndërtimi më lindorja e depove të materialit luftarak amerikan të pranishme në territorin europian. Punimet financohen nga NATO pasi vendi futet në 250 projektet e konsideruara si vendimtare për të përmirësuar systemin infrastrukturor ndëraleat dhe kapacitet respektiv për të marrë dhe lëvizur pajim të rëndë nëpërmjet Europës. Më 2021 Powidz do të duhet t’i bashkohet rrjetit global të depove amerikane të armatimit që në Kontinentin e Vjetër numërojnë tashmë 4 struktura të tilla në Dülmen e Miesau-Mannheim (Gjermani), Eygelshoven (Holandë) dhe Zutendaal (Belgjikë) për të plotësuar nevojat kontinentale të ushtrisë amerikane. Secila depo është në gjendje që të furnizojë një brigadë të tërë tokësore dhe, në kompleks, sapo të bëhet operativ edhe Powidz, depot europiane do të mund të pajisin një divizion të blinduar të tërë.

Pozicioni paraparak i pajimeve ushtarake ishte norma në kohën e Luftës së Ftohtë, kur Shtetet e Bashkuara spostonin pa paralajmërim divizione të tëra nëpërmjet Atlantikut për t’u demonstruar forcave të Traktatit të Varshavës se dinin të reagonin energjikisht ndaj krizave. Pjesërisht e harruar pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, ky kapacitet është në rrugë rikuperimi prej të paktën 5 vitesh: në mars elementë të Brigadës së 2-të të Koracuar që i përket Divizionit të 1-rë të Koracuar janë ridislokuar papritmas me rrugë ajrore nga Fort Bliss (Texas) ne Berlin, përpara se të procedojnë rrugën drejt Polonisë dhe të bëjnë manovra të përbashkëta me trupat e Varshavës, duke përdorur pajim të rëndë dhe mjetet e blinduara të dala nga depoja hollandeze e Eygelshoven.

Dislokimi i shpejtë i njësive të mëdha nëpërmjet Atlantiku është pjesë përbërëse e qasjes së re të Pentagonit ndaj përdorimit të instrumentit amerikan në kohën e konkurrencës midis fuqive të mëdha («Be strategically predictable, but operationally unpredictable»). Veç kësaj, zë një vend qendror në systemin frikësues të ngritur në funksion antirus, sidomos qysh kur Kremlini është në posedim armatimesh me precizion me rreze të gjatë që mund të kërcënojnë depot e ndryshme ushtarake në territorin europian.

Është edhe për këtë motiv që vitin e ardhshëm ushtria amerikane ka në program manovrën më të madhe ushtarake të këtij lloji e 25 viteve të fundit, kur në kuadrin e manovrave Defender 2020 do të provojë të ridislokojë në Europë nga Shtetet e Bashkuara një divizion të tërë. Sinjali do të ishte vështirë i nënvlerësueshëm: divizionet e fundit ameirkane u tëhoqën nga teatri europian rreth 15 vite më parë, pas reformës së ushtrisë të vitit 2005 dhe kalimit në një strukturë të përqëndruar mbi brigadat më të lehta në dritën e nevojave operative të lidhura me kryerjen e fushatave ushtarake në Afganistan e në Irak.

Nëqoftëse trupave tokësore u takon pjesa e luanit në përpjekjet e superfuqisë të prirura që të vendosin një prani ushtarake në Europën Qendrolindore, Marina dhe Aeronautika sigurisht që nuk qëndrojnë më poshtë. Kaçatorpedinierë amerikanë veprojnë tashmë rregullisht nga Balltiku në Detin e Zi, ndërsa pak muaj më parë zhvillimi i manovrave të mëdha ushtarake Trident Juncture të NATO-s, të zhvilluara midis tetorit dhe nëntorit 2018 midis Atlantikut Verior dhe deteve skandinavë. Manovrat janë karakterizuar nga prania e rëndësishme detare amerikane, midis të cilëve spikaste profili i aeroplambajtëses bërthamore USS Harry S. Truman. Së fundi, në mars, US Air Force ka dërguar në bazën angleze të Fairford 6 bombardues strategjikë B-52, në gjendje që të transportojnë bomba bërthamore, si frikëuses i mëtejshëm ndaj Moskës. Shenjë e paekuivok e qasjes amerikane ndaj kontinentit.

