SHBA dhe Kosova diskutojnë avancimin e kapaciteteve doganore dhe lehtësimin e tregtisë

Drejtori i Përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, ka pritur sot në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, me të cilën ka diskutuar për thellimin e bashkëpunimit bilateral në fusha kyçe të zhvillimit doganor dhe ekonomik.
Gjatë takimit, palët u fokusuan në avancimin e bashkëpunimit në lehtësimin e tregtisë, forcimin e integritetit institucional dhe rritjen e kapaciteteve profesionale përmes programeve të asistencës teknike të mbështetura nga SHBA. Drejtori Llugaliu prezantoi arritjet e Doganës së Kosovës dhe shprehu gatishmërinë për intensifikimin e punës së përbashkët me qëllim rritjen e transparencës, sigurisë dhe efikasitetit në zbatimin e procedurave doganore.
Ai falënderoi Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e vazhdueshme, duke theksuar se partneriteti strategjik me SHBA-në është i domosdoshëm për forcimin e kapaciteteve të Doganës dhe për ofrimin e shërbimeve të standardeve të larta për qytetarët dhe komunitetin e biznesit.
Nga ana e saj, Prattipati vlerësoi përpjekjet e Doganës së Kosovës për modernizim dhe theksoi se SHBA mirëpret nismat që kontribuojnë në forcimin e tregtisë dypalëshe dhe rritjen ekonomike për të dy vendet.
Dogana e Kosovës konfirmoi se do të vazhdojë rrugën e reformave dhe modernizimit, në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, duke e konsideruar këtë bashkëpunim thelbësor për zhvillimin e mëtejshëm institucional dhe ekonomik të vendit.



















