Megjithëse përbëjnë një element të rëndësishëm risie në panoramën e sigurisë europiane, frekuenca me të cilën repartet e armatosura amerikane shfaqen dhe ndërrohen në Europën Lindore nuk e përjashton një militarizim të afërt amerikane të territoreve ish sovjetike. Nëqoftëse gjatë Luftës së Ftohtë Shtetet e Bashkuara mbanin në territorin europian 5000 tanke dhe deri në 250000 ushtarakë, pa llogaritur faktin që qenë në gjendje të lëviznin 125000 të tjerë nëpërmjet Atlantikut me rastin e manovrave të mëdha ushtarake Reforger, për të demonstruar se mund ta forconin menjëherë teatrin në rast konflikti, sot Departamenti i Mbrojtjes numëron në Europë 62800 forca të armatosura midis trupave në shërbim aktiv, anëtarëve të gardave të ndryshme kombëtare dhe atyre të rezervës.

Këtyre u duhen shtuar repartet e e dislokuara mbi baza të përkohshme, të prirura që të rrisin forcën e përgjithshme, por sigurisht jo ta çojnë në shifrat e prekura 30 vite më parë. Nga ana tjetër, as potenciali aktual luftarak rus nuk është më i krahasueshëm me atë të atëhershëm sovjetik. Megjithatë, vija e tendencës është e qartë. Provë i janë bisedimet në zhvillim midis Uashingtonit dhe Varshavës për hapjen e një baze ushtarake amerikane në Poloni, domethënë të strukturës së parë të këtij lloji përtej ish Perdes së Hekurt. Prej kohësh Varshava kërkon një prani të qëndrueshme të trupave amerikane brenda kufijve të saj si dekurajues për t’ia kundërvënë Rusisë, ndoshta në Torun apo në Bydgoszcz, dhe është ofruar deri që t’ia financojë punët ndërtimore.

Në linjë parimore, Shtetet e Bashkuara nuk i kundërvihen idesë, por kanë deklaruar tashmë se nuk duan të heqin dorë nga dislokimet e afatizuara e Atlantic Resolve pavarësisht mundësisë për t’ia zbutur barrën financiare, duke caktuar më shumë trupa drejtpërsëdrejti në Europë. Pa llogaritur se prania e bazave të ndryshme amerikane tashmë përsosshmërisht funksionale në Gjermani përbën një alternativë shumë më e ndjekshme se hapja e një baze në Poloni për ta afruar dispozitivin e frenimit me Moskën. Përveçse strategjikisht më pak rriskuese, po të kihet parasysh kundërreagimi i parashikueshëm rus në Bjellorusinë ngjitur.

Fakti që pavarësisht gjithçkaje të gjitha bisedimet midis administrative vazhdojnë është një tregues i qëndrueshëm i vendosmërisë me të cilën Uashingtoni synon që ta çojë sfidën me Moskën në territore ku kjo e fundit ishte dikur mbizotëruesja e padiskutueshme. Nuk është rastësi që pikërisht në këtë segment po bie edhe veli i hipokrizisë që ka mbështjellë për një kohë të gjatë mburojën antiraketore në rrugë përgatitjeje midis Rumanisë dhe Polonisë: e justifikuar si një sistem mbrojtës i prirur Perëndimin nga kërcënimi raketor persian, kohët e fundit kreu i Marinës amerikane dhe një ish funksionar i Pentagonit kanë pranuar se infrastruktura mund të përdoret edhe në funksion antirust si bazë për raketa të reja me rreze të mesme pas kolapsit të Traktatit INF.

Nëqoftëse debati mbi bazën e mundshme amerikane në territorin polak futet përsosshmërisht, të paktën në nivel simbolik, në kontekstin e iniciativave të ndryshme të frenimit antirus të nisura në Europë nga amerikanët duke filluar nga viti 2014, fjalët e shqiptuara lidhur me çështjen nga Kay Bailey Hutchinson, ambasadorja amerikane në NATO, sqarojnë se, pavarësisht gjithçkaje, nënteksti thelbësor mbetet gjithmonë i njëjti. Hapja eventuale e bazës dhe fluksi pasues i trupave në Poloni – ka shpjeguar kohët e fundit ish senatorja teksane – nuk duhet të modifikojnë qasjen ushtarake e Shteteve të Bashkuara në kontinent, që do të mbesë i përqëndruar tek Gjermania, ku është i pranishëm një kontigjent prej 35660 ushtarakësh amerikanë.

Bëhet fjalë për më të madhin në Kontinentin e Vjetër dhe të dytin në nivel global, prapa atij të dislokuar bë Japoni. Fjalët e Bailey Hutchison janë të rëndësishëm pasi evidentojnë se deri në çfarë pike shtyhet fiksimi i Uashingtonit për Berlinin, pavarësisht se kanë kaluar 75 vjet nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore. Në Europë, Republika Federale është ende dyfish qendrore për kalkulimet e superfuqisë: si çerniera kryesore luftarake amerikane në Gadishullin Europian dhe nyje e domosdoshme logjistike për aktivitetet ushtarake përtej kufijve të saj; sëbashku, si aktori i vetëm kontinental në gjendje që të kultivojë në përiudhë afatgjatë ambicie hegjemoniste dhe, për pasojë, të ndjekë interesa divergjente nga ato amerikane.

Prapa fërkimeve Uashington – Berlin të muajve të fundit ka një ofensivë amerikane në kuptimin e vërtetë të fjalës qëllimi final i së cilës është ruajtja e kontrollit mbi hapësirën gjermanike, historikisht vendimtare për të përcaktuar se kush e komandon vërtet Kontinentin e Vjetër. Nuk është rastësi që me rastin e festimeve për 70 vjetorin e NATO-s Zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence ka kritikuar ashpër qeverinë gjermane për paaftësinë e tij në programimin e një rritjeje të shpenzimeve të mbrojtjes me 2% të PBB-së brenda 2024.

Jo aq pse Uashingtoni dëshiron të favorizojë riarmatimin gjerman, sesa për të ruajtur presionin mbi një dosje në gjendje që të hedhë në erë kontradiktat e koalicionit që mbështet qeverinë e Angela Merkel dhe t’i minojë aspiratat për të siguruar autonomi më të madhe, sidomos pas fjalëve të Kancelares në Konferencën për Sigurinë e Mynihut në muajin shkurt. Raportet Shtetet e Bashkuara – Gjermani janë në nivelet më të ulëta jo vetëm lidhur me çështjen ushtarake. Përplasja ka të bëjë me dosjet më të ndryshme: nga fronti energjitik, shënjestër tradicionale amerikane nga frika se mos gazsjellësi Nord Stream 2 mund të bëhet vërtet baza e mirëkuptimit shumë të frikshëm ruso – gjerman, tek refuzimi i Berlinit për të ndaluar Huawei, nga ofensiva tarifore në dëm të industrisë gjermane tek aderimi i munguar i Republikës Federale tek embargo ndaj Iranit. Por thelbi i tensionit mbetet ai i që ka qenë përgjithmonë, ai për të cilin superfuqia ndërhyn në Europë prej më shumë se 100 vitesh e këtej dhe për të cilin të nesërmen e triumfit mbi Hitlerin zgjodhi që ta lidhë veten në një aleancë mbrojtje me kuptimin gjeopolitik vërtet të pashmangshëm: “to keep the Americans in, the Russians out and the Germans down”.

(Analizë nga Limes) bota.al

Në trend Botë

Më shumë
Sulmi ukrainas me raketat britanike Storm Shadow, la të vrarë 500 ushtarë të Koresë së Veriut dhe një gjeneral rus

Sulmi ukrainas me raketat britanike Storm Shadow, la të vrarë 500 ushtarë të Koresë së Veriut dhe një gjeneral rus

Evropa
Ukrainasit shkatërrojnë sistemin raketor rus S-400

Ukrainasit shkatërrojnë sistemin raketor rus S-400

Evropa
Putinit i mungojnë ushtarët në vijën e frontit, tenton të joshë rekrutët e rinj – u premton faljen e borxheve në vlerë prej 95 mijë dollarësh

Putinit i mungojnë ushtarët në vijën e frontit, tenton të joshë rekrutët e rinj – u premton faljen e borxheve në vlerë prej 95 mijë dollarësh

Evropa
I riu nga Koreja e Veriut shtoi qëllimshëm në peshë për të shmangur shërbimin ushtarak

I riu nga Koreja e Veriut shtoi qëllimshëm në peshë për të shmangur shërbimin ushtarak

Botë
Hap historik për ushtrinë amerikane: SHBA fillon prodhimin e eksplozivëve TNT në tokat e saj

Hap historik për ushtrinë amerikane: SHBA fillon prodhimin e eksplozivëve TNT në tokat e saj

Amerika
Pavarësisht se e shpallën të vdekur dhe deshën ta djegin trupin e tij – i riu nga India që u zgjua megjithatë humbi jetën

Pavarësisht se e shpallën të vdekur dhe deshën ta djegin trupin e tij – i riu nga India që u zgjua megjithatë humbi jetën

Azia
Kalo në kategori